Lypsarët që punojnë për "Bosët" e tyre

  • 29 August 2016 - 19:21
Lypsarët që punojnë për

Një numër i lëmoshëkërkuesve në Gjakovë vjen nga Shqipëria.

Në çdo rrugë të Gjakovës, e në veçanti nëpër udhëkryqe dhe në afërsi të objekteve hoteliere, mund të hasësh numër të madh të lypsarëve të moshave të ndryshme, të cilët nuk janë vetëm nga ky qytet, por edhe nga qytetet e tjera kosovare dhe jo vetëm!,raporton gazeta Kosova Sot

Nëse dikush i huaj gjendet mysafir në Gjakovë dhe qëllon afër udhëkryqeve apo ulët për ta pi një kafe në njërin nga lokalet e këtushme, shumë shpejt do të ketë përshtypjen se në këtë mjedis mbretëron një varfëri e skajshme. Kjo përshtypje, e cila mund edhe të mashtron, fitohet nga fakti se brenda vetëm një gjysmë ore deri sa të konsumosh një kafe, tavolinës ku je vendosur, do t'i afrohen së paku dhjetëra lypsarë, duke kërkuar lëmoshë. Zakonisht bëhet fjalë për fëmijë të veshur keq apo gjysmë të zhveshur, për gra më të moshuara të cilat, "obligimisht", për dore kanë një fëmijë të vogël, leckaman, vetëm e vetëm që ti dhimbsen "klientit", por ka raste kur lëmosh kërkojnë edhe burrat. Numri i tyre, veçanërisht në muajt e verës, është aq i madh, saqë prezenca e tyre të kalon në bezdi! E, në ndërkohë, pushtetarët e të gjitha niveleve, bëjnë sehir, ngrinin krihet në shenj pafuqie që të ndërmarrin diç për evitimin e këtyre pamjeve shqetësuese! 

Nuk të lënë një kafe ta pish rehat "Kujtoj se për këtë problem duhet të flitet me shumë kujdes, me shumë takt, pasi në mesin e këtyre lypsarëve ka edhe të atillë që me të vërtet nuk kanë formë tjetër se si të mbijetojnë. Mirëpo, numri i tyre është rritur vërtet aq shumë, sa nuk të lënë të qetë të pish as një kafe. Unë nuk di të them se cila do të ishte zgjidhja për këtë dukuri, por mendoi se këtë duhet ta bëjnë përgjegjësit, punëtorët social, policia, shteti..." fliste këto ditë Kastriot Selmani, qytetar nga Gjakova, duke shtuar se numri i lypsarëve rritët posaçërisht gjatë muajve të verës kur këtu për pushime vijnë mërgimtarët, nga të cilët, lypsarët shpresojnë se do të përfitojnë më shumë. Në situatë të tillë, pronarët e objekteve hoteliere e ndjejnë vetën në siklet. "Mundohem që mysafirët e mi t'i kursej nga shqetësimi i lypsarëve por është e vështirë, është punë që nuk bëhet! Sa arrij një ditë ti largoi, shpesh edhe duke i "kërcënuar", të nesërmen vijnë krejtësisht të tjerë, të cilët as që i njoh as që i kam par më herët. Nuk e di as prej nga po vijnë" arsyetohej Kushtrim Ahmeti, pronar i njërit prej lokaleve. Nisur nga përvoja e kamerierëve, sepse ndonjë analizë konkrete për këtë nuk është bërë deri më tash, "dominojnë" përfaqësuesit e minoriteteve RAE por ka edhe të tjerë, ndërsa sipas theksit të të folurit, duket se ka mjaft nga qytetet e tjera kosovare dhe nga Shqipëria.

A është kjo skllavëri moderne?! Se ky është një problem serioz për Kosovën, e ka potencuar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, gjatë vizitës që ditë më parë ai bëri Gjakovës. "Rritja enorme e lypsarëve është dukuri e shëmtuar dhe brengosëse, pasi bëhet fjalë për lypsari të organizuar nga "bosat" dhe ky është krim "par exelans", ka thënë ministri Hyseni, duke mos përmendur format se si mund të luftohet kjo dukuri e shëmtuar, pos vetëm duke apeluar tek qytetarët që të mos dhurojnë këso ndihmash! Ai me këtë rast citoi edhe sekretarin amerikan të shtetit John Kerry, i cili këtë dukuri e ka quajtur "skllavëri moderne"! Se një numër i lypsarëve në Gjakovë vjen nga Shqipëria, e thonë edhe në Qendrën për Punë Sociale. "Dukuria e ardhjes së lypsarëve nga Shqipëria është e njohur dhe shpesh shumë mirë e organizuar. Deri vonë ata janë bartur në mënyrë të organizuar me furgona dhe janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me theks të posaçëm në Rrafshin e Dukagjinit që gjendet më afër kufirit. Pas formimit të një task-force për pengimin e kësaj dukurie, kjo formë e bartjes së lypsarëve është ndërpre, por ardhja e tyre jo, pasi ata vazhdojnë të vijnë, shpesh edhe në mënyrë ilegale" ka thënë Rexhep Qarri, nga kjo Qendër. Thuhet se shpesh lypsarët i "këmbejnë" territoret, kështu që ata të Gjakovës shkojnë "të punojnë" në Prizren apo ndonjë qytet tjetër dhe anasjelltas! Ndërkaq për mundësinë që policia të jetë më aktive ne pengimin e kësaj dukurie, Krist Gjokaj, komandant i stacionit të policisë në Gjakovë, e ka një shpjegim. 

(Kosova Sot)