Dy komuna bashkohen për ndërtimin e rrugës së vjetër

  • 30 August 2016 - 20:36
Dy komuna bashkohen për ndërtimin e rrugës së vjetër

Më në fund, edhe Vërbica e Zhegocit, një fshat ky i harruar në të gjitha kohërat, pavarësisht se kush ishte në pushtet, do të bëhet me rrugë të asfaltuar. Janë bërë bashkë dy komuna, Gjilani dhe Lipjani për ta bindur qeverinë e Kosovës që ta financojë rrugën Sllovi (Lipjan) - Malësi e Zhegocit (Gjilan), me gjatësi mbi 8 kilometra,shkruan Gazeta Kosova Sot.

 Ministria e Infrastrukturës, ka ndarë një milion euro për këtë projekt. Marrëveshja është nënshkruar në Lipjan, ku Lutfi Zharku i ka takuar kryetarët e këtyre dy komunave fqinje dhe ka premtuar se punimet do të fillojnë vitin e ardhshëm. Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, është i lumtur që po ndërtohet një rrugë shumë e rëndësishme, që në të vërtetë është korridori kryesor i juglindjes së Kosovës. Ky projekt konsiderohet i rëndësishëm edhe nga kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, sepse ofron një mundësi më shumë për komunikim mes banorëve të komunës së Lipjanit dhe atyre të komunës së Gjilanit, nëpërmjet Sllovisë, duke e lidhur dhe Malësisë e Zhegocit

Ndërmjet Gjilanit e Lipjanit

Malësia e Zhegocit, e cila para 17 vitesh bëri bashkë ushtarët e UÇKsë, tani po i bashkon dy komunat fqinje, Gjilanin dhe Lipjanin, si nevojë për ndërtimin e një rrugë të vjetër që historikisht e ka lidhur anën e Moravës dhe fushën e Kosovës. Bashkëpunimit për këtë qëllim, i kanë dhënë përkrahje edhe kuvendarët e Gjilanit. Lipjani dhe Gjilani, paraprakisht kishin shprehur vullnetin e tyre dhe ishin pajtuar që të punojnë në realizimin e projektit me interes të përbashkët në infrastrukturë rrugore, që lidh jo vetëm fshatra e komuna, por edhe regjionin. Ndërtimi i rrugës në këtë anë lehtëson komunikimin e popullatës lokale mes vete dhe me qendrat e tyre komunale. Banorët e kësaj zone kanë shumë lidhje familjare e miqësore mes vete. Një pjesë e lagjeve të Vërbicës gravitojnë më shumë nga ana e Lipjanit, edhe për shkak të afërsisë. Madje edhe shpërnguljet i bëjnë kryesisht në Sllovi e Lipjan. Për hir të sakrificës gjatë luftës, kjo zonë, që përbën trekëndëshin më të përgjakur për liri, në këtë anë, ka merituar të ketë rrugë edhe më herët, por deri më tani është anashkaluar. Këtu janë vrarë bashkëshortët Hanumshahe e Tefik Zymberi, vëllezërit Ramadan e Shaban Hyseni, Pajazit Ahmeti dhe Alban Ajeti. Në të njëjtën ofensivë, më 15 prill 1999, këtu dhe tutje, në Zhegoc, Vërbicë, Sllovi janë vrarë edhe Gafur Hyseni, vëllezërit Sahit e Shahin Baftiu, Bahri Sadiku dhe Kastriot Baftiu, djali i Sahitit, që ishte vetëm 14 -vjeç. Në këtë ofensivë janë vrarë edhe Bahtir Jahiri, Ibrahim Pacolli, plaka Naile Jahiri (1912). Janë vrarë edhe Zylfije Gashi, Sherif Sherifi, Enver Pacolli, Ilmi Hyseni, Feim Ajeti, Bashkim Ramadani, Fadil Ajeti, Ismet Ajeti, Fatmir Ademi, Blerim Ademi, Ismet Sadiku. Në Marec, ku ishte tërhequr UÇK-ja, pas ofensivës në Zhegoc, është vrarë eprori Muharrem Ibrahimi nga Gjilani, pas një sulmi masiv të makinerisë serbe. Për hir të kontributit që ka dhënë kjo trevë për lirinë e vendit, por edhe për një simbolikë në të ardhmen, Haziri ka propozuar që në Zhegoc të vendoset kazerma e FSK-së për regjionin e Gjilanit.

Shumë banorë janë larguar nga fshati

Zhegoci, ku ishte i vendosur Shtabi i Zonës Operative të Karadakut dhe Vërbica e Zhegocit, kufizohen me komunën e Lipjanit. Njëra lagje ajo ku tani qëndron lapidari i luftë- tarëve të rënë në prill 1999, ka pamje nga Gjilani, kurse tjetra, atje ku ishte Shtabi i luftës, gjendet më afër Sllovisë së Lipjanit dhe gati se është boshatisur në tërësi. Zhegoci, sipas disa të dhënave, është lokalitet shumë i vjetër. Thuhet se te vendi "Kroi i Sofisë" janë gjetur gjurmë të një qyteti të lashtë antik. Historianët thonë se ky vend, dikur ishte i banuar dendur. Dëshmi për këtë janë mbeturinat e përpunimit të xehes, shpatet me vreshta, ndonjë toponim që është ruajtur ende. Para luftës, Zhegoci kishte 45 familje. Pas luftës, fshati është zbrazur gati në tërësi. Shpërngulje ka pasur edhe më herët. Banorë të Zhegocit sot gjen në Stamboll, Shkup, Sarajevë, Prishtinë, Janjevë, Lypjan, Ferizaj dhe qytete të tjera. 15 prilli i bën bashkë të gjithë këta, për të nderuar të rënët dhe për të kujtuar të kaluarën e dhimbshme dhe njëkohësisht edhe të lavdishme të këtij fshati heroik, që nuk i kurseu bijtë e tij për lirinë e Kosovës. Pas luftës, Zhegoci është harruar. Atje nuk është rinovuar as shtëpia-shtab e ZOK-ut dhe as nuk është ndërtuar rruga deri këtu. Premtime kishin dhënë disa herë, komandantë, ministra e qeveritarë. Banorët thanë se janë harruar pas luftës dhe tregohen kritikë ndaj të gjitha pushteteve të deritashme. Kurse në Vërbicë, ka më shumë familje, rreth 80 sosh.

(Kosova Sot)