Qytetarëve u ka ardhur laku në fyt

  • 31 August 2016 - 07:45
Qytetarëve u ka ardhur laku në fyt

Shatri: Me këta pushtetarë nuk ka më perspektivë ekonomike.

Dyshja e sundimtarëve të vendit tonë, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, tash gati dy vite që kur po e qeverisin me vendin kanë bërë që qytetarëve t'u vijë laku në fyt nga gjendja e rëndë ekonomike. Për opozitën dhe ekspertët e tërë kjo po ndodh në saje të mungesës së një programi të mirë qeveritar që për pasojë e ka varfëruar popullatën. Analistët thonë se ky shtet u ka sjellë të mira vetëm pushtetarëve dhe klaneve të tyre, të cilët janë trashur së tepërmi dhe janë kamur nga korrupsioni, por jo edhe qytetarëve të rëndomtë, të cilët nuk kanë një mirëqenie të mirë dhe ku çmimet e konsumit janë të papërballueshme për xhepin e qytetarëve, shkruan gazeta Kosova Sot.

Pabarazia sociale

Deputeti Enver Hoti, nga Nisma për Kosovën, shprehet se qytetarëve tanë u ka ardhur laku në fyt nga gjendja e rëndë ekonomike. "Ky shtet u ka sjellë të mira vetëm pushtetarëve dhe klaneve të tyre, të cilët janë kamur nga korrupsioni. Kjo qeveri pa pasur një program e ka varfëruar më tej popullatën", u shpreh ai. Hoti thotë se zhvillimet e fundit ekonomike në vend tregojnë se situata ekonomike sa vjen e përkeqësohet. "Shkalla e papunësisë dhe varfërisë tregon përqindje të larta marramendëse. Punësimi në baza familjare, partiake e klanore të llojit të aferës "Pronto", i ka lëshuar rrënjët shumë thellë, pra, ka kaluar në një diskriminim shumë të ashpër. Po ashtu korrupsioni dhe keqpërdorimet e manipulimet e parasë publike janë kontribues kryesorë të kësaj gjendjeje të rëndë ", ka theksuar ai. Hoti ankohet se ngritja e çmimeve të artikujve të domosdoshëm për jetë e bënë shumë të rëndë jetën e qytetarëve e sidomos të atyre që janë pa punë e që jetojnë me ndihma sociale. "Kësaj gjendjeje po i kontribuon edhe pabarazia e theksuar sociale në mes të elitave dhe pjesës tjetër të popullsisë, e shumë e shumë faktorë të tjerë. Pasojat e kësaj gjendjeje janë jashtëzakonisht të mëdha. Të kujtojmë vetëm migrimin masiv vjet e që për fat të keq nuk ka të ndalur edhe sot e kësaj ditë (ndonëse në përmasa me të vogla). Kjo ka të bëjë si pasojë direkte e gjendjes së sipërpërshkruar", ka spikatur Hoti. Ai tutje ka shtuar: "Ikja e këtyre qytetarëve është një humbje e madhe për vendin, ngase po humb një potencial të madh të fuqisë punë- tore, po humbet një rini e shëndoshë që na e ka lakmi bota, po humbet një fuqi intelektuale, arsimore që duhet t'i kontribuojë vendit, sepse pjesa dërrmuese e këtij migrimi është e moshës së re dhe e shkolluar etj". Ai thotë se dukuri tjetër e shëmtuar e që e ka prodhuar kjo gjendje e rëndë ekonomiko-sociale është edhe bredhja dhe lëmosha e njerëzve, që shihen në çdo vend të qyteteve tona e aq më keq që kjo dukuri përfshin fëmijët...(Më gjërësisht mund të lexoni sot në Gazetën Kosova Sot) 

(Kosova Sot)