Zgjedhjet e reja shkapin shtetin

  • 31 August 2016 - 07:52
Zgjedhjet e reja shkapin shtetin

Intervistë me deputeten nga radhët e Lëvizjes 'Vetëvendosje', njëherësh edhe nënkryetaren e kuvendit të kosovës, Aida Dërguti (2)

"PDK-ja tani tenton që ta zhvendosë vëmendjen nga afera e madhe 'Pronto', duke e sulmuar Shpend Ahmetin".

"Kosova Sot": Nga përgjimet e Grabovcit vërtetohet se Grabovci ka lidhje të ngushta me mafio- oligarkët. Bizneset që kanë përfituar qindra miliona në mënyrë të paligjshme në kurriz të qytetarëve, siç është rasti me 'Devollët' dhe jo vetëm. Pse ju, si partia më e madhe opozitare, nuk e keni ngritur këtë çështje të vëllezërve Devolli në konferencat tuaja për shtyp asnjëherë?

Aida Dërguti: Lëvizja 'Vetëvendosje!' është kundër çfarëdo drejtësie selektive, pasi kjo drejtësi është automatikisht padrejtësi. Nëse do të fillojë të shqyrtohet në mënyrë të mirëfilltë, të gjithë aktorët e përfshirë do të duhej të ndëshkoheshin, dhe nuk do të ndaleshim as nuk do duhej të ndaleshim tek emrat e përveçëm, pasi kushdo qoftë ai ose ajo kompani, apo njeri i fuqishëm me pushtetin do duhej të përfshiheshin në hetime dhe aktakuzë.

"Kosova Sot": Ministria e Infrastrukturës më në fund e hoqi monopolin për gazin, duke ndryshuar udhëzimin dhe duke hapur tregun edhe për kompanitë e tjera. Pse nuk po hiqet monopoli i homologimit të makinave që e ka Shkëlqim Devolli, i cili vazhdon të zhvatë paratë e qytetarëve?

Aida Dërguti: Nuk jam në dijeni për këtë.

"Kosova Sot": A mund të jenë vëllezërit Devolli financues edhe të partisë suaj, duke marrë parasysh se kjo është mënyra se si ata funksionojnë?

Aida Dërguti: Nuk kam ide për këtë se ka diçka serioze, pasi marr parasysh se si shkon zakonisht mënyra e financimit, janë donacionet të cilat ne i japim vetë përmes transfereve bankare. Unë vetëm e di se ne japim të hollat tona të cilat normalisht janë të përcaktuara me ligj dhe janë deri në shumën 2000 euro brenda një viti. Nëse dikush ka dhënë donacione nuk e di, pasi nuk merrem me financa.

Shpifje të PDK-së

"Kosova Sot": Në përgjimet e publikuara protagonisti Adem Grabovci shfaqet me ndikim bashkë me partinë e tij në punësime jo të rregullta, konkurse të kurdisura, shkelje ligjore etj. Por, nga ana tjetër, PDK-ja e hodhi topin në Komunën e Prishtinës, duke nxjerrë lista punëtorësh me kontratë mbi vepër, që mbajnë nënshkrimin e Shpend Ahmetit. A ju ka dëmtuar ky veprim si parti?

Aida Dërguti: Absolutisht jo. PDK-ja tani tenton që ta zhvendosë vëmendjen nga afera e madhe 'Pronto', e cila ka dalë në opinion, duke e sulmuar Shpend Ahmetin dhe pushtetin e 'Vetëvendosje!"-s në Komunën e Prishtinës. Jam shumë e sigurt që Shpendi ka përgjigjen e duhur dhe nuk i frikësohet çfarëdo akuze që PDK-ja në këtë rast do ta ngritë me qëllim, siç e thashë më herët, shmangies së vëmendjes nga afera, 'Pronto',

"Kosova Sot": PDK- ja ka paralajmëruar padi penale kundër Shpend Ahmetit dhe të tjerëve, sipas tyre, të bazuar në katër fakte; punësimin joligjor të mbi 250 militantëve me ç'rast ka kryer vepër penale, keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit joligjor, ka privuar të tjerët nga mundësia e barabarësisë dhe vepër penale të marrjes së mitës për këto punësime. Sa janë të vërteta këto akuza?

Aida Dërguti: Lëvizja, 'Vetëvendosje!' nuk frikësohet nga këto akuza dhe është e gatshme që në çdo moment të përballet me çfarëdo procesi gjyqësor, e as Shpend Ahmeti nuk u frikësohet këtyre akuzave. Pra, vetëm le të veprojnë gjykatat dhe besoj se Shpendi do të sjellë një mal me argumente se këto janë të pavërteta dhe shpifje të PDK-së. Por, ata janë duke e shfrytëzuar momentin për ta zhvendosur vëmendjen nga afera 'Pronto', dhe për t'i demotivuar qytetarët që të marrin pjesë në protesta, duke i dërguar një mesazh se kinse edhe 'Vetëvendosje!' janë njëjtë si të tjetër, të korruptuar. 

Përmbysje e jashtëzakonshme në zgjedhjet e ardhshme

"Kosova Sot": A është, megjithatë, VVja e pastër në aspektin e punësimeve nepotike, politike, me të njohshëm?

Aida Dërguti: Deri tani nuk kam dëgjuar për ndonjë rast të ankesave, madje mund t'ju them për raste konkrete kur kanë qenë aktivistët tanë, të cilët janë ankuar se nuk janë pranuar në një konkurs. Andaj, kjo besoj se flet më së miri.

"Kosova Sot": Mediet akuzuan krerët e Prishtinës se po bashkëpunojnë ngushtë me vëllezërit Devolli, ku edhe fotot me përfaqësuesit e Birra Peja kanë mbushur faqet e "facebook"-ut të udhëheqësve të Komunës së Prishtinës. Si i komentoni ju këto akuza?

Aida Dërguti: Duhet pasur parasysh një gjë, Lëvizja "Vetëvendosje!", që nga viti 2006, ka bërë përpjekje që t'i promovojë produktet vendore dhe fushata e lëvizjes 'Vetëvendosje!' duaje tënden dhe promovimi i produkteve vendore si një logjikë ekonomike, si një patriotizëm i një rrafshi krejtësisht tjetër ku interesat ekonomike janë ato që të bëjnë të përqendrohesh tek produktet vendore, madje janë fushatat e shumta politike që i kemi pasur, duke i promovuar prodhuesit vendorë, mund të ndikojnë tek një lloj simpatie edhe e prodhuesve vendor karshi Lëvizjes 'Vetëvendosje!'.

"Kosova Sot": Elektorati kosovar nuk është se ka dhënë ndonjë shembull të kthesave drastike. Si do t'ua mbushni mendjen njerëzve që të votojnë për opozitën dhe ta rrëzojnë nga pushteti koalicionin e elefantëve të korruptuar?

Aida Dërguti: Unë besoj se në zgjedhjet e ardhshme do të jetë përsëri një përmbysje e jashtëzakonshme e rezultatit zgjedhor, pra një përmbysje e situatës aktuale, d.m.th ndryshimi i votës do të jetë pothuajse i pashmangshëm dhe për këtë jam shumë e bindur. Dhe, këtë e them për arsye se që nga viti i kaluar kemi një anëtarësim të ri të shumtë në numër, njerëz të cilët po i afrohen Lëvizjes "Vetëvendosje!", njerëz të cilët kanë qenë mbase të heshtur për një periudhë të gjatë apo edhe njerëz që vijnë nga subjektet e tjera politike të cilët kanë qenë votues dhe anëtarë të thjeshtë dhe nuk po flas për figura të rëndësishme brenda strukturave, por po flas për votuesin e thjeshtë, anëtarin e thjeshtë, janë numerikisht të shumtë ata që vijnë në Lëvizjen, 'Vetëvendosje!' . Po ashtu janë sondazhet e shumta, edhe ndërkombëtare, që tregojnë një lëvizje të jashtëzakonshme të votës dhe në këtë rast të Lëvizjes "Vetëvendosje!". Unë besoj se kësaj here do të ndodhë një kthesë e madhe, ngase elektoratit ia ka mbushur mendjen kjo Qeveri me këtë formë të qeverisjes, pasi ne e pamë menjëherë pas formimit të koalicionit PDKLDK, e pamë ikjen masive të qytetarëve dhe pra gjendjen dëshpëruese të tyre dhe besoj se, përveç VV-së, e cila ka ngritur përgjatë viteve kritikën dhe zërin e saj për proceset dhe zhvillimet këtu dhe duke i paralajmëruar për rreziqet që po vijnë, tashmë qytetarët janë të bindur se deri më tani vetëm VV-ja ka pasur të drejtë në të gjitha ato çfarë ka thënë, dhe ka ardhur një moment kur ata po thonë se tani duhet provuar Lëvizja "Vetëvendosje!", ngase do të jetë një qeverisje ndryshe.

"Kosova Sot": A është e mundshme që t'u shohim sërish në bllokun opozitar me AAK dhe Nismën për Kosovën ?

Aida Dërguti: Bashkëpunimi ynë ka filluar për kauzat konkrete dhe ne jemi gjithmonë të hapur që të bashkëpunojmë me të tjerët kur janë kauza kaq të rëndësishme në interes të vendit, dhe jo vetëm me deputetët e opozitës, por edhe me deputetë të cilët individualisht kanë të njëjtin qëndrim për çështjet e rëndë- sishme siç është Demarkacioni dhe 'Zajednica'. Ne kemi bërë thirrje që edhe deputetët e tjerë të na bashkohen. Në këtë rast bashkëpunimi ynë me Shpejtim Bulliqin, p.sh., i cili është në të njëjtën linjë të kundërshtimit për Demarkacionin, andaj jemi gjithmonë të hapur.

RTK-ja është kthyer në një zëdhënës të Qeverisë

"Kosova Sot": Në këto rrethana të tensionuara, disa incidente në Kuvend, RTK, tek shtëpia e Murat Mehës etj., po mbesin të pazbuluara, ndërsa eksponentë të pushtetit hapur po e drejtojnë gishtin nga VV-ja. Si i përgjigjeni ju këtyre akuzave?

\Aida Dërguti: Ne tashmë kemi pasur qëndrim publik ku edhe i kemi dënuar këto sulme, duke e ditur se kjo nuk është forma e zgjidhjes së problemeve dhe mbase pushteti e shfrytëzon rastin që të drejtojë gishtin drejt nesh, për shkak të kritikës tonë të ashpër që kemi pasur për RTK-në, i cili si medium publik në këtë rast tash e sa vite, publik janë vetëm fondet të cilat i marrin, ndërkohë që pjesa tjetër mbetët krejtësisht private nga shteti i kapur, nga individët, të cilët e kanë kapur shtetin dhe e kanë kapur njëkohësisht edhe RTK-në dhe është kthyer në një zëdhënës të Qeverisë. Secili qytetar, i cili i përcjell me vëmendje lajmet në RTK dhe i krahason me mediumet e tjera, e sheh që në bazë të renditjes së lajmeve, hapësirës së dhënë ka një pabarazi, edhe pse ai është medium publik.

Nuk mund të veprojmë njëjtë si një ambasador

"Kosova Sot": Në opinion ka një perceptim se VV-në nuk e duan ndërkombëtarët, sidomos SHBA-ja, madje edhe në aktivitete të ndryshme, ju nuk ftoheni të merrni pjesë. Si po planifikoni t'i relaksoni marrëdhëniet me misionet ndërkombëtare, që të mos shiheni më si 'GOGOLI', që ju paraqet pushteti?

Aida Dërguti: Mendoj se Kosova, duke qenë si, 'sui generis', dhe duke qenë nën protektorat ndërkombëtar për kohë të gjatë, si duket, ende vazhdojnë të jenë rolet e ngatërruara të secilit vend të skenës politike. Në një vend normal, një ambasadë ka për qëllim krijimin dhe mirëmbajtjen e raporteve mes dy vendeve, të cilat do të përqendroheshin edhe në këmbimin ekonomik, kulturor etj, etj. Por, natyrisht edhe në bazë të mandatit të një ambasadori në rrethanë normale, do t'i dukej ndërhyrje çfarëdo deklarimi për çështje të brendshme politike, dhe këtu nuk po flas për një ambasadë ose ambasador të veçantë, pasi kemi parë ndërhyrje nga ambasadorë të vendeve të ndryshme. Sidoqoftë, ky tejkalim i mandatit të tyre mund të cilë- sohet si një joprofesionalizëm, por në anën tjetër Lëvizja "Vetëvendosje!" ka parasysh se, duke qenë e përfshirë në institucionet e Kosovës, duke qenë konkretisht në këtë rast si deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe duke qenë edhe si subjekt i profilizuar i ka të qarta se cilat janë interesat e vendit dhe ku dëshiron ta shohë Kosovën pas 10 apo 20 vitesh. Po ashtu, secili deputetë i VV-së e ka të qartë se për çdo vendim që sot e merr do të duhet të japë llogari, ndoshta edhe pas 10 apo 15 vjetësh, sepse këto janë vendime kapitale. Andaj, ne nuk mund të veprojmë njëjtë si një ambasador, cilido qoftë ai, i cili mund të japë një vlerësim për një çështje të caktuar dhe pas disa vjetësh të kthehet në vendin e tij dhe të mos i interesojë fare se çfarë ndodh me Kosovën apo çfarë pasojash ka ai vendim, sepse nuk do të jenë këta presona të cilët do t'i jetojnë pasojat e vendimeve, të cilat merren tani, dhe ky është një dallim shumë i madh. Pra, kemi raste edhe në të kaluarën, që diplomatë të cilët kanë qenë të involvuar në një çështje, pas disa vjetësh kanë menduar ndryshe. Rasti konkret është marrëveshja e 'Dejtonit', për të cilën pas disa vjetësh kanë qenë pikërisht diplomatët, që janë përfshirë në dizajnimin e kësaj marrëveshje, kanë thënë se kanë qenë gabim për mënyrën se si e kemi dizajnuar. Pra, ata mund edhe të distancohen dhe t'i shohin nga një perspektivë tjetër vendimet që i kanë marrë edhe në të kaluarën, mirëpo ne as mund të ikim, pasi ne nuk mendojmë që pas këtyre vendimeve që i marrin për Kosovën, do të ikim nga Kosova, por do të vazhdojmë të jemi këtu dhe do të përballemi edhe me pasojat, të cilat do të na vijnë si vend, por edhe duhet të japim llogari para votuesve në çfarëdo kohe.

"Kosova Sot": A besoni se do të ketë zgjedhje të reja parlamentare brenda këtij viti?

Aida Dërguti: Kjo do të ishte e shëndetshme për demokracinë, sepse do të ndihmonte, pos të tjerash, edhe jashtëzakonisht shumë në shkapjen e shtetit, dhe posaçërisht pas disa vendimeve të dëmshme që kjo legjislaturë i ka marrë do të duhej ta merrte njëfarë rikonfirmimi nga qytetari dhe kjo është e nevojshme. Shpresoj se do të ketë këtë vit zgjedhje të reja parlamentare. 

(Kosova Sot)