Fyerje ndaj shqiptarëve dhe gabime në tekstet në Maqedoni, Kukuzelin e bëjnë sllav

  • 25 September 2016 - 13:56
 Fyerje ndaj shqiptarëve dhe gabime në tekstet në Maqedoni, Kukuzelin e bëjnë sllav

Edhe këtë vit shkollor nxënësit shqiptarë do të mësojnë nga tekste shkollore me gabime të shumta si përmbajtjesore ashtu edhe ortografike. Këto gabime më të theksuara janë nëpër librat e historisë, gjeografisë, shoqërisë, artit, por edhe në tekste tjera.

Në librin e Gjeografisë gabimet vërehen që në fillim, ku emri i lëndës është shkruar gabimisht – “Gjeografija”!. Edhe përkthimet e teksteve janë pa një strukturë të mirë gramatikore ndërsa janë të pranishme edhe shtrembërimet e ngjarjeve të rëndësishme historike.

Në librin e historisë Shën Jan Kukuzeli, i cili në tekstet e historisë shqiptare njihet si një murg ortodoks nga Durrësi , himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine, tani përshkruhet si Jovan Kukuzeli, krijues i njohur i muzikës maqedonase. Edhe shumë gabime tjera të evidentuara më parë vazhdojnë të jenë të pranishëm. Nga Ministria e Arsimit përsërisin qëndrimet të dëgjuara vite me radhë, për ndryshime ligjore me qëllim hartimin e teksteve të reja.

“Si ministër i Arsimit kam ndërmarrë masa dhe menjëherë kam reaguar duke formuar një grup ekspertësh të cilët do të merren me analizat dhe përpjekjet që këto tekste shkollore t’i kemi në fund pas analizës së tyre një model në të cilin këto gabime nuk do të përsëriten edhe në të ardhmen”, tha ministri i Arsimit Pishtar Lutfiu.

Premtime të tilla para gati dy viteve kishte dhënë edhe paraardhësi i tij Abdilaqim Ademi. E ndërsa ministrat vazhdojnë të japin premtime, gabimet në tekstet shkollore vazhdojnë të akumulohen. Profesori Salajdin Salihu thotë se gjendja është alarmante pasi duke parë gabimet e shumta drejtshkrimore dhe përmbajtjesore, sipas tij nuk mund të themi se kemi shkolla shqipe, por shkolla të përkthyera shkruan “Alast”.

Gabime përmbajtjesore të cilat vazhdojnë prej vitesh me radhë, fatkeqësisht shpeshherë nuk kanë as autorët e përditësuar. Ata ose janë në pension ose kanë ndërruar jetë, ndërkohë që në këto libra bartin titujt bashkautor ose lektor.

(Kosova Sot)