Liderët shqiptarë ngushëllojnë familjen e piktorit të shquar Gjelosh Gjokaj (Foto)

  • 25 September 2016 - 16:34
Liderët shqiptarë ngushëllojnë familjen e piktorit të shquar Gjelosh Gjokaj (Foto)

Ka ndërruar jetë sot akademiku i njohur shqiptar Gjelosh Gjokaj rreth orës 7.15 në spitalin e Bayernit. Gjokaj ishte themeluesi i shkollës së artit pamorë-grafikës në Prishtinë

Për vdekjen e akademikut kanë shkruar edhe Presidenti Thaçi, kryeministri Rama dhe Shkelzen Maliqi, i cili në statusin e tij në Facebook ka shkruar një pjesë nga monografia e papërfunduar e Gjelosh Gjokajt.

Gjelosh Gjokaj la mbi 3 mijë vepra arti në pikturë dhe grafikë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një statusi në Facebook ka shkruar se Gjelosh Gjokaj me motivet autentike nga bota shqiptare i trajtoi me elegancën e maestros në nivel kombëtar dhe atë ndërkombëtarë.

“U shua njëri nga artistët më të talentuar të arteve pamore dhe të grafikës, piktori i mirënjohur Gjelosh Gjokaj. Motivet autentike nga bota shqiptare i trajtoi me elegancën e maestros në nivel kombëtar dhe atë ndërkombëtar. U prehtë përjetë në paqe. HTH”, ka shkruar Thaçi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kujton maestron Gjelosh Gjokaj, për të cilin thotë se na ka lënë koleksion perlash. Ai ka shprehur kujtimet dhe ngushëllimet e tij për vdekjen e piktorit të njohur shqiptar.

“ADDIO MAESTRO

I lindur në Malin e Zi dhe i formuar në shkollën jugosllave të pikturës, Gjelosh Gjokaj u bë maestroja që njohim të gjjthë, në Itali e pastaj Gjermani, ku piktura e tij mori trajtat e mirënjohura të personalitetit artistik të Gjeloshit. Mik sivëlla i Martin Camajt, Gjelosh Gjokaj na ka lënë një koleksion perlash të dala prej gurrës së kësaj miqësie mes poetit e piktorit, ndërsa thesarit të trashëgimisë sonë artistike i ka lënë një vepër të tërë dinjitoze. Ndarja e tij nga jeta është e trishtueshme, pasi ndërpret një fazë tejet interesante ku kishte hyrë krijimtaria e tij, në moshën që Pikaso e quante ideale për t’u rikthyer në fëmijë! Por edhe personalisht, humbja e Gjeloshit më trishton, sepse na lidhi me të një miqësi e gjatë, lindur në fillimvitet ’90 kur studioja e tij në Augsburg, bëhej edhe dhoma ime e gjumit sa herë e vizitoja maestron e dashur! Ai iku pasi i’a doli të lërë pas një vepër të bukur dhe një kujtim të mirë tek të gjithë ata që patën fatin ta njohin”, shkruan Rama.

Shkelzen Maliqi ka ndarë një monografi të Gjelosh Gjokajt, ku ka thënë se krijimtaria e artistit të madh e përqendruar kryesisht në pikturë, grafikë dhe vizatim, përbën një opus tërësor artistikë.

“R.I.P. GJELOSH GJOKAJ

“Atëherë çfarë jam unë?”

Krijimtaria e Gjelosh Gjokajt e përqendruar kryesisht në pikturë, grafikë dhe vizatim, përbënë një opus tërësor artistikë, por që ndahet në disa faza zhvillimore estetike dhe stilistike me dallueshmëri të theksuara. Kjo tregon se botëkuptimet dhe qasjet e tija kanë ndryshuar gjatë gati 6 decenieve të punës kreative. Ashtu sikur që jeta e tij ndahet në disa faza (rinia në Milesh afër Tuzit në Mal të Zi, studimet në Vojvodinë, Kosovë dhe Beograd, puna pedagogjike në Prishtinë, pastaj 14 vjet në Romë dhe nga vitet ’80 në Ausburg të Gjermanisë), ashtu edhe vepra e tij ka prerje të hetueshme. Si një nomad modern që i bredhte poshtë lartë relacionet mes Ballkanit, Mediteranit, Apenineve dhe Bavarisë, Gjokaj do të kërkonte dhe zhvillonte një profil artistik me karakteristika të përbëra, nga njëra anë profil dinamik dhe kërkues, dhe nga ana tjetër i fiksuar në tema identitare dhe të individualitetit, që nëse nuk ishin me figura dhe imazhineri statike, atëherë fokusoheshin në ca përshtatje lëvizëse.

Në fazën e hershme Gjokaj preferonte figuracionin simbolik me kompozicione që dukeshin si inventar i një bote të alienuar dhe të teknicizuar, gërshetuar edhe me ca reminishenca të botës idilike të rinisë së tij, si dhe të tmerreve të luftës. Më vonë, në ciklin Ditari i Romës (fundi i ’70 – fillimi i ’80), figuracionin e lëviz drejt kolazhit kakafonik të urbanitetit modern, me insertime tituj gazetash dhe ndonjë “grafit” domethënës (p.sh. “Atëherë, çfarë jam unë?”).

Nga mesi i viteve ’80 Gjokaj realizon një seri pikturash me figura të shpendëve grabitçarë që kacafyten mes veti, ku shihen mekanizmat alienues si mbetje nga faza e parë, por që kompozicionin e çojnë në abstraksion gati të pastër, ku konflikti vizual nuk i gjason më një narativi përallor të luftës së gjelave, por piktori sfidohet me zbulimin e imazheve eidetike të abstraksionit puro, si një konflikt i ndryshueshëm formash, të dritës dhe errësirës, dhe të ngjyrave. Në fazën e fundit nga vitet ’90 e deri në veprat e fundit, ky koncept i abstaksionit puro, dominon në veprën e Gjokajt në variante të ndryshme.

Këto faza në veprën e Gjokajt nuk i detyrohen asnjë mode dhe stili internacional. Në esencë ndryshimet te ky piktor janë të motivuara nga eksperiencat dhe impulset personale, nga një thellim gjithnjë e më i madh i tij në sfidën e lirisë së brendshme të komponimit piktural, që nuk ka më para vetës asnjë narativ dhe reprezentim të jashtëm. Imazhet që krijon janë lojë dhe refleks i disponimeve të brendshme, ku kryesisht shfaqet harmonia dhe disharmonia në konditat e një pajtim eternal me fatalitetin e eksperiencës individuale që është e lirë, por e fragmentuar.

(Kosova Sot)