Dibrani: Mbi drejtësinë është krijuar një mjegullnajë

  • 26 September 2016 - 13:51
 Dibrani: Mbi drejtësinë është krijuar një mjegullnajë

Analisti Shefqet Dibrani në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se Kosova ka mundësi reale për të dalë nga kriza e thellë, e cila e ka kapluar jo vetëm në rrafshin e drejtësisë, por në të gjitha drejtimet, por mbetet enigmë dhe pikëpyetje nëse e ka një vullnet të tillë për të dalë nga kriza.

Sipas Dibranit, oligarkët janë në gjendje ta shtyjnë vendin drejt anarkisë, drejt kaosit dhe drejt luftës civile, ngase, siç tha, ata kështu mendojnë se do t'i shmangen gjykimit të pjesërishëm ose të tërësishëm.

"Shpresat janë më të vogla, prandaj mundësitë nuk duken në horizont, pasi fillimisht duhet vullnet dhe vendosmëri, për t'ia shtuar shpresat këtij populli se Kosova nuk ka përfunduar. Jo vetëm nga brezi i ri, por Kosova ka një garniturë prokurorësh dhe gjyqtarësh, të cilët nuk janë të involvuar deri në atë shkallë sa të mos e kenë të drejtën morale për ta ushtruar detyrën e tyre profesionale. Por, mbi drejtësinë është krijuar një mjegullnajë, ndërsa kualifikimet e përgjithshme e pengojnë vullnetin e mirë për të lëvizur në këtë plan. Gjithsesi e tashmja kaq e rënduar dhe ardhmëria e drejtësisë në Kosovë duhet të shikohet nga një brez i ri, i cili nuk i ka hipotekat e sistemit të kaluar dhe as nuk janë të shantazhuar nga e tashmja mbytëse dhe pa perspektivë", ka vijuar më tej ai.

Ai ka thënë se nuk e di se sa janë të interesuar vendet mike për të bërë reforma, për të dhënë instruksione dhe për ta përgatitur një brez tjetër që do ta kthente drejtësinë në binarë dhe do të jepte shpresën se këtu do të bëhet mirë.

"E nëse sot fillohet me reforma, rezultati i kësaj përpjekjeje do të shihet pas dy vitesh e nëse ne nuk fillojmë diku sot, të mos presim as pas katër vitesh se do të bëhet mirë. Prandaj shtresa intelektuale, njerëzit e ndërgjegjshëm nuk duhet të presin se mrekullia vjen nga Zoti dhe nga Amerika", ka shtuar ai.

Ndërsa sa u përket heronjve të drejtësisë, Dibrani thotë se ata janë në mesin tonë, por vetëm se ata duhet inkurajuar për t'u flijuar për të marrë përgjegjësinë për një proces i cili duhet të ndodhë.

"Ne kemi dy-tre raste të heronjve, por ata ose u mbyten nga injoranca ose u injoruan, por intelektuali kurrë nuk duhet të dorëzohet, nga hipokrizia dhe hipokritët që e rrethojnë atë dhe shoqërinë. Dikush duhet ta marrë primatin e heroit të drejtësisë në Kosovë", është shprehur Dibrani.

(Kosova Sot)