Bizneset i mbajnë me ekskursionet e maturantëve

  • 26 September 2016 - 20:17
Bizneset i mbajnë me ekskursionet e maturantëve

Transporti i nxënësve për ekskursionin në Shqipëri dhe akomodimin atje po përcillet me parregullsi në shumë shkolla te Kosovës. Ankesa ka pasur së fundmi edhe për tenderin e udhëtimit të maturantëve të Gjimnazit “Jeta e Re” në Therandë. Edhe pse ende nuk është bërë përzgjedhja e kompanisë fituese, disa nga operatorët që kanë konkurruar dyshojnë se procesi ka qenë i manipuluar,shkruan gazeta Kosova Sot.

Pronarët e agjencive “Sharr Travel” dhe “Dardania” ankohen në procedurat e deritashme të procesit për kontraktimin e agjencisë përfituese për këtë vit. Ruzhdi Kurtishaj, pronar i agjencisë “Sharr Travel”, dhe Hajdin Jashari, pronar i agjencisë turistike “Dardania”, ankohen për faktin se ka anomali në procedura, pasi ftesa publike për aplikim ishte deri më 24 shtator, derisa ekskursionet duhet të bëhen nga data 24 shtator deri më 8 tetor. Sipas procesverbalit për ofertat e ekskursionit me numër 2/2016, njoftohet se kanë konkurruar agjencia “Shpejtimi” me 89 euro, për qëndrim në hotel “Bonita”, agjencia “Sharr travel” për qëndrim në hotel “AS Harmonia” me 80 euro dhe NTT “Dardania” për hotel “Bonita” me çmim prej 85 euro.

Dyshimet për kurdisje

Por, pronarët thonë se ka disa hile në krejt këtë proces. Kurtishaj shprehet se ata kanë kontaktuar me hotelin dhe është konfirmuar për datat e lira se nga 3 tetor deri më 8 tetor ka mundësi strehimi. Ai pohon se e kanë sjellë të gjithë dokumentacionin, por gjërat kanë ndryshuar dhe pohon se pastaj Këshilli i kësaj shkolle në kundërshtim me Urdhëresën administrative kanë formuar një komision prej profesorëve dhe nxënësve dhe kanë vizituar hotel “Bonita” dhe kanë shtyrë datën e qëndrimit nga data 10 tetor 2016, gjë që është në kundërshtim me Urdhëresën administrative. Pronarët e dy kompanive mendojnë se krejt kjo është kurdisje. Kurtishaj shprehet se agjencia e tyre janë kompani me renome me linja ndërkombëtare dhe ka 20 autobusë dhe 40 të punësuar, derisa agjencia “Dardania” ka linjën ndërkombëtare Kosovë- Slloveni- Itali dhe anasjelltas.

Drejtuesit e shkollës thonë se fituesi caktohet të hënën

Për këtë ne u munduam të marrim në telefon edhe kryetarin e Komunës së Therandës, Sali Asllani, por kontakti me të ishte i pamundur. Kurse drejtoresha e gjimnazit “Jeta e Re” në Therandë, Lira Mala, pohon se procesi nuk ka përfunduar ende dhe nuk duhet paragjykuar fituesin. “Ne do të shohim të hënën se kush do t’i plotësojë kushtet”, ka thënë Mala. Ndërsa kryetari i këshillit të shkollës, Shefket Kolgeci, po ashtu tha se ofertat do të hapen të hënën, kur edhe pritet të përcaktohet fituesi. Nga ana tjetër zëvendësdrejtori i shkollës përgjegjës për ekskursion nuk deshi të deklarohet për ankesat, me arsyetimin se pas orarit të punës nuk përgjigjet për çështje organizative të shkollës.

Por, pronarët e këtyre dy agjencive nuk pajtohen me gjithë rrjedhën e konkursit, duke theksuar se kjo është një kurdisje. “Si viteve të tjera edhe këtë vit, kjo po ndodh, sepse duan t’ia japin të preferuarit të tyre edhe pse është më i shtrenjti”, thonë ata. Kurtishaj dhe Jashari shprehen se komisioni i shkollës ka shkuar në mënyrë antiligjore në vizita. “Ne duhet t’i besojmë shtetit shqiptar e ministrisë për të gjitha, kualitetin ushqimor sigurinë e tjera, të cilat dokumente edhe dorëzohen pasi që merren nga shteti shqiptar. Kurse udhëzimi administrativ thotë se KDSH-ja përcakton itinerarin, datat e organizmit 5 pansione ndërmjet datës 20 shtator deri më 8 tetor. Gjimnazi mendoj se këtu po bën shkelje të Urdhëresës administrative”, pohon Kurtishaj. Sipas tij, shkolla ka dështuar të kontraktojë me kohë operatorët ekonomikë, dhe përgjegjësit e këtij ekskursioni janë treguar të papërgjegjshëm. Po ashtu, sipas tij, edhe plani i shkollës shkel udhëzimin, për faktin se janë planifikuar gjashtë ditë ekskursion në vend të pesë, sa parashihet për gjithë maturantët.

(Kosova Sot)