Rama: Nuk na duhet biletë për Bruksel, Europën duhet ta ndërtojmë në Shqipëri

  • 27 September 2016 - 12:25
Rama: Nuk na duhet biletë për Bruksel, Europën duhet ta ndërtojmë në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë pjesë sot në Forumin Ekonomik Shqiptaro­-Gjerman.

Rama ka theksuar nevojën e bashkëpunimit me Dhomën Gjermane të Tregtisë dhe ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë vendit tonë.

Kreu i Qeverisë tha se falë modelit gjerman të arsimit profesional, një numër i madh të rinjsh kanë mundësinë të marrin një zanat.

“Është ndriçues shembulli gjerman që përmes reformës tonë në arsim e kemi adoptuar për arsimin profesional. Kemi parë në dy vitet e fundit një shumëfishim spektakolar të të rinjve që preferojnë arsim profesional, një lloj arsimi që më parë refuzohej kategorikisht nga të rinjtë shqiptarë. Kjo ka sjellë rritjen e punësimit pasi mjafton të trokasësh në biznese për të kuptuar se ka vende të lira pune. Sa më shumë fokusohemi te zanatet, aq më shumë krijojmë mundësi punësimi”, tha ai.

Sipas kreut të qeverisë, përpjekjet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Europës nuk janë mbështetur nga reformat e duhura gjatë viteve të mëparshme.

“Për shumë kohë në të shkuarën, përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE janë karakterizuar nga dëshira për të arritur diku, por pa dashur të bësh sakrifica. Periudha pararendëse është karakterizuar nga ambicie e madhe, por e pambështetur nga reformat e duhura. Për të qenë anëtarë të BE­së nuk kërkohet biletë për Bruksel, por një përpjekje e madhe për të ndërtuar Europën këtu”, tha ai.

(Kosova Sot)