Adoleshenti vret babain, plagos 2 nxënës dhe 1 mësuese

  • 29 September 2016 - 15:07
Adoleshenti vret babain, plagos 2 nxënës dhe 1 mësuese

Një adoleshent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vrarë të atin e tij dhe ka plagosur 3 persona në një shkollë në afërsi të shtëpisë së tij.

Policia ka arrestuar të riun, por nuk ka bërë publik identitetin apo motivet e tij. Ky incident është i radhës në një valë sulmesh të armatosura që kanë tronditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë javës së fundit.   

Një adoleshent në Karolinën Jugore ka vrarë të atin e tij dhe më pas ka hapur zjarr në një shkollë fillore në vend, duke plagosur dy nxënës dhe një mësuese. Policia ka bërë të mundur arrestimin e tij, teksa ka shtuar se nuk ka prova se ky sulm është i lidhur me terrorizmin apo racizmin.   

I dyshuari ende nuk është identifikuar, ndërkohë që policia ka deklaruar se ai fillimisht ka vrarë të atin 47-vjeçar, në shtëpinë e tyre. Më pas, adoleshenti i është drejtuar shkollës Townville Elementary, rreth orës 13:00 me orën lokale.   Skuadra të SWAT kërkuan shkollën dhe konfirmuan se nuk kishte më kërcënime ndaj 300 nxënësve që frekuentojnë këtë institucion. 

Të tjera shkolla në afërsi vendosën kodin e verdhë, duke paralajmëruar se mësimi mund të vazhdonte, por nuk lejohej hyrja e askujt në godinë. Nxënësit e Townville Elementary u evakuuan në një kishë në afërsi, ku u bashkuan me prindërit e tyre. 

Të tilla episode të armatosura po trondisin gjithnjë e më shumë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm gjatë javës së fundit janë shënuar tre incidente të tilla, nga të cilat në total janë vrarë 5 persona, ndërkohë që janë plagosur mbi 10 të tjerë.

(Kosova Sot)