Në Llashticë ruhen tumat ilire të epokës së hekurit

  • 29 September 2016 - 19:45
Në Llashticë ruhen tumat ilire të epokës së hekurit

Në asnjërën prej tumulave nuk janë gjetur skelete, as edhe gjurmë djegiesh

Nekropoli tumular ndodhet në arat e fshatit, në anën e djathtë të rrugës Gjilan - Llashticë, dhe është zbuluar në vitin 1979

Tumat janë monumente mbivarrore, karakteristike për kulturën dardane, përkatësisht ilire. Në to zakonisht është varrosur paria fisnore. Përgjithësisht tumat hasen në grupe, ose edhe të vetmuara. Në Kosovë, për herë të parë, shfaqen në periudhën e bronzit të hershëm. Por, përdorim më të gjerë tumat gjejnë gjatë epokës së hekurit, të cilës epokë i takon edhe nekropoli tumular i Llashticës. Arton Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjilan (QRTK), thotë se Nekropoli ndodhet në arat e fshatit, në anën e djathtë të rrugës Gjilan - Llashticë. Nekropoli është zbuluar pas një ekspedite përnjohëse arkeologjike që kishte organizuar Muzeu i Kosovës, në vitin 1979. Në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore thonë se në atë areal janë evidentuar 7 tumula, prej tyre 5 janë hulumtuar. "Tumat e Llashticës janë me përmasa të ndryshme, shkruan gazeta Kosova Sot.

Sipas materialit ndërtimor, tumat mund të jenë vetëm prej dheu, tuma prej dheu me mbulesë gurësh, pa unazë të jashtme, tuma prej dheu, me mbulesë gurësh dhe me unazë të jashtme prej guri ose pllakash guri. Tumulat e Llashticës i përkasin tipit të tretë, pra tumave të ndërtuara prej dheu, me mbulesë gurësh, si dhe me unazë të jashtme prej guri ose pllakash guri. Konstruksioni qendror prej guri, ndryshe i njohur si murana e tumës paraqet nismën e ndërtimit të tumës, ndërsa unaza përcakton kufirin e tumës brenda së cilës është bërë varrimi. Në nekropolin e Llashticës, në asnjërën prej tumulave nuk janë gjetur skelete, as edhe gjurmë djegiesh. Është kjo arsyeja që arkeologët të konsiderojnë me të drejtë se tumulat e tilla janë kenotafe. Tumat e tilla zakonisht u përkushtohen luftë- tarëve të rënë larg vendlindjes. Një dukuri e këtillë është e njohur në shumë nekropole ilire. Prandaj, mbeten të rëndësishme gjetjet arkeologjike të cilat i përkasin parahistorisë", ka thënë Hoxha. Sipas tij, gjetjet e tilla kanë qenë të vendosura në konstruktin prej guri, por gjithsesi që na është bërë me dije se në tumulën ka pasur gjetje parahistorike edhe jashtë varreve. Shtresa që ka të bëjë me parahistorinë është e para (e poshtmja), ndërsa shtresa e dytë (e sipërmja) ka të bëjë me mesjetën, për të përfunduar se tumula I dhe II, për aq sa ka informacione kanë gjithsej dy shtresa kulturore. 

Fibulat prej bronzi 

Gjetjet në tumën e parë, në konstruk tin prej guri, janë: dy fibula bronzi, rruaza bronzi dhe një enë balte dyvegjake. Nga dy fibulat, ajo më e madhja (për lartësinë e harkut dhe diametrit të diskut) ka trup të harkuar e të përdredhur, ndërsa ajo më e vogla ka trup të harkuar e të zbukuruar me rruaza bikonike. Gjetja tjetër, rruaza e bronzit, ka trup bikonik me vrimë në mes. Ndërsa, ena dyvegjake ka trup konik me fund të sheshtë. Supet e enës janë të zbukuruara me trekëndësha të incizuar, të vendosur në mënyrë të vargëzuar. Pastaj fusha e trekëndëshave të parë është shkruar përbrenda me trekëndësha më të vegjël. Me motivin e trekëndëshave në linjë janë stilizuar edhe disa enë që janë gjetur jashtë varreve. Përpos tumulave të Llashticës, që i përkasin epokës së hekurit, në Anamoravë janë të njohura edhe disa lokalitete të tjera të kësaj periudhe, si Cernica, Pidiqi, Tuma e Pogragjës, Kalaja e Kamenicës, Kodërvarret ilire në Zajçec, Fusha e Madhe dhe Tuma në Sadovinë të Jerlive, Gradina e Kishnapoles, vendbanimi rrafshinor i periudhës së hekurit, që gjendet rreth 1.5 km në veri të tumulave të Llashticës etj. Disa nga gjetjet arkeologjike në Llashticë kanë ngjashmëri me gjetje të nekropoleve tjera, brenda dhe jashtë Kosovës. Si të tilla, ato shpërfaqin kulturën e përbashkët protodardane, ose ndikimet e mundshme nga rajonet përkatëse. Ndër gjetjet më të rëndësishme, është fibula gjyslikore pa motivin e tetës, gjithashtu e gjetur edhe në Shirokë. Këto fibula janë të përhapura në tërë zonën. 

Byzylykët dhe urna me figura zogjsh 

Fibula me hark të përdredhur kronologjikisht është më e vonshme se fibula me këmbë në formë të mburojës beotike, e përhapur në tërë Ballkanin Qendror. Sipas arkeologëve kosovarë, ndoshta një formë të veçantë në këtë zonë paraqesin fibulat me hark të përdredhur dhe këmbë rrethore, të gjetura edhe në Llashticë. Torkvesi me skaje në formë të T-së është gjetur në Llashticë, ndërsa në Shirokë dhe Janjevë torkvesi me skaje të lakuara. Të rëndësishëm janë edhe byzylykët, objektet në formë boshtesh me disqe anash dhe në mes, urna si dhe objekte kulti me figura të zogjve, të punuara nga bronzi. Studimet arkeologjike, sidomos rezultatet nga gërmimi i tumulave të Llashticës kanë dëshmuar se grupi kulturor "Glasinac-Mat", më saktë varianti i tij i njohur me emrin Drilon, është shtrirë edhe në Rrafshin e Kosovës, përpos në Rrafshin e Dukagjinit. Ky grup i veçantë historikisht është formuar në hapësirat e sotme të Kosovës, Maqedonisë veriore, Shqipërisë verilindore dhe Serbisë jugore. Këtë përcaktim të njëjtë kulturor e shohim në unitetin e tipareve kryesore të kulturës së tyre, si në ritin e njëjtë të varrimit tumular, në identitetin e formave dhe te dekorit të poçerisë, në ngjashmërinë e disa formave të objekteve metalike etj. Në këtë kontekst, ndryshimet që mund të vihen re midis elementeve sekondare e terciare të kulturës së këtyre dy zonave në epokën e hekurit, nuk duhen konsideruar si ndryshime të karakterit etnik, siç është menduar në ndonjë rast me parë, por si shfaqje të diversitetit të disa formave kulturore të tyre, të kushtëzuara nga pozicioni gjeografik, raportet e diferencuara kulturore me rajonet fqinje, si dhe me ndryshime të natyrës thjesht kronologjike të subjekteve të krahasuara.

(Kosova Sot)