Të gjithë kundër plehrave në Shqipëri, sot protesta qytetare!

  • 01 October 2016 - 08:52
Të gjithë kundër plehrave në Shqipëri, sot protesta qytetare!

Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka ftuar të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e protestës së planifikuar paraditen e sotme lidhur me ligjin e importit të mbetjeve.

Në një prononcim për mediat, përfaqësues të AKIP-it ftoi të gjithë ata që janë kundër importit të mbetjeve në Shqipëri të bëhen pjesë e manifestimit që nis sot në orën 11:00.

Sot në orën 11:00, nga Monumenti i Pavarësisë nis një protestë qytetare, e cila do të vijojë drejt Kryeministrisë. Qëllimi i kësaj proteste do të jetë situata e rëndë në të cilën ndodhet shtëpia jonë e përbashkët, Shqipëria.

Ne do të kundërshtojmë ligjin për importin e mbetjeve. Jemi të hapur për të gjithë ata që e ndiejnë shqetësimin e situatës së rëndë ekologjike në vendin tonë, thonë përfaqësuesit e AKIP.

Ky bashkim organizatash ka bërë thirrje që presidenti të mos dekretojë ligjin e kaluar nga Kuvendi me 63  vota pro. Protesta është e hapur për të gjithë ata që e ndiejnë se kanë të drejtën e fjalës. Është një protestë për të drejtën e jetës dhe shëndetit, thanë përfaqësuesit e AKIP-it.

(Kosova Sot)