Mësimi në shkollën prej druri

  • 01 October 2016 - 16:17
Mësimi në shkollën prej druri

BANORËT PO E BRAKTISIN FSHATIN, NË MUNGESË TË NJË OBJEKTI TË RI SHKOLLOR PËR FËMIJËT E TYRE

Nxënësit filloristë të ciklit të ulët, të fshatit Karaqë të Komunës së Vushtrrisë, po i zhvillojnë mësimet në shkollën nga druri. Sipas banorëve, kërkesa për ndërtimin e një objekti të ri nuk kanë munguar asnjëherë

Nxënësit detyrohen të udhëtojnë për në qytetin e Vushtrrisë 

Banorët dhe nxënësit e fshatit Karaqë të komunës së Vushtrrisë janë ankuar për diskriminimin që po u bëhet filloristëve të këtij fshati. Për më shumë ata kanë njoftuar për kushtet në të cilat mësojnë fëmijët e tyre deri në klasën e katërt, në një shkollë pothuajse pa kurrfarë kushtesh dhe të improvizuar, shkruan gazeta Kosova Sot.

Për më keq këta nxënës detyrohen të udhëtojnë me kilometra për të vazhduar shkollimin nga klasa e pestë në Vushtrri, për shkak se shkolla aktuale "Anton Zako Qajupi" në këtë fshat mundë- son shkollimin vetëm për ciklin e ulët të shkollimit fillor. Njëri nga nxënësit, i cili është detyruar të vazhdojë shkollimin në Vushtrri, është edhe Adhurim Feka, nxënës në klasën e nëntë."Mendoj se nuk është një punë e lehtë të udhëtosh si fëmijë për çdo ditë, flas për mosha më të vogla, pasi edhe unë e kam përjetuar këtë gjë. Por, që çka t'i bëjmë, duhet të vazhdojmë shkollimin", është shprehur ai për gazetën "Kosova Sot".

Disa kilometra këmbë deri në shkollë

Sipas tij, disa herë i është bërë e ditur Komunës për problemin e shkollës, por që deri më tani nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim."Tani, kur koha është e mirë, e kemi më lehtë të udhëtojmë, por sigurisht se gjatë dimrit shtohen edhe rreziqet dhe vështirësohet udhëtimi", ka pohuar Adhurimi, duke kërkuar që në fshatin e tyre të ndërtohet një objekt i ri shkollor, që në të ardhmen shkollarët pas tij mos të kenë problem shkollimin. Ndërsa, edhe nxënësi tjetër, Lirim Feka, është ankuar për mungesën e një shkolle, e cila do t'i plotësonte kushtet për t'u zhvilluar mësimi. Ai ka pohuar se e kanë të vështirë udhëtimin pothuajse të gjithë nxënësit."Kur është ftohtë, sidomos, e kanë të vështirë nxënësit e klasës së gjashtë, të cilët duhet të kalojnë disa kilometra për në shkollë. Edhe ky nxënës ka kërkuar që të bëhet një zgjidhje për shkollarët e këtij fshati, në mënyrë që edhe të tjerët mos t'i bartin pasojat. Ndryshe, edhe i moshuari në këtë fshat, Mehmet Feka, ka pohuar se është më se i nevojshëm ndërtimi i një objekti të ri shkollor në këtë fshat."Mendoj se nevojitet të ndërtohet një objekt i ri shkollor, ku nxënësit do të vazhdonin shkollimin. Tani është kohë ndryshe dhe duhet plotësuar nevojat për të rinjtë. Është për keqardhje që nxënësit të mësojnë në këtë shkollë dhe të udhëtojnë me kilometra për të vazhduar shkollimin", është shprehur ky i moshuar. Një mendim të ngjashëm e ka shprehur edhe Fek Feka, një banor tjetër i fshatit. Ky i fundit ka pohuar se tashmë është kërkuar që të ndërtohet një shkollë e re, por që deri më tani kjo nuk po ndodh."Jemi në pritje, nuk jemi në njohuri se do të ndërtohet apo jo", është shprehur ndër të tjera ai. 

I braktisur pas lufte 

Por, si do që të jetë, shkolla fillore në këtë fshat, "Anton Zako Çajupi", shihej se kishte një objekt të papërshtatshëm për të zhvilluar mësimin aty. Vetë pamja e jashtme e këtij objekti, i ndërtuar nga druri, në pamje të parë më shumë linte të kuptonte për çfarëdo objekti tjetër për nevoja të përkohshme, por jo të një objekti arsimor. Sigurisht se ky problem do të zbutej pak sikur objekti të ndërtohej, sepse do të ofronte mundësi shkollimi për nxënësit e këtij fshati deri në përfundim të shkollimit fillor. Por, mundësitë për t'u shkolluar të rinjtë e këtij fshati ishin vetëm, derisa mësuesi apo mësuesja t'u thotë lamtumirën. Në anën tjetër, si pasojë e një realiteti të tillë, sipas banorëve aty, fshati është braktisur pas lufte. Tani, sipas Mehmet Fekës, ky fshat numëron rreth 30 shtëpi."Fshati është braktisur pas lufte, është edhe shkollimi shkaku që banorët po e braktisin vendin, në mënyrë që për fëmijët e tyre të kenë kushte më të mira për shkollim", ka theksuar ky bashkëbisedues. Përndryshe, gazeta përmes postes elektronike ka kërkuar edhe një përgjigjeje nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, por gjatë së premtes nuk kemi arritur të marrim përgjigje.

(Kosova Sot) 
 

Image
Image
Image
Image