Komuna e Pejës e humb betejën me 'të fortët" e ndërtimeve

  • 20 October 2016 - 20:35
Komuna e Pejës e humb betejën me 'të fortët

Nuk kryejnë punë as gjobat.

Opozita në Pejë ka akuzuar inspektorët komunalë se përmes sekserëve po marrin ryshfete në shuma, që shkojnë deri 10 mijë euro,raporton Gazeta Kosova Sot

Peja nuk bën përjashtime nga qytetet e tjera të Kosovës sa u përket ndërtimeve të objekteve për banim kolektiv, të cilat nuk i respektojnë në tërësi lejet e ndërtimit. Por, kohëve të fundit në këtë komunë ndërtuesit e mëdhenj janë shumë më këmbëngulës dhe më agresivë në mosrespektimin e lejeve të ndërtimit. Demë Dashi, drejtor i Shërbimit të inspeksioneve në Komunën e Pejës, thotë se që një kohë të gjatë prejse ka ardhur në këtë detyrë ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të parandalojë ndërtimet e egra, të cilat nuk janë ndërtuar më leje ndërtimi apo në prona komunale. Sa i përket ndërtimit individual, kryeinspektori Dashi thotë se ndërtimet e tillë janë sjellë në shkallën më të ulet të mundshme në zonën urbane, por halli qëndron të ndërtuesit e objekteve të banimit kolektiv, apo siç ai quan ndërtuesit industrialë, të cilët janë në një ofensivë të madhe, ngase ky biznes po u sjell përfitime të mëdha. "Disa nga ta janë aq të fuqishëm, saqë beteja jonë me ta po e humb kuptimin", thotë kryeinspektori Dashi. Problemet më të mëdha që ata i sjelljen janë ngase nuk respektojnë ligjin, i cili kërkon që trualli të shfrytëzohet 40% për objekt dhe pjesa e tjetër për gjelbërim, parkingje, kënde për lojëra të fëmijëve etj. "Duhet të bëhemi të sinqertë së pari me veten e më pas me të tjerët, se këtë më askush nuk e respekton, posaçërisht në zonën A, pra në qendër të qytetit. Problem tjetër që inspeksioni ballafaqohet kohëve të fundit është tejkalimi i etazhitetit, ku ndërtuesit nuk respektojnë lejen, e cila u lëshohet vetëm për katër plus një kat, sipas planeve urbanistike që janë në fuqi. Ata po kërkojnë që t'u lejohen edhe kate të tjera ashtu si në disa qytete të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Gjakovë e gjetiu ku ngritën me leje objekte 10 e 12 katëshe. Këta ndërtues po na e përsërisin frazën 'edhe ne jemi Kosovë' dhe kërkojnë korrigjim të planit urbanistik më të cilin do t'u lejohet etazhitet me i lartë se deri më tani", na thotë Dashi.

Kallëzime penale ndaj shkelësve të ligjit Drejtori Demë Dashi në përpjekje për të parandaluar veprimet e tilla thotë se deri më tani ka pasur më shumë se 80 raste të intervenimit të inspeksionit në parandalimin e ndërtimeve pa leje, ku ka pasur edhe rrënime të kateve ku nuk është respektuar leja e ndërtimit. Sa i përket etazhitetit, inspeksioni ka bërë 40 kallëzime penale në Gjykatën Themelorë, si edhe 60 kallëzime për kundërvajtje. Dashi e pranon se ka shumë sfida në këtë punë që ai bën, pasi ka shumë kërcënime dhe fizike nga ndërtues të fuqishëm, si dhe faktin se mungon edhe mbështetje plotë e të gjitha segmenteve të shoqërisë dhe institucioneve tona për të parandaluar "të fuqishmit" e këtij biznesi shumë fitimprurës. Ai i ka thënë gazetës se ka pasur dënime deri në 15 mijë euro nga Gjykata për disa nga ata që nuk kanë respektuar ligjin dhe po ashtu priten edhe vendime të tjera nga Gjykata për të tjerët lëndët e të cilave duhet te jenë në shqyrtim. "Ne si komunë nuk kemi as para e as mundësi që të rrënojmë nga disa kate të ndërtuara pa leje ndërtimi dhe për to do të vendos Gjykata", pohon kryeinspektori Demë Dashi.

Ndërtime të egra edhe në zonën turistike të Rugovës Sipas kryeinspektorit Demë Dashi, një betejë e humbur jo vetëm nga ta, por edhe nga Ministria e Ambientit dhe Drejtoria e Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna po ndodhë edhe në fshatrat e Rugovës, ku kanë marrë hov ndërtimet e egra. Ndryshe dega e AAK-së në Pejë ka akuzuar pushtetin lokal për rritjen e numrit të objekteve të ndërtuara pa leje dhe tejkalimin e etazhitetit. Zëdhënësi Albert Haxhija ka thënë se qytetarët duan të ndalet ky degradim i qytetit. Haxhija shprehet se në zonën e parë po ngritën ilegalisht katet e sipërme të ndërtesave pa i penguar askush. "Kemi si shembull: objektin përballë QKMF-së, objektin në udhëkryq afër shkollës fillore 'Lidhja e Prizrenit', objektin te Fakulteti i Biznesit, objektin në afërsi të Shtëpisë së Kulturës, si dhe objekte të ndërtuara edhe vite më parë në këtë zonë", ka thënë Haxhija. Sipas AAK-së, inspektorët vetëm po shfrytëzohen si "masha", duke i ndaluar fillimisht ndërtimet, kurse më pas zyrtarët e lartë të Komunës përmes sekserëve merren vesh me ndërtuesit për shumën që thuhet se është 10 mijë euro për një kat. "Kështu për më shumë se 3 muaj këto objekte janë rrethuar me mbështjellës deri sa ka zgjatur koha e "marrëveshjes" me pronar, ndërsa që tani pas arritjes siç duket të marrëveshjeve po lejohen të vazhdojnë punimet në këto objekte", ka thënë Haxhija. Për objektet e përmendura, kryeinspektori Demë Dashi thotë se që të gjitha kanë leje ndërtimi, por disa nga pronarët e tyre kanë tentuar të ngrisin kate pa leje. Konkretisht Demë Dashi përmend objektin te Fakulteti i Biznesit, ku është parandaluar ngritja edhe e një kati, dhe pronari është dënuar nga Gjykata me 15 mijë euro. "Ai personalisht është kërcënuar nga pronarët edhe fizikisht, dhe se edhe për këtë e ka denoncuar atë në Gjykatë, por si duket të gjitha këto nuk po e ndalin atë që të vazhdojë punën në katin pa leje", ka thënë Dashi.

(Kosova Sot)