Në shpellën ‘Gryka e Madhe’ fshihen liqene të mëdha nëntokësore

  • 23 October 2016 - 18:25
Në shpellën ‘Gryka e Madhe’ fshihen liqene të mëdha nëntokësore

MREKULLI QË VETËM ZOTI DI TË KRIJOJË

Kjo shpellë ende nuk është e hapur për vizitorët, edhe pse ka dekada që është zbuluar

"Shpella 'Gryka e Madhe' e ka edhe një karakteristikë, që llogaritet ta ketë një masiv me liqene në diametër rrethor prej 52 km", thotë Fatos Kartallozi, përfaqësues i Klubit të Speleologëve "Aragonit" nga Peja

Masivi i bjeshkëve të Alpeve Shqiptare, që shton bukurinë e qytetit të Pejës, përpos bukurive të rralla që ka në sipërfaqe me kanionet mahnitëse, kullosat e shumta dhe peizazhet e mrekullueshme dhe shtigjet atraktive, në thellësitë e këtyre shkëmbinjve fshihen edhe shumë shpella. Këto shpella po mahnitin eksploruesit e tyre nga Evropa. Një prej tyre është edhe shpella e njohur si "Gryka e Madhe", që cilësohet si një ndër shpellat më të thella në gjithë Evropën, shkruan gazeta Kosova Sot.

Deri më tani është arritur të eksplorohen 13.2 km

Në komunën e Pejës janë dy shpella, që konsiderohen ndër më të mëdhatë në nivel vendi dhe regjioni, Shpella 'Gryka e Madhe' në Rugovë dhe Shpella e Radavcit. Duke e ditur rëndësinë dhe vlerat e mëdha që kanë për vizitor, tani e sa vite Klubi i speleologëve "Aragonit" nga Peja po merret me eksplorimin e këtyre shpellave të cilëve u kanë ardhur në ndihmë dhe ekipe ekspertësh nga Sllovakia, të cilën merren me digjitalizimin e të dhë- nave pas eksplorimit dhe hulumtimit, si edhe zhytësit nga Polonia Sipas përfaqësuesve të klubit të speleologëve të huaj dhe atyre pejan, deri më tani është arritur të eksplorohen 13.2 km në shpellën 'Gryka e Madhe' në Rugovë dhe në kuadër të kësaj gjenden disa liqene me thellësi të ujit deri ne 45 metra dhe me disa sifone, por e veçanta e kësaj shpelle janë edhe lartësitë e mëdha. "Shpella 'Gryka e Madhe' e ka edhe një karakteristikë që llogaritet ta ketë një masiv me liqene në diametër rrethor prej 52 km", thotë Fatos Kartallozi, përfaqësues i Klubit të Speleologëve "Aragonit" nga Peja.

U zbulua rastësisht nga turistët sllovakë

Hyrja në shpellën 'Gryka e Madhe' është lokalizuar në maj të vitit 1992, nga pesë speleologë sllovakë, të cilët ishin në kalim e sipër nëpër Grykën e Rugovës, në rrugë për në Maqedoni, edhe pse kjo shpellë ka qenë e njohur nga banorët lokalë që prej kohësh. 'Gryka e Madhe' gjendet në anën e majtë të kanionit, 50-60 metra përmbi lum, në thembrën e një shkëmbi të befasishëm e gjigant, i cili ka një lartësi prej rreth 350 metra. Rrjedha nga burimi i ujit ka një shpejtësi prej 600 l/s, por 5 metra nga ky burim është gjetur një korridor serioz, në të cilin pas 100 metra hulumtuesit hasën në një liqen, i cili thellohej. Në verën e po të njëjtit vit dyshja J. Smoll dhe J. Vajs, së bashku me bashkëshortet e tyre, kaluan nëpër të njëjtin korridor, por këtë herë ishte i thatë. Tre vjet më vonë ndodhi befasia, më 29 tetor 1995, një grup prej katër speleologësh, pas një pune pesorëshe në heqjen e gurëve prej burimit të poshtëm të ujit, i cili këtë herë ishte i thatë, arritën që të futeshin në pjesën e poshtme të shpellës ku hasen në një lumë të brendshëm dhe në një sifon. Në shkurt të vitit 1996 u ndërmor një ekspeditë serioze dhe e rregullt, në të cilën arritën që të bëjnë matjet e kësaj shpelle, dhe disa ngjitje të larta. Një grup prej 12-speleologësh arritën që ta kalojnë gjysmë-sifonin, dhe hynë në një korridor-oval, me një labirint dy nivelesh, por i dekoruar për mrekulli, ku në një distancë direkte ishin 700 metra në brendi të shkëmbit, ku edhe supozohet se ishte fundi i shpellës, pranë disa sifoneve me ngjyrë të gjelbër dhe mjaft të bukur. Pas luftës në Kosovë, saktësisht gjatë gushtit të vitit 2002, një grup i speleologëve nga speleo-klubi "Orobico", nga Bergamo e Italisë, erdhën në qytetin tonë, aty morën pjesë speleologë nga mbarë Kosova, përkatësisht nga çdo qytet ishin nga dy kandidatë. Gjatë këtij eksplorimi, u hulumtuan edhe disa shpella si ajo e Radavcit, Gryka e Madhe, dhe disa të tjera më të vogla, kryesisht në Grykën e Rugovës, por edhe lart në Bjeshkët e Nemuna. "Eksplorimet e kësaj shpelle vazhdojnë", pohojnë speleologët pejanë nga shoqata e tyre 'Aragonit'.

Morfologjia dhe gjeneza e shpellës

Kjo shpellë është një sistem kompleks, tipik, dhe një shembull i një zone freatike, e cila me kalimin e kohës është në ulje e sipër. Kalimet e shpellës janë në pjesën më të madhe të ashtuquajtur paleosifone, në formë të gjurit, me një lartësi 20-30 m. Këto korridore kanë profil oval, por më shume eliptik, janë më homogjen, dhe të dimensioneve më të mëdha sesa ato korridore të pjesës së poshtme të shpellës, të cilat kane karakter të një kanioni të vazhdueshëm nëntokësor, me mure mjaft të larta. Një pjesë e veçantë dhe unike e shpellës është edhe i ashtuquajturiTobogani, një sifon i pjerrët origjinal-freatik, ku me zbritjen e rrjedhës se ujit, e cila rrjedhe kalonte nëpër disa shkallë të shkëmbinjve, me kohë janë krijuar ngushtica të mrekullueshme, të pjerrëta, dhe të lëmuara, të gjera deri në 1 metër, dhe të thella deri në 2-metra. Një fakt i çuditshëm në këtë shpellë është se derisa në pjesën e parë apo frontale mungojnë dekorimet (përveç të koraleve të formuara nga rrymimi i ajrit) në hyrje të shpellës, pjesa tjetër pas gjysmë- sifonit, është për mrekulli i dekoruar, ndoshta me të gjitha llojet e mundshme të speleo-dekorimeve apo speleo-temave. Këtu ka shtylla të mëdha dhe të larta, deri në disa metra të gjatë shkopinj të sodës, stalaktite dhe perde të gjata apo drapri, stalagmite të grumbulluara, penda të vogla nga shkëmbinjtë, liqene me kristale dhe margaritarë nga kalciti. Një gjë tjetër e papërshkrueshme janë edhe govatat me ujë të mbuluara me kristale të kalcitit dhe grupe të gjera të kristaleve. Po ashtu është interesant edhe rëra e ngurtësuar në një formë dhe madhësi të topave, lart mbi nivelin e ashtuquajtur Harku i Ylberit. Në kalimet hyrëse të ashtuquajtur Kalimi i Leopardit, janë disa pika dhe leqe të shpërndara të vermikulitit në forme të lëkurës së leopardit prej nga ka marrë edhe emrin ky kalim me siguri të mbetura këtu nga vërshimet e ujit. Këto dhe shumë të dhëna tjera janë prezantuar në buletinin e shoqatave speleologjike të Sllovakisë, edicioni special për Kongresin e 14-të botëror të speleologjisë, që u mbajt në gusht te vitit 2005 në Athinë, ku edhe u bë prezantimi i kësaj shpelle nga ana e Jan Smoll dhe Branislav Smida, në mungesë të speleologëve nga Peja dhe Kosova, për shkak të mungesës së mjeteve materiale. Ndërkohë, speleologu i njohur pejan, Fatos Katallozi, speleo-alpinist dhe koordinator në shoqatën "Aragonit" po kontribuon me pasurimin dhe prezantimin e këtyre të dhënave për hulumtimet e bëra në këtë xhevahir të rrallë të bukurive që fshihen në gjirin e masivit të Alpeve Shqiptare, e të cilat në një të ardhme të afërt do të jenë atraksion i rrallë për vizitorët e pasionuar të bukurive të kësaj natyre.

(Kosova Sot)