Në tyrben ku me një pikë ujë largohet dhimbja e kokës

  • 24 October 2016 - 18:32
Në tyrben ku me një pikë ujë largohet dhimbja e kokës

Besohet se kjo tyrbe ka shëruar edhe sterilitetin

Tyrbja Mavi ose siç quhet ndryshe e Kalenderit është njëra nga tyrbet që ka pasur shumë vizitorë në Prizren, por tani fati i saj, edhe pse me një shesh të gjerë mu në mes të qytetit, por pa ndonjë përkujdesje duket se ka shkuar pak në harresë nga njerëzit. Për njerëzit e kësaj ane, lidhur me këtë tyrbe qarkullojnë histori të ndryshme. Një kujtim i këtillë mbahet mend edhe për Tyrben e Kalenderit, të cilën e tregon prof. Sylejman Randobrava, i cili në moshën e shtyrë thotë se sa ishte gjallë Kalenderi apo baba Kalender, siç e quajnë ndryshe besimtarët e kësaj tyrbe, ka shëruar qindra e qindra raste të kokëdhembjeve të mëdha, transmeton gazeta Kosova Sot.

Ndërsa, Admire Shabani është shprehur për "Kosova Sot" se çdo të diel shkon aty dhe ndez një qiri. "Kjo është e gëzuara më e nderuar për mua e familjen time", tregon ajo dhe shton: "Këtu kemi shëruar shumë sëmundje. Bile, edhe tani, edhe pse ka mjekë e ka shumë forma, ne përsëri kokëdhembjen këtu e shërojmë si askund tjetër. Edhe dikur kështu kemi vepruar, kur dikujt i dhembte koka, vetëm me një lutje dhe një pikë uji kokëdhembja kalonte. Besimi thellohet me legjenda mbi njerëz që janë shëruar për shkak të vizitave në këto vende dhe histori të tjera, të cilat qarkullojnë dhe amplifikohen nga një familje në tjetrën", tregon ajo.

"Njerëzit kanë fjetur afër tyrbes për t'u shëruar"

Me admirim për këtë tyrbe tregon edhe profesori Randobrava, duke thënë se kjo tyrbe ka shëruar qindra raste të rënda të dhembjes së kokës. "Tyrbja e Kalenderit konsiderohet ndër tyrbet e fuqishme dikur kur kishte edhe më shumë përkujdesje, tani ajo është në mes të sheshit në afërsi të Gjimnazit, por nuk ka përkujdesje dhe njerëzit më pak çojnë "nezra". Dikur ajo konsiderohej tyrbe e fortë, si ajo e Lezit", tregon për gazetën prof. Sylejman Randobrava. "Aty merrnin pak dhe nga varri i tyrbes dhe e lidhnin rreth koke dhe i shpëtonin kësaj dhimbje, si migrenës apo edhe dhembjeve të tjera", tregon ai. Adem Berisha dhe Miftar Bytyqi tregojnë se dikur këtu ka pasur shumë nevojtarë, bile nën një pemë man dikur njerëzit edhe kanë fjetur e kështu kanë bërë edhe ëmbëlsira e pastaj u kanë shpërndarë kalimtarëve të rastit dhe kanë ndikuar edhe në lindje të mbarë. Bytyqi tregon se pleqtë thoshin se kjo tyrbe ka shëruar sterilitetin. "Tyrbja ka shëruar edhe të gjitha ato gra që nuk arrinin të lindnin, këtu kanë gjetur shërimin", tregon Berisha. Bytyqi tregon se duke parë këtë aktivitet human të kësaj tyrbe, kjo pati marrë shumë vrull edhe në kohën e komunizmit, bile edhe kur ishte i ndaluar besimi në tyrbe. "Policia dhe ushtria serbe duke ditur këtë humanitet që kanë bërë që kjo tyrbe të ruhet, edhe pse është në mes të sheshit të zgjeruar dhe gjatë vitit 1999 ka pasur të stacionuara forca policore e tanke dhe tyrben aspak nuk e kanë dëmtuar. Bile, befasi në këtë pjesë nuk ka pasur sulme as nga NATO-ja", është shprehur ai. 

Familja që përkujdesej për këtë tyrbe e ka ngjyrosur me të kaltër

Kjo është një nga ato tyrbe që ka pasur influencë të madhe pas asaj të Krabash babës. Nuk është fenomen që ka përfshirë vetëm moshat e vjetra, siç mund të mendohet. Kohët e fundit janë shtuar të rinjtë që besojnë në këto vende. Madje, të rinjtë po relaksohen tej mase dhe shërimin po e përjetojnë pa medikamente e as pa ndonjë harxhim material e financiar, tregojë një person që ishte afër tyrbes, por që nuk deshi të identifikohet. Derisa flasim me ata të gjithë që dinë vlerën e kësaj tyrbe pas çdo fjale thoshin "Të ruajt tyrbja e Kalender Babës". Ka qindra raste të vizitave që i bëhen kësaj tyrbe për të marrë shërim dhe për të pasur shëndet të plotë fizik mental. Mirëpo, si tyrbja Mavi që do të thotë e kaltër e ka marrë për faktin se për dekada të tëra familja që përkujdesej për këtë tyrbe e ngjyrosnin me të kaltër. "Kjo tyrbe njihet edhe për largimin e shqetësimeve të ndryshme të njerëzve, mënjanonte rreziqet, konfliktet dhe ngatërresat në mes familjeve, shërimin e kokëdhembjeve të mëdha, pastaj ato raste dhe ato familje kur nuk kishin trashëgimtar këtu shëroheshin dhe për të pasur qindra raste e tash aty di se kanë gjetur shërim edhe njerëzit e lagjes dhe tërë Prizrenit për kokëdhembje", tregon edhe plaka Hanife Sejfullahu. Banorë të kësaj lagje dhe Prizrenit flasin me një dashamirësi, sepse kjo tyrbe tashme ka marrë namin e hershëm. Mirëpo, tashmë një numër hoxhallarësh shpesh flasin se aspekti i besimit islam i drejtë nuk e preferon shumë besimin në objekte si puna e tyrbeve. Prandaj, siç duket, familja që është përkujdesur për këtë tyrbe është tërhequr pak.

(Kosova Sot)