Familjarët kërkojnë të bëhen pjesë e bisedimeve të Brukselit

  • 25 October 2016 - 19:01
Familjarët kërkojnë të bëhen pjesë e bisedimeve të Brukselit

KUMNOVA:Frikohem se ne, familjarët e personave të pagjetur, do të vdesim duke pritur që nga Serbia të na sillen trupat e më të dashurve tanë.

Të dëshpëruar që edhe më shumë se 17 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë nuk po gjenden trupat e më të dashurve të tyre, familjarët e personave të pagjetur e kanë humbur besimin në përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, prandaj kërkojnë që të bëhen pjesë e delegacionit që me Serbinë po bisedon në Bruksel,raporton Gazeta Kosova Sot

T huajse çdo ditë jemi dëshmitarë të konstatimeve të vazhdueshme, të individëve apo organizmave relevante, se në Kosovë punët nuk po ecin ashtu si duhet, e aq më pak ashtu siç kemi shpresuar e kemi dëshiruar. Ngecjet janë gati në çdo fushë dhe me ato përballen të gjithë qytetarët, të cilëve në këtë mënyrë u vështirësohet shumë jeta. Kuptohet, sipas parimit se "ku dhemb dhëmbi shkon gjuha" familjarët e personave të pagjetur mëtojnë se halli i tyre është më i madhi, prandaj, siç thonë ata vetë, kanë të drejtë të dëshpërohen dhe të revoltohen në pushtetarët tanë, të cilët, sipas familjarëve të personave të pagjetur, nuk bëjnë aq sa duhet që fati i të pagjeturve të ndriçohet.

Asnjëherë s'është biseduar seriozisht për të pagjeturit në Bruksel "Mund të mendojë dikush se mbase po e teprojmë, por hallin tonë mund ta dinë vetëm ata që janë në lëkurën tonë. Lirisht mund të themi se për ne ende nuk ka arritur liria e plotë. Për ne nuk ka shumë gëzime, nuk ka shumë shpresa, sepse ne vazhdojmë t'i presim të na kthehen nga toka e Serbisë, familjarët tanë, të cilët u kidnapuan dhe u ekzekutuan para më shumë se 17 vjetësh, ndërsa trupat e tyre të pajetë nuk na u kthyen", flet me buzë në vaj Ferdonije Qerkezi, nga Gjakova, së cilës forcat serbe ia patën rrëmbyer burrin dhe 4 djemtë, tre prej të cilëve vazhdojnë të jenë në listën e të pagjeturve. Kjo listë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 17 vjet nga përfundimi i luftës, nuk është aspak e vogël, pasi aty vazhdojnë të figurojnë emrat e rreth 1.650 personave, të cilët janë zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Përfaqësuesit e pushtetit kosovar vazhdimisht janë deklaruar se janë duke bërë çmos që të zbardhet fati i këtyre personave dhe për këtë janë duke bërë presion tek faktori ndërkombëtar, në mënyrë që ai këtë presion ta përcjellë tek pala serbe, e cila vazhdon të mbajë fshehtë vendvarrimin e këtyre personave. Kjo ka ndikuar që familjarët e personave të pagjetur ta humbasin besimin tek institucionet vendore, me bindjen se nuk po bëjnë aq sa duhet dhe aq sa munden që të zbardhet fati i të pagjeturve, bile dyshojnë se kjo temë as që është hapur ndonjëherë seriozisht në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohen në Bruksel.

Familjarët frikohen se do të vdesin para se t'u kthehen trupat e të afërmve Në mesin e personave që janë dëshpëruar me angazhimin e deritashëm të pushtetarëve kosovarë dhe me mungesën e rezultateve konkrete në këtë drejtim është edhe Nusrete Kumnova, kryetare e shoqatës "Thirrjet e nënave", nga Gjakova, e cila tubon familjarët e personave të zhdukur. Ajo, tash e më shumë se 17 vjet, vazhdon të insistojë në zbardhjen e fatit të djalit të saj të hasretit, që ishte kidnapuar nga forcat serbe gjatë luftës. "Nuk ka derë ku gjatë këtyre më shumë se 17 viteve nuk kemi trokitur. Jo vetëm unë, por edhe anëtaret e tjerë të kësaj shoqate, por edhe familjarët e tjerë të personave të pagjetur. Kemi kërkuar "qare" nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, por pavarësisht nga kjo në listën e të pagjeturve vazhdojnë të jenë edhe rreth 1.650 veta. Kjo është e padurueshme, kjo është dëshpëruese për të gjithë ne që dëshirojmë të kemi një varrë për të afërmit tanë, ku do të qanim fatin e tyre por ku do të bënim edhe homazhe dhe vendosnim lule", fliste këto ditë Kumnova me një dëshpërim evident. Ajo, sikurse edhe familjarët e tjerë të personave të pagjetur, thonë se kanë humbur besimin tek pushtetarët tanë, për shkak të angazhimit të pamjaftueshëm për zgjidhjen e këtij problemi të rëndë. Për këtë arsye, ajo ka një brengë shumë të madhe. "Frikohem se ne familjarët e personave të pagjetur do të vdesim duke pritur që nga Serbia të na sillen trupat e më të dashurve tanë. Gjatë këtyre më shumë se 17 viteve, pos presionit tonë, të familjarëve të të pagjeturve, kam përshtypjen se nuk ka pasur ndonjë presion tjetër të mjaftueshëm. Institucionet e Kosovës nuk e kanë kryer obligimin tyre karshi të pagjeturve dhe familjarëve të tyre, si qytetarë të këtij vendi. Neglizhenca e institucioneve të Kosovës në raport me të pagjeturit na ka detyruar neve familjarëve që të kërkojmë përfaqësimin e drejtpërdrejtë në bisedimet në Bruksel. Vetëm në këtë mënyrë, përmes dy prindërve të të pagjeturve, kemi shpresën se ky problem do të prezantohet ashtu si duhet dhe aty ku duhet, në Bruksel" flet Nusrete Kumnova, duke e përcjellë disponimin edhe të familjarëve të tjerë të personave të pagjetur.

(Kosova Sot_