Ja se si jeton studenti me zemër mekanike!

  • 26 October 2016 - 19:10
Ja se si jeton studenti me zemër mekanike!

Zemra e tij mekanike bën që gjaku të rrjedhë nëpër trupin e tij dhe është e lidhur me një kabllo elektrike

Si student universitar, njëzetvjeçari i ka në qejf argëtimet në klube të natës, mirëpo, vetëm një pikë e pijeve alkoolike, që shërbehen në këto klube, mund t'ia ndalojë pajisjen që e mban zemrën e tij funksionale. Ai gjithashtu nuk ka kohë as për takime dashurie, pasi çdo natë duhet të shtrihet në një lloj stacioni, për ta mbushur pajisjen

Jim Lynskey është pacienti më i ri me zemër mekanike në Britani të Madhe dhe duhet ta 'mbushë veten' në rrymë çdo natë, nëse dëshiron të mbijetojë. Si student universitar, njëzetvjeçari i ka qejf argëtimet në klube të natës, mirëpo, vetëm një pikë e pijeve alkoolike, që shërbehen në këto klube, mund t'ia ndalojë pajisjen që e mban zemrën e tij funksionale. Ai gjithashtu nuk ka kohë as për takime dashurie pasi që çdo natë duhet të shtrihet në një lloj stacioni, për ta mbushur pajisjen që nuk guxon të mbetet bateri. Jim ka thënë: "Nganjëherë ndihem si burri bionik - natyrisht, jo në kuptim të mirë. Zemra mekanike funksionon falë një baterie, mirëpo jetëgjatësia e saj është vetëm tetë orë dhe unë duhet ta fus në rrymë gjatë natës, në rast se fle më gjatë. Është e vështirë të mbetesh gjallë në mënyrë kaq delikate, mirëpo më duhet ta vlerësojë çdo ditë që më jepet". Jim është duke pritur për transplantim të zemrës tash e 18 muaj, megjithatë, për habinë e tij dhe njerëzve përreth, ai është klasifikuar si rast jourgjent, pasi nuk cilësohet të jetë në rrezik të menjëhershëm, transmeton gazeta Kosova Sot.

"Do të dëshiroja ta kisha një të dashur"

Zemra e tij mekanike bën që gjaku të rrjedhë nëpër trupin e tij dhe është e lidhur me një kabllo elektrike, që është e vendosur në stomakun e tij. Ajo funksionon falë një baterie, të cilën Jim-i e mbanë përreth rripit, që ka jetëgjatësi prej tetë orësh. Ai gjithashtu është i detyruar që të bartë bateri rezervë në çantën e shpinës, në rast se qëndron larg shtëpisë më gjatë sesa që ka planifikuar, ndërsa, gjatë natës, meqë druhet se mund të fle më gjatë se tetë orë, ai e fut zemrën e tij në rrymë për t'u mbushur. Jim-i, i cili studion për marketing në industrinë ushqimore në Universitetin e Shefilldit, ka shtuar: "Në realitet, kam një jetëgjatësi ditore prej tetë orësh. Me vete mbaj dy bateri rezervë, në rast se bateria shpenzohet ose diçka nuk është në rregull me të dhe në fund të ditës jam fizikisht dhe mentalisht shumë i lodhur. Nganjëherë shkoj në ndonjë kafene me shokët e mi për ta pirë ndonjë pije, mirëpo nuk guxoj të shkoj nëpër klube të natës, pasi që janë shumë të zhurmshme dhe ka shumë njerëz. Dikush mund të ma derdhë pijen në kabllo ose pajisje dhe në rast se ato lagen, ekziston rreziku që të ndalojnë së funksionuari. Do të dëshiroja ta kisha një të dashur, mirëpo është shumë e vështirë të gjesh partner me një stil kaq të kufizuar të jetesës. Kam shumë pak vetëbesim. Gjithashtu, nuk do të dëshiroja që dikush të jetë me mua për shkak të keqardhjes". Përkundër gjendjes në të cilën ndodhet, Jim-i po bën kampanjë në medie sociale duke u bërë thirrje njerëzve që të regjistrohen për t'u bërë donatorë të zemrës, në mënyrë që të shpëtohen sa më shumë pacientë që presin transplantimin. 

"E ndjeja defibrilatorin që më godiste sa herë që zemra përgatitej të ndalej"

Gjithçka kishte filluar kur Jim ka qenë vetëm njëjavësh. Motra e tij binjake ishte lindur me meningjit, ndërsa ai kishte filluar të kishte probleme me zemrën. Ndonëse motra e tij ishte shëruar shpejt, problemet e tij me zemrën nuk ishin ndalur. Kur i kishte mbushur tetë vjet, ai, një ditë, i kishte thënë nënës së tij se po ndihej shumë keq dhe e kishte lutur që ta dërgonte tek doktori. Gjatë kohës që po kontrollohej, ai kishte pësuar dy arreste kardiake. Doktorët ia kishin vendosur një defibrilator kardiak, i cili e 'ristarton' zemrën e pacientit, në rast se ajo ndalet. Për nëntë vjet Jim ka bërë një jetë normale, si çdo bashkëmoshatarë i tij. Mirëpo, në prill të vitit 2013 zemra e tij kishte filluar të rrihte në mënyrë jonormale përsëri dhe ai kishte pësuar sulmin e tretë kardiak. "Kam qenë duke luajtur futboll kur e kam ndjerë që zemra kishte filluar të më rrihte shumë shpejt. Menjëherë patëm shkuar tek doktori. E ndjeja defibrilatorin që më godiste sa herë që zemra përgatitej të ndalej. Kam qenë në gjendje të tmerrshme. Përgatitesha që në çdo moment zemra të më pushonte së funksionuari dhe unë të shuhesha si njeri. Për 15 minuta kam qenë në arrest kardiak derisa doktorët janë përpjekur të më shpëtojnë", ka thënë ai. Specialistët ia kishin vendosur Jim-it një defibrilator të ri, mirëpo, në muajin nëntor të vitit 2014 ai kishte zhvilluar pneumoni dhe zemra e tij kishte mbetur me shenja aq të tmerrshme saqë doktorët i kishin thënë që zemra mekanike ishte opsioni i vetëm për të. "Natyrisht, ata më patën sugjeruar që të futesha në operacion, megjithatë ma patën bërët ë qartë që vendimi më takonte mua. Gjëja e vetme që e kam ditur ka qenë që nuk dëshiroja të vdisja dhe nuk dëshiroja të ndihesha përsëri i sëmurë siç jam ndjerë atëherë", ka përfunduar ai. Jim-i tani është në listën e pritjes për transplantim të zemrës, mirëpo ka mungesë të madhe të donatorëve të këtij organi vital në Britani. Tre britanikë vdesin çdo ditë për shkak të mungesës së organeve. 

(Kosova Sot)