I ikën skllavërisë së ISIS-it, por humbën çdo gjë

  • 27 October 2016 - 18:17
I ikën skllavërisë së ISIS-it, por humbën çdo gjë

GRATË IRAKIANE

Zainab, e cila është myslimane, ishte martuar në moshën 16-vjeçare, me qëllim që ta shpëtonin nga ISIS-i. Tre muaj më parë, ajo ngeli shtatzënë. Gjatë ikjes nga qyteti, i cili ishte duke u marrë nga ISIS-i, ajo abortoi beben

Ose u bashkoheshe terroristëve të ISISI-it ose ballafaqoheshe me tërbimin e tyre

Sytë e Zainabit kanë ngjyrë lajthie dhe lëkura e saj ka ngjyrë ulliri. Në krah mban një qese, të cilën e përdorë si çantë. A mund ta imagjinojmë Zainabin, para fatkeqë- sisë së saj me ISIS-in, si një adoleshente me vetëbesim. Në sytë e saj tani shihet pikëllimi dhe ajo, në fakt, është një vajzë e dëshpëruar ende pa arritur moshën e pjekurisë. Kjo 17-vjeçare është në mesin e vajzave dhe grave që gjenden në kampin e refugjatëve, "Debaga", të ngritur në vitin 2014 për t'i strehuar irakianët që iknin nga Shteti Islamik, pasi që ky i fundit mori Mosulin, duke e bërë margaritar në kurorën e kalifatit të vetëshpallur. Në mesin e banorëve të Debaga-s ka më shumë se 15,000 fëmijë dhe 8,000 gra. Ata janë nga Mosuli, Qayarra, Hauija, Tikriti, Kabruku, Tal Qaifi, Nimrudi, Makhmuri. Nga qytetet, fshatrat dhe qytezat ku dikur jetonin jetët e tyre, plot me aspirata dhe gëzim, transmeton gazeta Kosova Sot.

"Jeta ishte e bukur para Daesh-it"

Zainab ka arritur këtu një javë më parë, pas jetës së saj në Hauijan e shkatërruar nga sulmet e ISIS-it. Asaj i pëlqente që të shkonte në treg dhe të rrinte diku, rrugëve, me shoqërinë e vet adoleshente. Ajo ishte nxënëse dhe shpresonte ta kryente klasën e 12-të. "Doja ta përmirësoja dijen time të gjuhës arabe. Doja të mësoja si të shkruaja e të lexoja më mirë. Jeta ishte e bukur para Daesh-it", thotë ajo, duke iu referuar ISIS-it. Por, pas ardhjes së ISIS-it, prindërit e saj filluan që të shqetësoheshin për vajzën e tyre. Rrëfimet rreth dhunimeve dhe abuzimeve tjera të tmerrshme ishin shpërndarë në Nineveh; që nga zënia dhe skllavërimi i grave jo myslimane nga komunitetet jazidi dhe të krishtera, veprime këto të cilat, sipas ISIS-it, justifikohen me Kuran. Kështu Zainab, e cila është myslimane, ishte martuar në moshën 16- vjeçare, me qëllim që ta shpëtonin nga ISIS. Tre muaj më parë, ajo ngeli shtatzënë. Gjatë ikjes nga qyteti i cili ishte duke u marrë nga ISIS, ajo abortoi beben. Asaj nuk i kujtohet asgjë tjetër, pos që kishte pasur shumë gjakderdhje. Në spektrin e madh të vuajtjeve të Irakut, ndoshta vuajtjet e Zainabit nuk janë kushedi sa të rënda. Ndoshta ato nuk mund të krahasohen me skllavërinë seksuale të grave dhe torturimin e tyre, si dhe me torturat e tjera të bëra nga ISIS-i. Por, edhe ajo që i ndodhi asaj mund të konsiderohet si sulm. Ajo ende ishte fëmijë dhe asaj ia vodhën lirinë. Lakorja e jetës së saj ndryshoi për shkak të një ideologjie e cila nuk e vlerëson atë si femër. Filloi që të preferohej martesa e hershme për vajzat. Përfaqësuesja e Fondit të popullatës në kuadër të OKB-së, Rama Balakrishnan thotë se edhe kjo është dhunë. 

Vuajnë nga traumat e keqtrajtimit

Shumë prej femrave nuk kanë pasur përkujdesje adekuate dhe vuajnë nga traumat e keqtrajtimit. Shumë gra irakiane kanë ikur nga shtëpitë e tyre kohëve të fundit, duke ofruar të dhëna të reja rreth asaj sesi jetohet nën sundimin e ISIS-it, pa TV, telefona, apo internet. Nuk është se jeta e këtyre grave ishte ideale para se të vinin luftëtarët e ISIS-it. Gjërat ishin duke u përkeqësuar në Irak që nga invazioni i vitit 2003 i udhëhequr nga forcat amerikane. Erdhi deri te ngritja e trazirave ndër sektare dhe te ngritja e islamizmit fundamental. Por, në verën e vitit 2014 erdhi goditja më e madhe, kur ISIS filloi ta impononte ideologjinë e saj ekstreme në Irakun verior. Ose mund t'i bashkoheshe asaj ideologjie, ose të ballafaqoheshe me tërbimin e ISIS-it. Gratë filluan të vinin dorëza dhe të mbuloheshin në tërësi, përpos syve të tyre. Edhe si të tilla, atyre iu ndalohej që ta shikonin ndonjë mashkull tjetër, pos burrit të tyre. "Ata nuk janë myslimanë", thotë Iman, 26 vjeçe, për luftëtarët e ISISit. "Islamizmi nuk i thotë këto gjëra. Por, ata na kanë rrahur neve dhe burrave tonë, nëse nuk bindeshim. Prandaj, nuk kishim si të mos bindeshim". Iman dhe gra të tjera rrëfejnë atë që kanë përjetuar. Ato jetojnë me frikë se mos po zihen përsëri nga ISIS edhe pse aktualisht gjenden në një kamp, i cili monitorohet nga OKB-ja dhe nga agjenci të tjera humanitare ndërkombëtare. Ato janë në ankth. Ky kamp me tenda dhe shufra të metalit shërben si oazë shpëtimi për të dëshpëruarit. Numri i njerëzve të zhvendosur këtu nga qytetet dhe fshatrat e kontrolluara nga ISIS ka arritur gati në 35,000 persona. Ky numër mund të rritet së shpejti, nëse fillon ekzodusi nga Mosuli, sikur që edhe pritet të ndodhë. 

(Kosova Sot)