Kamerieri i lokalit rrëfen momentet e atentatit ndaj të riut

  • 28 October 2016 - 18:42
Kamerieri i lokalit rrëfen momentet e atentatit ndaj të riut

Kamerieri i lokalin ku ndodhi atentati ndaj 29-vjeçari, Andi Mustafaraj ka mbetur i tronditur pas ngjarjes së ndodhur sot rreth orës 12:30.

Në një rrëfim ekskluziv për “BalkanWeb”, i riu tregon se kishte çuar porosinë në tavolinën e Andit, të cilin e njihte si klient në lokal dhe sapo ishte kthyer në banak dëgjoi të shtënat.

“Ishte frekuentues i rregullt e njihja vetëm si fytyrë. Sot porositi kafen dhe një ujë pa gaz. Sapo çova porosinë dhe u ktheva në banak, dëgjova të shtënat”, tregon ai.

Kamerieri thotë se pas atentatit kafen e gjeti të derdhur mbi tavolinë, ndërsa ujin pa gaz të rrëzuar përtokë, ende të pahapur.

Po sipas tij, i riu nga Tepelena kishte mbërritur në lokal me makinën e tij, e cila vijon të qëndrojë e parkuar aty.

Kujtojmë që pista kryesore mbi të cilën po heton policia është një tentativë për eliminim për shkak të përplasjes së dy bandave për konflikte droge.

Andi Mustafaraj është pjesë e bandës së Elton Çiços edhe ai i ekzekutuar në një lokal me plumb pas koke.

Blutë e kryeqytetit kanë ngritur postblloqe në pika të ndryshme të kryeqytetit për të rënë në gjurmët e autorit.

(Kosova Sot)