“Për dështimin e Speciales, pasojat i bartin Mustafa e Thaçi”

  • 30 June 2015 - 10:38
“Për dështimin e Speciales, pasojat i bartin Mustafa e Thaçi”

Mos votimi i ndryshimeve kushtetuese për t’i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, po vlerësohet të jetë me pasoja për shtetin e Kosovës, për në veçanti për kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij, Hashim Thaci.
Njohësi i rrethanave politike Artan Muhaxhiri konsideron se do të ketë pasoja e sidomos për shkak të kundërshtimit të SHBA-së.

Sipas Muhaxhirit, kundërshtimi i Speciales bën që liderët e koalicionit qeverisës, Isa Mustafa e Hashim Thaçi të konsiderohen si partnerë jo të besueshëm kosovarë kundrejt projekteve ndërkombëtare.

“Refuzimi i Kuvendit të Kosovës që t’i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale do t’i ketë dy lloj pasojash.
Në aspektin politik, liderët e koalicionit qeverisës do të konsiderohen si të pafuqishëm që të jenë partnerë të besueshëm kosovarë të projekteve të rëndësishme ndërkombëtare.
Në kontekstin e imazhit, shteti i Kosovës do të shihet si vend që nuk pranon t’i adresojë akuzat e rënda për krime lufte që i bëhen nga institucionet ndërkombëtare si Këshilli i Evropës dhe Task Forca Speciale, në një format të dizajnuar nga përkrahësit më të mëdhenj të shtetësisë së saj”, ka thënë Muhaxhiri për Indeksonline.

Ai ka thënë se Mustafa e Thaçi ishin garantues para partnerëve ndërkombëtarë se ky do të jetë një proces i përfunduar me sukses, por kjo nuk ndodhi pikërisht nga bojkoti i disa deputetëve të PDK-së, andaj edhe presioni i ndërkombëtarëve do të bie mbi Thaçin.

Sipas Muhaxhirit, Gjykata Speciale do të themelohet gjithsesi, sepse fuqitë e mëdha globale si SHBA dhe Gjermania nuk mund t’ia lejojnë vetës që të zmbrapsen nga ky projekt të cilin e kanë projektuar me vite, ku pritet edhe investimi i qindra milionë dollarëve.

“Nëse Gjykata Speciale themelohet prej Kombeve të Bashkuara atëherë do të zgjerohet rrethi i palëve dhe interesave të përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë, gjë që do ta komplikojë funksionimin e saj. Ajo do gjithsesi që do të themelohet sepse SHBA-ja dhe Gjermania nuk mund t`ia lejojnë vetës që të zmbrapsen nga ky projekt të cilin e kanë projektuar me vite, ku kanë investuar dhe planifikojnë të investojnë resurse profesionale, por edhe qindra milionë dollarë”, ka thënë ai për Indeksonline.

Muhaxhiri ka thënë se politikanët kosovarë janë treguar naiv në vitin 2011 kur edhe u shfaq raporti i Dick Marty-t, duke mos pasur një vizion se cilat do të jenë pasojat e këtij raporti. Sipas tij, tani është vonë të jepen propozime për kundërshtim.

“Spektri politik kosovar është treguar skajshmërisht naiv pasi që nga viti 2011 e ka injoruar fuqinë e raportit të Dick Martit, duke e kundërshtuar atë vetëm me argumente folklorike dhe patetike. Politikanët tanë nuk e kanë pasur as minimumin e vizionit se cilat do të mund të jenë pasojat e raportit. Tash është tepër vonë që të jepen propozime, edhe ashtu sipërfaqësore, për ndryshimin e qasjes që do ta ketë Gjykata Speciale”, ka thënë Muhaxhiri për Indeksonline.

Ai ka konsideruar se ky është një episod i pakëndshëm për raportet e Kosovës me SHBA-të, por që janë të përkohshme.