Akuzë stafit të spitalit të Gjakovës për mos-trajtim të një vajze

  • 30 June 2015 - 20:41
Akuzë stafit të spitalit të Gjakovës për mos-trajtim të një vajze

Një familje nga Rahoveci po e akuzon stafin e spitalit të Gjakovës se vajza e tyre nuk u trajtua për orë të tëra nga stafi, përkundër faktit se ajo kishte gjakderdhje nga fyti.

Natën e 24 qershorit familja Morina e kishte dërguar me urgjencë vajzën e tyre në spital. Ismet Morina, gjyshi i Saranda Morinës, thotë se për një orë rresht, vajza e tyre u shtri në spital, por pa përkujdesjen e një mjeku, raporton KTV.

E neglizhenca e stafit të spitalit, sipas Morinës, vazhdoi kur vajza u rekomandua që me autoambulancë të dërgohet në Qendrën Emergjente në Prishtinë. Stafi përcjellës, i cili duhej të nisej me autoambulancë, nuk arriti për më se 40 minuta.

E mjekët, të cilët natën e 23 qershorit ishin në kujdestari, nuk kanë pranuar të flasin lidhur me këtë çështje. Por, ata prapa kamerës kanë mohuar se Saranda Morina nuk u trajtua ashtu siç duhet.

Shefi i repartit të ORL’së, Fatmir Emra, ka mohuar se ai është vonuar, por pranon se ka pasur mospajtime mes stafit teknik se kush duhet të niset me pacienten drejt QKUK’së.

Drejtori i kësaj klinike, Hajdin Thaçi, thotë se asaj nuk ishte tentuar që as gjakderdhja t’i ndalet.