Mediat gjermane kryqëzojnë Greqinë. Ironi, sarkazëm dhe akuza ndaj kryeministrit Tsipras

  • 03 July 2015 - 19:10
Mediat gjermane kryqëzojnë Greqinë. Ironi, sarkazëm dhe akuza ndaj kryeministrit Tsipras

Mediat gjermane kanë vendosur të flasin pa doreza kur bëhet fjalë për çështjen e borxhit grek.

“Handelsblatt”, një gazetë prestigjioze gjermane, dedikuar ekonomisë dhe biznesit, kishte në faqen e saj të parë një foto të kryeministrit grek Alexis Tsipras, i cili mban në duar një pistoletë drejtuar vetes, me titullin: “Duart larg nga paratë ose do të qëlloj”.

Në brendësi të saj, gazeta i dedikon plot 12 faqe Greqisë, duke i vënë theksin faktit se kjo e fundit po e shantazhon Bashkimin Europian për çështjen e borxhit të saj dhe referendumin që do të mbahet të dielën.

Po ashtu televizioni publik gjerman, në emisionin e tij të mëngjesit, kishte animuar filmin francez “The Intouchables”, duke vendosur si personazhe kryesore ministrin grek të Financave, ministrin gjerman Wolfgang Shauble, si dhe kancelaren Angela Merkel. Klipi, i cili zgjat rreth 2 minuta, transmeton mesazhin se Yanis Varoufakis që prej kohës kur u zgjodh ministër, ka pasur një mbështetje shumë të madhe nga kolegët e tij gjermanë, por më vonë sipas tyre, vetë Varoufakis vendosi ta hedhë poshtë këtë miqësi.

Mediat gjermane kanë nisur ta përdorin me tone më të larta sarkazmën, teksa një sondazh i zhvilluar së fundi në vend, tregon se populli i tyre akuzon Greqinë si fajtoren kryesore për përshkallëzimin e krizës.

Saktësisht 68% e gjermanëve mendojnë se Tsipras dhe bashkëpunëtorët e tij janë përgjegjësit për situatën e rënduar.

Në fakt qeveria e Berlinit është edhe kreditorja që i ka dhënë më shumë fonde Greqisë, kur kjo e fundit kishte nevojë, çka do të thotë se greket pjesën më të madhe të borxhit duhet t’ia shlyejnë gjermanëve.

Ministri gjerman i Financave, Wolfang Shauble ka qenë edhe kritiku më i madh i qeverisë gjermane, për atë që e ka konsideruar mungesën e forcës së vendit të tij për ta detyruar Greqinë që të paguajë deri në fund detyrimet e saj.

 

06-hb_meedia21-437x63025-bz_meedia11-482x630