Rezoluta e Këshillit të Evropës për hetimin e supozimeve për trafikim njerëzor (6)

  • 04 July 2015 - 08:08
Rezoluta e Këshillit të Evropës për hetimin e supozimeve për trafikim njerëzor (6)

53. Për më tepër, ne kemi gjetur se strukturat e njësiteve të UÇK-së janë formësuar, në një masë të madhe, në bazë të hierarkive, lidhjeve dhe kodeve të nderit që mbizotërojnë te klanet e shqiptarëve etnikë, apo familjeve të gjera dhe të cilat, në fakt, formojnë një tërësi të ligjeve, të njohura si Kanun, në regjionet e Kosovës nga i cili e kanë origjinën komandantët e tyre.

54. Duke u bazuar në informatat analitike të cilat i kemi marrë nga disa misione monitoruese ndërkombëtare, të cilat janë konfirmuar nga burimet tona në agjencitë evropiane të zbatimit të ligjit dhe në mesin e ishluftëtarëve të UÇK-së, ne kemi gjetur se njësitet kryesore të UÇK-së dhe zonat e tyre gjegjëse të komandës operacionale, korrespondojnë gati në tërësi me strukturat të cilat kontrollonin format e ndryshme të krimit të organizuar në territoret ku ishte aktive UÇK-ja.

55. Thënë më thjesht, caktimi se cili grup i komandantëve të UÇK-së dhe ndihmësve të tyre ishte kryesor në një regjion të caktuar ku operonte UÇK-ja në Kosovë dhe në disa pjesë të Shqipërisë, ishte çelës për kuptimin e asaj se kush udhëhiqte pjesën më të madhe e aktivitetit të caktuar të trafikimit apo kontrabandës që lulëzonte atje.

56. Më relevant me kërkimet tona, ne gjetëm se një pjesë e vogël, por veçanërisht e fuqishme e personaliteteve të UÇK-së kishin pjesën më të madhe të kontrollit mbi aktivitetet ilegale në të cilat ishin të përfshira shqiptarët e Kosovës në Republikën e Shqipërisë, duke filluar më së voni nga viti 1998.

57. Ky grup i personaliteteve të dalluara të UÇK-së e quante veten si "Grupi i Drenicës", duke vënë në pah lidhjet me luginën e Drenicës në Kosovë, një vatër tradicionale të rezistencës etnike shqiptare kundër represionit serb nën Milosheviqin dhe vendin e lidhjes së UÇK-së.

Thaçi, shef i "Grupit të Drenicës"

58. Ne gjetëm se "Grupi i Drenicës" si shef - apo nëse përdorim terminologjinë e rrjeteve të krimit të organizuar, bos - e kishte veprimtarin e dalluar politik dhe ndoshta personalitetin më të njohur ndërkombëtar të UÇK-së, Hashim Thaçi.

59. Thaçi mund të shihet si udhëheqës i ngritjes së UÇK-së në epërsi, gjatë negociatave në Rambuje, qoftë në vend, apo edhe jashtë tij. Ai po ashtu ka bërë shumë për ta nxitur ndarjen e ashpër midis fraksioneve të UÇK-së, të cilat kishin karakterizuar UÇK-në përgjatë viteve 1998 dhe 1999.

60. Në njërën anë, Thaçi pa dyshim ia kishte borxh ngritjen e tij personale sigurimit të miratimit politik dhe diplomatik nga SHBA-ja dhe nga fuqitë e tjera perëndimore, si partner i tyre i preferuar vendor në projektin e tyre të politikës së jashtme në Kosovë. Kjo formë e mbështetjes politike që i është dhënë Thaçit, jo vetëm në mendjen e tij, krijoi një ndjenjë e të qenit "i paprekshëm" dhe një ndjenjë e të qenit si lider në pritje në Kosovën e pas luftës.

61. Në anën tjetër, sipas raportimeve të detajuara të inteligjencës të cilat ne i kemi ekzaminuar gjerë e gjatë dhe i kemi vërtetuar nëpërmes intervistave përgjatë hetimeve tona, "Grupi i Drenicës" i Thaçit ndërtoi një bazë të frikshme të fuqisë në veprimtarinë e krimit të organizuar, që lulëzonte në Kosovë dhe Shqipëri asokohe.

62. Në këtë aspekt, thuhet se Thaçi operonte me mbështetjen dhe përfshirjen jo vetëm nga strukturat formale qeveritare nga Shqipëria, duke përfshirë edhe qeverinë socialiste që ishte në pushtet asokohe, por po ashtu nga shërbimet sekrete të Shqipërisë dhe nga mafia shqiptare.

63. Shumë komandantë të UÇK-së mbetën në territorin shqiptar, disa bile duke vepruar nga kryeqyteti shqiptar, Tirana, gjatë armiqësive vijuese dhe më tej.

64. Gjatë periudhës së bombardimeve ajrore të NATO-s, e cila zgjati disa javë, ndoshta shkarja më e madhe në balancën e fuqisë në Kosovë ndodhi si rezultat i hyrjes së të huajve në regjion, në formë të mbështetjes së haptë, apo implicite ndaj UÇK-së. Të paaftë që të kishin qasje direkte në territorin e Kosovës, pjesa më e madhe e kësaj ndihme të jashtme ishte kanalizuar nëpërmes Shqipërisë.

65. Falë pranimit të heshtur në lidhje me vendin e sigurt, që atyre iu ofrua nga autoritetet simpatizuese shqiptare, por edhe për shkak se ishte më praktike dhe më e përshtatshme për ta që të vazhdonin të operonin në terrenin i cili ishte familjar për ta, disa nga komandantët kryesorë të UÇK-së gjoja kishin vendosur haraç në zonat ku mbizotëronin klanet e tyre në Shqipëri, apo ku mund të gjenin ndonjë kauzë të përbashkët me kriminelët e organizuar të përfshirë në aktivitete të tilla, si trafikimi njerëzor, shitja e automobilave të vjedhur dhe tregtia me seks. 

Personat e hetuar disa herë gjatë dekadës së fundit

66. Në raportet e besueshme të përpiluara përgjatë një periudhe më të gjatë se një dekadë, agjencitë e përkushtuara për luftimin e trafikimit të drogës në të paktën pesë vende, kanë përmendur Hashim Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të "Grupit të Drenicës" se kishin ushtruar një kontroll të dhunshëm mbi tregtinë me heroinë dhe me narkotikë të tjerë.

67. Ngjashëm me këtë, analistët e inteligjencës që punonin për NATO-n, si dhe ata që ishin në shërbim të, të paktën, katër qeverive të huaja të pavarura, bënë zbulime imponuese me anë të mbledhjes së informatave të inteligjencës, që kishin të bënin me periudhën menjëherë pas konfliktit të vitit 1999. Thaçi ishte identifikuar shpesh dhe përmendej në raportet sekrete të inteligjencës, si "shefi më i rrezikshëm kriminal" i UÇK-së.

68. Gjatë kërkimeve, neve na janë përmendur edhe disa anëtarë të tjerë të njohur të "Grupit të Drenicës" së Thaçit, për të cilët thuhej se kishin luajtur role vitale si bashkë-komplotistë në kategori të ndryshme të aktivitetit kriminal. Këtu përfshihen Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Fatmir Limaj. Që të gjithë këta persona janë hetuar disa herë gjatë dekadës së fundit, si të dyshuar për krime lufte, apo në veprime të tjera të krimit të organizuar, duke përfshirë edhe rastet e mëdha të udhëhequra nga prokurorët nën UNMIK-un, ICTYnë dhe EULEX-in. Deri në ditët e sotme, që të gjithë këta persona i janë shmangur drejtësisë efektive.

69. Çdo gjë na shtyn të besojmë se që të gjithë këta njerëz do të dënoheshin për krime të rënda dhe do të ishin deri tani duke vuajtur dënime të gjata me burg, por për shkak të dy dinamikave tronditëse të cilat e kanë konsoliduar mosndëshkimin e tyre: së pari, duket se ata ia kanë dalë që t'i eliminojnë, apo frikësojnë që të heshtin, shumicën e dëshmitarëve potencialë dhe aktualë kundër tyre (si armiqtë po ashtu edhe aleatët e dikurshëm), duke përdorur dhunën, kërcënimet, shantazhet dhe haraçin; dhe, së dyti, ka pasur mungesë të vullnetit politik në bashkësinë ndërkombëtare për t'i përndjekur në mënyrë efektive ish liderët e UÇK-së. Kjo po ashtu duket se ia ka lejuar Thaçit - dhe edhe anëtarëve të tjerë të "Grupit Drenica" - që ta shfrytëzojnë pozitën e tyre me qëllim të rritjes së pasurisë personale jashtë çdo proporcioni me aktivitetet e tyre të deklaruara.

70. Thaçi dhe këta pjesëtarët e tjerë të "Grupit Drenica" vazhdimisht emërtohen si "lojtarë kyç" në raportet e inteligjencës rreth strukturave të krimit të organizuar në Kosovë, të ngjashme me mafinë. I kam ekzaminuar këto raporte voluminoze dhe të ndryshme me tmerr dhe me një ndjenjë të zemërimit moral.

71. Ajo që veçanërisht habit, është fakti se i tërë komuniteti ndërkombë- tar në Kosovë - duke filluar nga qeveritë e SHBA-së dhe fuqive të tjera aleate perëndimore, e deri te autoritetet e drejtësisë, të mbështetura nga BE-ja - pa dyshim posedojnë dokumentacionin e njëjtë të bollshëm rreth gamës së plotë të krimeve të Grupit Drenica, por askush prej tyre nuk duket i gatshëm që të reagojë në një situatë të tillë dhe t'i marrë në përgjegjësi autorët e krimeve. 

Marrëveshjet me rrjetet ekzistuese ndërkombëtare të krimit të organizuar

72. Burimet tona të dorës së parë e kanë përfshirë në mënyrë të besueshme Halitin, Veselin, Sylën dhe Limajn, bashkë me Thaçin dhe pjesëtarët e tjerë të rrethit të tij të brendshëm, të kenë urdhëruar - e në disa raste edhe të kenë mbikëqyrur personalisht - vrasjet, arrestimet, rrahjet dhe marrjet në pyetje në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe, sidomos interesante për punën tonë, në kontekst të operacioneve të udhëhequra nga UÇK-ja në territorin e Shqipërisë midis viteve 1998 dhe 2000.

73. Pjesëtarët e "Grupit Drenica" po ashtu thuhet të kenë marrë nën kontroll fonde substanciale të vëna në dispozicion të UÇK-së për ta mbështetur përpjekjen e saj luftarake. Në disa raste, ky grup supozohet të ketë qenë në gjendje që të arrinte marrëveshje me rrjetet ekzistuese ndërkombëtare të krimit të organizuar, duke mundë- suar zgjerimin dhe diversifikimin në fushat e reja të "biznesit", si dhe hapjen e rrugëve të reja të kontrabandës në pjesët e tjera të Evropës.

74. Sidomos, liderët e "Grupit Drenica" duket ta bartin përgjegjësinë më të madhe për dy lloje të krimeve të pazbuluara, të përshkruara në këtë raport: për udhëheqjen e rrjetit ad hoc të qendrave të burgjeve të UÇKsë në territorin e Shqipërisë; dhe për përcaktimin e fatit të të burgosurve që mbaheshin në këto qendra, duke përfshirë edhe shimë civilë të rrëmbyer, të sjellë në Shqipëri nga Kosova.

75. Për të kuptuar sesi këto krime degraduan në një formë më të ulët të çnjerëzimit, që ka të bëjë me nxjerrjen e organeve njerëzore me qëllim të trafikimit, ne kemi identifikuar një personalitet tjetër të UÇK-së, i cili mesa duket iu takon bashkë-komplotistëve kryesorë: Shaip Muja.

76. Deri në një pikë të caktuar, biografia personale e Shaip Mujës në luftën çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës ngjan me ato të anëtarëve të tjerë të "Grupit Drenica", duke përfshirë edhe vetë Hashim Thaçin: nga një student aktivist në fillim të viteve 1990 deri te njëri ndër pjesëtarët e një grupi elitar të "koordinatorëve" të UÇK-së, të vendosur në Shqipëri, te anëtari i Kabinetit të Qeverisë së përkohshme të Kosovës dhe te një komandant kryesor në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës së pasluftës (TMK), i cili më pas u rizbulua si politikan civil në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe, përfundimisht, duke u bërë një zyrtar me ndikim në autoritetet aktuale të Kosovës.

77. Nyja e përbashkët që përfshin të gjitha rolet e Mujës, është përfshirja e tij në sektorin mjekësor. Neve na pengon fakti që ai e paraqet veten dhe në shumë vende pranohet si "Dr Shaip Muja": d.m.th jo vetëm si doktor i mjekësisë dhe kirurg i përgjithshëm, por edhe si mjek humanitar dhe progresiv.

78. Ne kemi zbuluar indikacione të shumta konvergjente rreth rolit qendror të Mujës për më shumë se një dekadë në rrjete shumë më pak të lavdëruara ndërkombëtare, të përbëra nga trafikantët e njerëzve, ndërmjetësit e procedurave ilegale kirurgjike dhe nga kryesit e tjerë të krimeve të organizuara.

79. Këta tregues dhe elementet e dëshmisë na kanë bërë që të dyshojmë se Muja ka arritur një pjesë të mirë të qasjes, mbulimit dhe mosndëshkimit të tij si një pjesëtar i krimit të organizuar, duke ruajtur një "karrierë" në dukje legjitime mjekë- sore. Këtu ekziston një analogji e cila duhet të tërhiqet me mënyrën në të cilën Thaçi dhe pjesëtarët e tjerë të "Grupit Drenica" kanë përdorë rolet e tyre në postet publike dhe shpesh në diplomacinë ndërkombëtare. Dallimi në rastin e Mujës është se profili i tij në krimin e organizuar nuk njihet shumë jashtë rrjeteve kriminale me të cilat ka punuar dhe të hetuesve të paktë që iu kanë rënë në gjurmë atyre.

Vijon  

(Kosova Sot)