Familjet më të pasura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

  • 05 July 2015 - 19:51
Familjet më të pasura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Shumica e këtyre familjeve janë prapa markave të famshme.  

Pasuritë e mëdha nuk zgjasin përgjithmonë. Teknologjitë e reja i zëvendësojnë të vjetrat, trendët veniten dhe menaxhimi ndryshon. Megjithatë, disa nga familjet, të cilat janë pjesë e listës së Forbes-it për familjet më të pasura në Amerikë, kanë arritur t’u mbijetojnë këtyre sfidave. Secili prej këtyre klaneve ka pasuri prej të paktën 1.1 miliard eurosh, ndërsa bashkërisht këto familje kanë pasuri prej 1.2 trilion eurosh.

Familja Walton është familja më e pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vitin e dytë me radhë. Gjashtë trashëgimtarët e themeluesve të ‘Wal-Mart’-it, Sam Walton dhe James Walton, kanë rreth 54 për qind të shitësve globalë me pakicë. Forbes-i ka vlerësuar se kjo familje ka një pasuri prej 134 miliardë eurosh, që është për afro 3 miliardë euro më e vogël sesa pasuria e vitit të kaluar, gjë kjo që ka ndodhur për shkak të rënies së vlerës së aksioneve të ‘Wal-Mart’-it. Ata ndiqen nga familja Koch, ku dy nga katër vëllezërit – David dhe Charles – janë aktivë në politikë dhe udhëheqin me konglomeratin ‘Koch Industries’, që është kompania private e dytë më e madhe në SHBA. Familja e tretë më e pasur në SHBA, familja Mars, që është pronare e kompanisë që merret me prodhimin e ëmbëlsirave, ka një pasuri prej rreth 72 miliardë eurosh. Frank Mars kishte filluar të shiste ëmbëlsira, që i kishte prodhuar në kuzhinë, në Uashington në vitin 1911.

Shumica e këtyre familjeve janë prapa markave të famshme – ‘Gore-Tex’, ‘Campbell’, ‘Estee Lauder cosmetics’, ‘Coors’, ‘Budweiser’ etj.

Për dallim nga listat individuale, që paraqesin vetëm individët më të pasur, kjo listë përbëhet nga familje, që fillojnë nga dy anëtarë e përfundojnë me 3.500 anëtarë, si puna e familjes Du Pont. Për t’u futur në listën e Forbes-it, që përbëhet nga gjithsej 200 familje, është dashur pasuri prej të paktën 1.1 miliard eurosh.

Për vlerësimin e pasurive të tyre zyrtarët e Forbes-it i kanë mbledhur asetet si dhe aksionet e anëtarëve të këtyre familjeve nëpër kompani, patundshmëri dhe vlera e veprave artistike, që këto familje i kanë në pronësi.

1. Familja Walton

Në familjen Walton, e cila njëherësh është edhe familja më e pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është llogaritur pasuria e gjithsej gjashtë anëtarëve, prej të cilëve spikasin Walton, Alice, Jim, dhe S. Robson. Pasuria e kësaj familje është fituar nga rrjeti i dyqaneve me pakicë ‘Wal-Mart’.

Image

2. Familja Koch

Dy nga anëtarët e familjes Koch – David dhe Charles – janë pjesë aktive e jetës politike në SHBA. Për më tepër, kjo familje udhëheq edhe me kompaninë e mirënjohur ‘Koch Industries’, që është njëra prej arsyeve kryesore pse kjo familje është renditur në vendin e dytë të kësaj liste.

Image

3. Familja Mars

Forrest Jr., Jacqueline dhe John i kanë në pronësi 100 për qind të aksioneve në kompaninë ‘Mars’, kompania që merret me prodhimin e ëmbëlsirave e që i ka ndihmuar kësaj familjeje që ta grumbullojë një pasuri të përgjithshme prej 72 miliardë eurosh.

Image

4. Familja Cargill-MacMillan

Familja Cargill-MacMillan ka gjithsej 14 miliarderë, më shumë se çdo familje tjetër në botë. Anëtarët e kësaj familje kanë 88 për qind të aksioneve në firmën ‘Cargill Inc.’, që është kompania më e madhe private në Amerikë. Pasuria e përgjithshme e kësaj familje është 40.5 miliardë euro.

Image

5. Familja Cox

Pasuria e familjes Cox daton që prej vitit 1898, kur James M. Cox e kishte blerë kompaninë e lajmeve ‘Dayton Evening News’. Kompania shumë shpejt ishte zgjeruar në televizion dhe radio dhe sot, pasardhësit e James-it kanë një pasuri të përgjithshme prej më shumë se 31 miliardë eurosh.

Image

6. Familja Hearst

Familja Hearst është një familje amerikane, që ka arritur të pasurohet në fushën e medieve. Fillimisht, William Randolph Hearst Jr. ishte bërë fitues i çmimit ‘Pulitzer’ për gazetari, ndërsa i biri i tij e kishte iniciuar kompaninë që sot ka 49 gazeta, afro 340 revista dhe shumë aksione nëpër kanale televizive si ‘ESPN’, ‘Lifetime’ dhe ‘A&E’. Familja sot ka pasuri të përgjithshme prej 28.8 miliardë eurosh.

Image

7. Familja Pritzker

Familja e fuqishme nga Çikago është e njohur për zinxhirin e Hoteleve ‘Hyatt’. Tani, të gjitha pozitat drejtuese të zinxhirit të hoteleve janë të zëna nga anëtarët e familjes që ka një pasuri të përgjithshme prej 27 miliardë eurosh.

Image

8. Familja S.C. Johnson

Familja nga Uiskonsini i SHBA-së është familja e cila, me kompaninë e saj, ka krijuar shumicën e produkteve higjienike, që përdoren edhe sot nga familjet amerikane. Duke iu falënderuar kësaj industrie familja sot gëzon një pasuri të përgjithshme prej 25.9 miliardë eurosh.

Image

9. Familja (Edward) Johnson

Kjo familje ka 49 për qind të aksioneve në kompaninë ‘Fidelity’, kompani kjo që ka në menaxhim aksione në vlerë të 1.5 trilion eurosh. Kompania në fjalë është themeluar në vitin 1946, ndërsa, për më pak se shtatë dekada, anëtarët e kësaj familje kanë arritur të grumbullojnë një pasuri të përgjithshme prej 23.4 miliardë eurosh.

Image

10. Familja Duncan

I lindur në një familje të varfër në një zonë rurale të Teksasit, Dan Duncan, qysh në moshë të hershme ishte futur në industrinë e naftës dhe gazit, nga ku edhe e ka fituar pasurinë. Kur ai kishte ndërruar jetë në vitin 2010, pasuria, që sot vlerësohet të jetë rreth 20.15 miliardë euro, kishte kaluar në pronë të katër fëmijëve të tij. (Kosova Sot)

Image