Paqja në rrezik, Qeveria tallet me FAK-un

  • 22 January 2017 - 07:44
Paqja në rrezik, Qeveria tallet me FAK-un

Ligji për transformimin e FSK-së është lënë në fund të vitit 2017 

Sipas analistëve, loja e dyfishtë me (mos)formimin e Ushtrisë së Kosovës po bëhet edhe për qëllime elektorale të pushtetarëve aktualë,raporton Gazeta Kosova Sot

S ado që zyrtarët e lartë kosovarë po zotohen për përmbylljen më të shpejtë të transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës- FAK, proces i filluar në gjysmën e mandatit të qeverisë së kaluar dhe i planifikuar edhe për vitin e parë të koalicionit të tanishëm PDK-LDK, analistët politikë, por edhe disa deputetë konsiderojnë se premtimet e qeveritarëve të Kosovës po përdoren vetëm sa për të mbuluar dështimin e tyre të deritanishëm. Sipas tyre, nuk është ndonjë rastësi, derisa edhe në planin legjislativ të Qeverisë së Kosovës, Ligji për transformimin e FSK-së në ushtri është lënë për fundin e vitit 2017, respektivisht për fundin e shtatorit të këtij viti. Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, konsideron se derisa ka një bllokim të këtij procesi nga deputetët serbë, atëherë gjetja e një alternative tjetër veprimi në këtë drejtim do të duhej bërë në një bashkëkoordinim shumë të unifikuar mes pozitës dhe opozitës parlamentare të shumicës së partive politike, që janë pro Ushtrisë së Kosovës. "Shndërrimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, në aspektin kushtetues,është një proces i ndërlikuar dhe pothuajse i pakapërcyeshëm, për shkak se duhen dy të tretat e votave të deputetëve serbë. Ne duhet të gjejmë një rrugë të tërthortë,që FSK-në ta pajisim me pajisje ushtarake, sepse rrugë tjetër nuk ka. Po vijnë zhvillime të papritura, të cilat e rrezikojnë sigurinë e Kosovës si shtet, kështu që ne nuk mund të rrimë duarkryq", tha Salihaj për "Kosova Sot"

Përshpejtimi i procesit Deputeti Zafir Berisha nga radhët e Nismës për Kosovën thotë se sado që në planin legjislativ kjo çështje është propozuar të trajtohet në vjeshtën e vonë të këtij viti, pas zhvillimeve të fundit, provokimeve dhe kërcënimeve të hapura nga Serbia, në komisionin përkatës të Kuvendit të Kosovës është arritur një dakordim, që të iniciohet përshpejtimi i procedurës. "Në Komisionin për siguri dhe FSK e kemi diskutuar mundësinë që Ligji për transformimin e FSK-së të procedohet me prioritet të veçantë, më shpejt sesa që është paraparë në planin legjislativ, meqë ai ligj ka kohë që pret dhe është i gatshëm. Tani besoj që në takimin e radhës të komisionit javën tjetër do të mund ta flasim dhe ta marrim më seriozisht këtë çështje, për shkak edhe të rëndë- sisë, por edhe situatës së krijuar", tha Berisha për "Kosova Sot". Presioni që kjo çështje të mos bëhet lojë elektorale për këtë fundvit, por që të veprohet me këmbëngulje për të gjetur rrugën më të shkurtër ligjore të tejkalimit të kësaj pengese vjen edhe nga AAKja. Nënkryetari i AAK-së, Ahmeti Isufi, ish-kryetar i Komisionit për siguri në mandatin e kaluar, tha se fakti që në planin legjislativ Qeveria e ka lënë këtë çështje për fundvit, lë të kuptohet se nuk e ka pasur dhe nuk e ka seriozisht deklarimin për ndërtimin e Ushtrisë së Kosovës, prandaj edhe nga AAK-ja do të insistohet që ky projekt strategjik të përmbyllet madje edhe duke anashkaluar me ligj përpjekjen e bllokimit eventual nga minoriteti serb. "Kjo formë e paraqitjes së agjendës legjislative sa i takon krijimit të Ushtrisë së Kosovës tregon për joseriozitetin e institucioneve, që e kanë pasur për obligim për t'i formojnë Forcat e Armatosura të Kosovës", është shprehur ai.

Mos ta presim Beogradin Sipas Isufit, mënyra e tillë e sjelljes është tallje me FSK-në dhe me vetë qytetarët e Kosovës, kur po shihet se është kohë më e domosdoshme që Kosova ta ketë ushtrinë e vet të armatosur. "Tani ne edhe si opozitë e kemi dhënë propozimin që fillimisht duhet të shtohet buxheti për FSK-në dhe të përmbushen të gjitha kapacitetet në mënyrë që FSK-ja pa vonesë të transformohet në Forcë të Armatosur. Tani sa i takon përpjekjes eventuale për ta bllokuar procesin nga deputetët e komunitetit serb, duhet të nisemi nga parimi që Kosova edhe me rastin e shpalljes së pavarësisë, këtë e ka bërë në mënyrë të njëanshme, prandaj edhe tani veprimet e tjera duhet t'i bëjë mbi bazën e interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe jo që të presë në pafundësi për hir të interesave të Beogradit që të mos formohet Forca e Armatosur e Kosovës", tha Isufi për "Kosova Sot". Ndërsa, deputeti Ismail Kurteshi, nga VV-ja, thotë se janë pushtetarët frikacakë që po rrezikojnë ta lënë akoma shtetin pa ushtri. "Frika nga Serbia dhe tërheqja e vëmendjes nga dështimi, mendoj se janë arsyet për aktualizimin e krijimit të ushtrisë. Natyrisht që si çdo gjë tjetër, edhe këtë çështje pushtetarët do të mundohen ta përdorin si fushatë, siç qe rasti me urdhrin dhënë policisë për ndalimin e trenit. Ushtria është kusht për ekzistencën e Shtetit të Pavarur të Kosovës", theksoi Isufi. "Këtë çështje duhet me e marrë shumë seriozisht dhe ushtrinë me bë shpejt, siç dinë ndonjëherë këta pushtetarë me i ngutë procedurat, kur diçka atyre u nevojitet. Ushtria na nevojitet të gjithëve. Pengesat tejkalohen nëse ka vullnet me e bë ushtrinë realitet", potencoi Kurteshi.

Dyshimet për pazare me Listën Analistët politikë shprehin shqetësimin e tyre se derisa krijimi i Ushtrisë së Kosovës parashihet të arrihet vetëm me sigurimin e votës së dyfishtë edhe nga deputetët minoritarë, atëherë planifikimi që kjo temë të kalohet në muajin shtator mund të jetë sinjal për pazaret, që mund të ketë bërë qeveria me Listën Serbe për ta këmbyer votën e FAK-ut me themelimin e Asociacionit. Këmbimin e tillë e shohin si mundësi të pazarit me Listën Serbe analistët Albrim Badallaj dhe Arsim Haziri. "Ne dimë që për t'u miratuar një ndryshim kushtetues nevojiten 2/3 e dyfishta, pra 2/3 e të gjithë deputetëve dhe 2/3 e votave të vendeve të garantuara. Pra, i bie që pa votat e serbëve, nuk do të mund të formohet Ushtria e Kosovës, konkretisht Forcat e Armatosura të Kosovës. Tani e sa kohë Lista Serbe ka kërkuar që vetëm me miratimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund ta japë votën edhe për miratimin e Projektligjit për FAK-un", tha Badallaj. "Lënia e këtij Projektligji në agjendën e Kuvendit, për shtatorin e 2017, na jep përgjigje me dy variante, që e kanë zgjidhjen e njëjtë. Ne këto raste i bie që ose Qeveria ka arritur marrëveshje me Listën Serbe t'i fusin në një pako shumë projektligje, ku hyn këtu edhe formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ose janë duke u munduar që deri në atë periudhë ta bindin këtë listë. Andaj, edhe pse në pyetje është formimi i Ushtrisë së Kosovës, e cila pas një kohe do të futej në NATO, prapëseprapë kur është në pyetje Asociacioni, Kosova gjendet mes dy zjarreve, në mes të formimit të Ushtrisë dhe krijimit të Asociacionit", tha ai për "Kosova Sot"

Demagogji qeveritare Analisti Arsim Haziri ka thënë se transformimi i FSK-së në ushtri është çështje e vështirë, pasi një procesi të tillë ì kërkohen edhe 2/3 e minoritetit pakicë. "Çështja e transformimit të FSK-së në mekanizëm ushtarak, përpos që do të marrë ndikim serioz serb prej Beogradit, ajo njëherësh s'do të mund të marrë formim të pavarur dhe të paanshëm. Pra, për këtë çështje, institucionet e Kosovës detyrimisht obligohen të bëjnë lëshime nga më të ndryshmet, që më shumë se asgjë aludohet në çështjen e asociacionit. Ndërsa, klasa politike pothuajse në çdo proces zgjedhor këtë çështje skajshmërisht e ka përdorur, madje aq shumë kanë manipuluar sa kanë nxjerrë në pah demagogjinë e tyre", tha Haziri. Joserioz e sheh trajtimin e kësaj çështjeje të bërë deri më tani edhe analisti Florim Zeqa. "Është mandati i dytë qeverisës i PDK-së dhe viti i tretë i qeverisjes së koalicionit qeverisës (PDK-LDK) me të njëjtën retorikë politike, të premtimit në mashtrim të popullatës, për "transformimin" e FSK-së në ushtri. Madje, përgjatë këtyre viteve na ka rënë të dëgjojmë shpesh të njëjtin refren nga goja e politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar, pas çdo dështimi në qeverisjen e vendit. Loja e dyfishtë me FSK-në, gjegjësisht me Ushtrinë e Kosovës po bëhet edhe për qëllime elektorale të pushtetarëve aktualë. Këtë e vërteton më së miri shtyrja e Ligjit për transformimin e FSK-së në ushtri për fundin e vitit 2017, në kohën kur vendi do të përballet me zgjedhjet e reja lokale (mbase edhe nacionale). FSK-ja do të jetë një adut i mirë në dorën e politikanëve për mbajtjen, respektivisht marrjen e pushtetit. E gjithë kjo lojë me FSK-në po ndodh për faktin e thjeshtë të mungesës së një plani strategjik kombëtar për formimin e Ushtrisë së Kosovës", tha Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)