Shpendi&CO dyshohen për marrëveshje me ‘Devollët’, (a) po përzihet edhe Edi Rama - Lajme - Kosova Sot
Shpendi&CO dyshohen pėr marrėveshje me ‘Devollėt’, (a) po pėrzihet edhe Edi Rama

Shpendi&CO dyshohen pėr marrėveshje me ‘Devollėt’, (a) po pėrzihet edhe Edi Rama

Burimet brenda Komunës raportojnë për një megaskandal të krerëve të kryeqytetit, Shpendi dhe Dardani zgjedhin të heshtin

Për momentin mbetet një mister i madh se kush pritet të përfitojë nga projektet komunale qindra-milionëshe të kryetarit Shpend Ahmeti në kryeqytet, në vitin e fundit të mandatit të tij. Gati qindra hektarë pronë publike pritet t'u jepen bizneseve që do t'i zgjedhë komuna e qeverisur nga VV-ja. Ndërkaq burime afër kreut të komunës, Shpend Ahmetit, dhe bashkëpunëtorëve të tij, thonë se Shpendi dhe zëvendësi i tij, Dardan Sejdiu, kanë bërë një paramarrëveshje me "Devollët", dhe jo vetëm për t'ia transferuar disa dhjetëra hektarë tokë pronë publike në zemër të Prishtinës për ndërtime qendrash tregtare private dhe për ndërtime hotelesh. Gjithnjë, sipas këtyre burimeve thuhet se pjesë e këtij projekti të inkriminuar janë bërë edhe oligarkë të Tiranës me mbështetjen dhe involvimin e kryeministrit Edi Rama. Burimet thonë se kreu i Qeverisë shqiptare ishte në një "vizitë speciale" të shpejtë e të shkurtër, duke u takuar me Shpend Ahmetin dhe Dardan Sejdiun për të përfunduar pazaret. Po këto burime thonë se pritet së shpejti që projekti më i dëmshëm në kryeqytet të bëhet publik, por duke fshehur anën e tij të errët e kriminale në dëm të kryeqytetasve. Ndërkohë, komuna që vazhdimisht mburret se është më transparentja, ka refuzuar të japë informacione për projektet e dyshimta. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë elektronike të udhëheqjes komunale të Prishtinës (Shpend Ahmetit, Dardan Sejdiut si dhe zëdhënëses së Komunës) për këto akuza që bëhen ndaj tyre, kryetari, nënkryetari dhe zëdhënësja e Komunës së Prishtinës nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje për gazetën, pra kanë zgjedhur të heshtin për arsyet që vetëm ata mund t`i dinë.

Grapci: Kryetari po bën biznes të lig me grupet mafioze

Lidhur me çështjen, Agim Gashi, shef i grupit të asamblistëve të LDKsë në Kuvendin Komunal të Prishtinës, tha se sa i përket mundësisë së dhënies së pronës komunale në shfrytëzim, kjo është e rregulluar me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës. Asamblisti Gashi tha se sipas këtij ligji Kuvendi i Komunës është organi përgjegjës që vendos për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë, ndërsa ofertuesit duhet t'i nënshtrohen konkurrencës së hapur sipas kritereve dhe parimeve të vendosura. Ndërsa analisti Dardan Grapci ka përmendur një fjalë të urtë popullore që thotë se "Çka të bën i yti nuk të bën i huaji". "Me këtë thënie u drejtohem gjithë qytetarëve, duke u thënë që vetë kryetari i tyre i Prishtinës jo vetëm që po bën biznes të lig me biznesmenët e infiltruar në grupet mafioze, por edhe dëshiron pronat private dhe shtetërore me ia dhënë Korporatës "Devolli", që kjo korporatë të ketë edhe më shumë mundësi për t'i varfëruar bizneset e vogla, si dhe t'ua imponojë qytetarëve të Prishtinës që vetëm në qendrat e tyre tregtare të shkojnë për të blerë gjëra ushqimore", theksoi ai. Analisti Grapci ka parashikime pesimiste për atë që do të ndodhë në një rast të tillë, duke mos përjashtuar edhe varfërimin e popullatës.

Zeqa: Përfshihet në pazarin e madh edhe 'Kanabisi shqiptar'

Analisti Florim Zeqa tha se sa po kalojnë ditët dhe po afrohet përfundimi i mandatit të qeverisjes lokale, nga kryetarët dhe drejtuesit komunalë shtohen orekset për përfitime personale në kurriz të qytetarëve dhe buxhetit të shtetit. "Brenda këtij mandati të pushtetit komunal, transferta më e madhe materiale dhe pasurive të patundshme pritet të ndodhë në Komunën e Prishtinës. Oligarkët politikë dhe ekonomikë përmes Shpend Ahmetit, janë në prag të përfitimit të dhjetëra hektarëve tokë në zemër të Prishtinës, për ndërtim qendrash të mëdha tregtare, hotele dhe veprimtari të tjera afariste", u shpreh ai për "Kosova Sot". Analisti Zeqa tha se sipas burimeve të sigurta, merret vesh se Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu kanë bërë një paramarrëveshje me vëllezërit 'Devolli', dhe jo vetëm kaq. "Flitet se pjesë e këtij projekti të inkriminuar do të jenë edhe oligarkët nga Tirana, me involvimin e drejtpërdrejtë të "Kanabisit shqiptar", siç e quajnë qytetarët e Shqipërisë kryeministrin Edi Rama, i cili ditë më parë ishte në një vizitë të shkurtër dhe 'speciale', jo për çështjen e murit në veri, por për të finalizuar pazaret politike me Shpend Ahmetin dhe Dardan Sejdiun", vlerësoi më tej ai. Në fund analisti Zeqa uron që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, të mos bie pre e pazareve të pista politike mes klanit "Pronto" dhe "Kanabisit shqiptar", t'i shqyrtojë me mençuri të gjitha veprimet në fund të mandatit, në mënyrë që t'i kthehet familjes dhe shoqërisë me ndërgjegje të pastër.

Kelmendi: Ky është kapitalizëm monopolistik fashist

Analisti tjetër, Muhamet Kelmendi, tha se në gjendjen që është Prishtina, tash pas katër viteve në pushtet të Shpendit dhe të Dardanit, kur u nevojiten votat, domosdo mendoj se ata do të bëjnë marrëveshjet e tilla me Devollin. "Udhëheqjes aktuale u duhet të bëjnë ndonjë veprim dhe atë të shesin si të suksesshëm në masat e kryeqytetit, sidomos sa i përket punësimit", theksoi ai. Sipas Kelmendit, privatizimi i pasuksesshëm popullit i solli shumë veprime të dëmshme. "Ajo të përkujton kapitalizmin monopolistik të tipit fashist, ku tërë pasuria kalon në duar të një grupi të njerëzve të dëmshëm për vendin. Kjo e shkatërron punësimin dhe shtetin social, që e reklamoi si pushtetar në nivel komunal. Në rrugën, e cila tillë unë nuk kam të dhëna se çfarë roli ka në këtë mes Edi Rama",vlerë- son analisti Kelmendi. "Dëshiroj që Edi Rama mos të përzihet në punën e tillë kaq të dëmshme, sepse ajo e zhvesh tërësisht si njeri dhe politikan. Jam kundër formës së tillë të privatizimit. E di se ajo nuk e njeh dhe ndihmon popullin. Me atë vetëm individët dhe grupet mafioze pasurohen. Është turp. Një privatizim i tillë mund të quhet lirisht: Privatizim kriminal", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot". Ndërsa përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku, ('Konsumatori'), tha se "të gjithë që dinë diçka, duhet t'ia paraqesin faktet Drejtorisë së krimeve të rënda ekonomike në PK, prokurorive e gjykatave kompetente", tha ai. Sipas tij, siç po shihet, të gjitha organet e hetuesisë e të drejtësisë kanë harruar së vepruari sipas detyrës zyrtare apo ex- officio". 

(Kosova Sot)

 

19 orë e 16 minuta më parë