LDK-ja ia bën "bllok" PDK-së

  • 19 June 2017 - 07:38
LDK-ja ia bën

Intervistë me nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin

"Kosova Sot": Nga rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, del se për herë të parë LDK-ja është e treta në zgjedhje. Çka ndodhi me ju kështu, edhe pse ishit në koalicion me AKR-në dhe Alternativën?

Lutfi Haziri:  Në fakt është koalicioni i tretë. LDK-ja si parti asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk mund të trajtohet si parti e tretë. Me numrin e deputetëve që pritet të konfirmohen, mbetet parti e dytë nëse shkapet nga koalicionet që janë realizuar. Këtë proces të jashtëzakonshëm zgjedhor, PDK e organizoi brenda natës me koalicione të fshehta me opozitën, e në veçanti me Listën Serbe.

"Kosova Sot": Futja e Pacollit trembi PDK-në që bëri koalicion me AAKnë, por AKR-ja nuk duket se ju solli ndonjë rezultat bashkë me partinë e Mimoza Kusarit dhe Ilir Dedës?

Lutfi Haziri: Koalicioni i LDK-së me partitë parlamentare ka qenë i vlerë- suar, ne kemi qenë të vetëdijshëm dhe na ka bashku qëllimi ynë që ta çojmë Kosovën përpara. Në fakt, ne e kemi rrëzuar të nominuarin e PDK-së brenda tri orëve, i cili ka treguar panik dhe pasiguri karshi të nominuarit tonë, Avdullah Hoti, si bartës i listës së LDK-së. Tashmë rezultati është zbardhur, ne do t'i shohim se ku janë zbrazëtirat, cilat janë të arriturat tona, ku ka qenë pakënaqësia dhe mërzia e votuesve të LDK-së që nuk është kapitalizuar me rezultat pozitiv.

Shteti shkapet nga koka

"Kosova Sot": A mendoni se votuesi ju ka ndëshkuar për shkak se në vitin 2014 ju u zotuat se do ta rrë- zoni PDK-në nga pushteti, por pas dështimit të bllokut VLAN, në fakt ju hytë në qeveri duke ia zgjatur jetën politike Thaçit dhe Veselit?

Lutfi Haziri: Në vitin 2014 e kemi rrëzuar liderin e PDK-së nga pozita e kryeministrit dhe ky ka qenë qëllimi kryesor që është arritur. Ky rrëzim i liderit të asaj partie, në kuadër të marrëveshjes politike, ka bërë që LDK-ja ta arrijë qëllimin e saj politik pas disa viteve. Nëse janë dashur shtatë vite për ta rrëzuar liderin e PDK-së, vetëm për tri orë kemi arritur ta rrëzojmë kryetarin e dytë të saj për nominim. Ky është qëllim politik. Shteti shkapet nga koka e jo nga bishti. Krejt këtë angazhim politik për dy vite e gjysmë, ne e kemi dëshmuar që kryeministri i dytë në histori i LDK-së ka arritur t'i shtyjë objektivat përpara. U ndal padrejtësisht, u rrëzua në emër të Parlamentit padrejtësisht, por koalicionet e natës dhe marrëveshjet e fshehta me opozitën e djeshme dhe me Listën Serbe, bënë që LDK-ja të ndalet dhunshëm. Ne do të vazhdojmë të ecim përpara, do të vazhdojmë të mbërrijmë qëllimet tona, pavarë- sisht ambientit politik dhe rezultatit që e kemi sot në tavolinë. LDK-ja mbetet faktor determinues dhe është i vetmi faktor që krijon stabilitet. Ne, kësaj here do t'i kthehemi LDK-së dhe do të punojmë për interesin e zhvillimit dhe ruajtjes së LDK-së si parti nacionale dhe e Shpresës e Besës.

"Kosova Sot": A duhet të mbajë dikush përgjegjësi politike në partinë tuaj për këtë debakël zgjedhor?

Lutfi Haziri: Përgjegjësia politike është sipas strukturës dhe sipas angazhimit. Ne e kemi pasur një listë prej 110 kandidatëve, një bartës së listës i cili ka pasur konsensus prej lidershipit të LDK-së dhe natyrisht duke e vlerësuar që është votë politike, ne e kemi marrë vlerësimin e qytetarëve. Kaq është peshuar kjo listë nën emblemën e LDK-së. Ne duhet t'i shohim raportet dhe rrethanat e tjera se si dhe pse nuk kemi arritur ta kapitalizojmë rezultatin në nivel nacional me partnerët e koalicionit, sepse po shihet që nëse janë 25 deputetë të LDK-së pesë të tjerët i kanë marrë votat e LDK-së dhe nuk ka votë të jashtme. Ne kemi shumë pak vota që kanë ardhur në LDK. Si pasojë e këtij procesi, duhet të ketë vlerësim të drejtë. Unë i falënderoj partnerët e koalicionit për angazhim gjatë fushatës, por është koha që bashkërisht e të vendosur, ashtu siç e kanë pasur sloganin në këto zgjedhje, t'i gjejmë problemet ku kanë qenë dhe t'i eliminojmë për herën tjetër.

Tre brezat e LDK-së

"Kosova Sot": Si mund të rimëkëmbet LDK-ja dhe kur priten zgjedhjet e reja brenda partisë ? Lutfi Haziri: LDK-ja është e rimëkëmbur. LDK-ja është në këmbë të veta. LDK-së i mbetet të punojë shumë për ta kthyer besimin e qytetarëve. Ne do të bëjmë analizë në çdo strukturë tonën, në çdo degë dhe për çdo kandidat dhe do të vlerësohet vota politike dhe vota preferenciale. Nuk ka në këtë zgjedhje as fitues të mëdhenj e as humbës të mëdhenj, sepse edhe këta deputetë që janë në banka të Kuvendit, janë deputetë prej një pozite që për herë të parë si koalicion ka dalë e treta. Edhe ata duhet të qëndrojnë dinjitetshëm dhe ta dinë pjesën e përgjegjësisë që e kanë, të mos flas për ata që nuk arritën me qenë pjesë e bankave të Kuvendit.

Image

 

 "Kosova Sot": A synoni të jeni ju kryetari i ardhshëm i LDK-së?

 Lutfi Haziri: Unë jam nënkryetar i LDK-së dhe synimet politike nuk i kam fshehur asnjëherë. Unë besoj në marrëveshje politike dhe për mua më e rëndësishme është LDK se çdo ambicie apo synim i dikujt, qoftë ai edhe unë apo dikush tjetër. Kjo parti politike nuk i duron ambiciet politike të paqëndrueshme dhe le ta dijë secili që tregimi i oxhakut është i vërtetë. Atë tregim e kam thënë shumë herët dhe duhet ta marrin seriozisht. Sa i përket LDK-së, ne duhet ta ruajmë brezin e themeluesve dhe bartësve të LDK-së për këto 27 vite, duke e lidhur me brezin e Republikës, pra një lidhshmëri të natyrshme të gjeneratave sepse tash brezi i Republikës është moshë e mesme dhe kjo moshë e ka për obligim që brezin evropian të të rinjve të LDK-së ta ndërtojë për shkak se ata janë votues në këtë vit. Lidhja e këtyre tre brezave të LDK-së është garancioni i sigurt që LDK-ja do të zhvillohet dhe të kthehet si parti e parë shumë shpejt, sepse po shihet që nuk do të ketë qeverisje stabile, nuk do të ketë qeverisje e cila siguron rregullshmëri dhe legjitimet politik për të sjellë vendime në Kosovë, kështu që njëri nga opsionet po mbesin zgjedhjet e reja.

Haradinaj mori përgjegjësinë e PDK-së

"Kosova Sot": Gjykata Kushtetuese me interpretimin e saj në vitin 2014, e ka krijuar një precedent për krijimin e qeverisë. PAN-i edhe pse koalicion fitues, nuk i kanë votat për të krijuar qeverinë vetë. A do të pranoni ofertën e PAN-it, sidomos, nëse ajo vjen përmes ndërkombëtareve, siç ka ndodhur në vitin 2014?

Lutfi Haziri: Atë që ia ka bërë PAN-i VLAN-it, tash i kthehet bumerang drejtpërdrejt PAN-it dhe PDK-së. Vlen edhe tash thënia e Churchilit, që gjithmonë ligjet dhe vendimet duhet të bëhen në konsultim të ngushtë dhe në marrëveshje që opozita ta pëlqejë dhe ta pranojë. Praktikisht, ky është tregimi i vërtetë në Kosovë. Sa u përket ftesave të tjera, ne nuk jemi parti që sillemi karshi rezultatit me asnjë formë tjetër, pos që certifikimi i rezultateve tona dhe të kandidatëve tanë është ai që ne po e presim. LDK-ja e ka vendosur jo tash, por që në momentin e votimit të mocionit dhe shpërbërjes së Parlamentit, lidershipi i PDK-së i ka të qarta qëndrimet tona. Ata me ne e kanë prishur çdo kod politik dhe moral dhe nuk kanë asnjë të drejtë morale dhe politike të trokasin në dyert tona dhe nëse e provojnë, ato dyer janë të mbyllura. Nuk kanë mundësi asnjë lloj bashkëpunimi, as me ndërmjetësim ndërkombëtar, e as në vende neutrale, ta arrijnë me ne. Storia e bashkëpunimit me ta fillon në vitin 2002 dhe përfundon më 11 qershor 2017. Ky lidership i PDK-së është treguar mosmirënjohës, janë treguar jofalënderues dhe jokorrektë karshi urës politike që LDK e ka ndërtuar për pajtim, tolerancë, partneritet dhe për shtet. Ata partinë e kanë interes mbi çdo shtet, individin e kanë interes mbi çdo parti, ndërsa ne e kemi të kundërtën. Ne e kemi partinë në interes për shtet, e kemi individin në interes për zhvilluar politikën e partisë dhe e kemi atdheun të barasvlefshëm me familjen dhe me Zotin. Ne mbi këto vlera nuk shkelim asnjëherë më.

"Kosova Sot": A do të hyjë sërish LDK-ja në qeveri, tani me Ramush Haradinajn kryeministër?

Lutfi Haziri: Haradinaj është i nominuar i PDK-së, pasi Veseli si kryetar i PDK-së, i rrëzuar tri orë pas marrëveshjes LDK-AKR, e delegoi këtë të drejtë nga frika që të ballafaqohet me Hotin. Bartësi i atij koalicioni është PDK. Ata kanë qenë bartës së listës, ndërsa Haradinaj si i nominuar për guximin politik dhe angazhimin politik që e ka treguar, i bartë krejt përgjegjësitë që i atribuohen PDK-së.

"Kosova Sot": Nëse nuk ka rezultate në negociata, a janë zgjidhje zgjedhjet e reja?

 Lutfi Haziri: Zgjedhjet janë gjithmonë opsion për të dalë nga krizat. Kosova ka hyrë në një rreth të krizës politike dhe uroj që kjo krizë të kalojë me mirëkuptim dhe tolerancë. Në kuptimin politik, Kosova është ndarë në 'Guns VS. Roses', ku një bllok e udhëheq PDK-në dhe bllokun tjetër LDK-ja dhe lëvizja 'Vetëvendosje'. Kanë mbetur me apo pa dashje në një bllok tjetër. Kështu që, Kosova nga ky qark i mbyllur i krizës politike nuk është dalje e shpejtë dhe e lehtë që mund të realizohet. Edhe nëse ndodh, qeverisje do të ketë më të gjatë se e Hasan Prishtinës dhe më të shkurtër se e Fan Nolit. Këtë po e them për simbolikë, sepse Hasan Prishtina ka qenë kryeministër vetëm gjashtë orë, ndërsa Fan Noli vetëm gjashtë muaj.

"Kosova Sot": Sidoqoftë koalicioni qeverisës, sfidat janë në tavolinë për të gjitha partitë dhe konsensusi duhet si për Asociacionin edhe për Demarkacionin etj. A shihni ju vullnet për bashkëpunim pas 11 qershorit?

Lutfi Haziri: Në e kemi thënë qartë që LDK-ja në Kuvend me 30 deputetët e saj do të sillet konform interesit politik, por ne nuk votojmë dhe nuk marrim pjesë në asnjë ceremoni, në asnjë nënshkrim dhe asnjë aktivitet politik që organizohet prej PDK-së, që përfshinë edhe ligjet, ratifikimet dhe çdo lloj akti që sillen si sponsorë dhe iniciativë e tyre. LDK-ja e ka qëndrimin e qartë, ne besojmë që PDK-ja nuk ka legjitimitet të bëjë qeverinë dhe ky legjitimitet është dëmtuar më 11 qershor. Por, sovrani nuk i ka dhënë legjitimitet askujt tjetër që si shumicë e sigurt të ndërtojë stabilitet. E vetmja mundësi janë ndërtimet e koalicioneve dhe këto koalicione do t'i shohim se si do të realizohen apo a do të ketë mundësi të realizohen. LDK-ja nuk ka asnjë lloj problemi që ta ushtrojë me përgjegjësi rolin opozitar.

Hoti i padiskutueshëm si kandidat për kryeministër

"Kosova Sot": Nëse VV-ja e merr mandatin nga presidenti Thaçi, a do të pranonit të hyni në koalicion me ta dhe me çfarë kushtesh? Lutfi Haziri: Gjithçka është hipotetike këtu. Është çështje që Gjykata Kushtetuese e ka bërë udhërrëfyesin që presidenti në diskrecion vendos herën e dytë se kujt t'ia japë mandatin. LDK-ja dhe lëvizja e 'Vetëvendosje' është shumicë shqiptare në Kosovë, që së bashku kanë 61 deputetë. Kjo është ajo që mund të ndodhë si opsion, ku PDKja me grupin e tyre mbesin në opozitë dhe ndoshta nuk do të vuajnë shumë për mungesë të minoriteteve që nuk mund t'i kenë partnerë.

 "Kosova Sot": A do ta votonte në një rast të mundshëm ligjor dhe kushtetuese LDK-ja Albin Kurtin kryeministër?

Lutfi Haziri: Ne e kemi Avdullah Hotin kandidat të vetëm dhe të padiskutueshëm për kryeministër. Hoti në këtë ambient politik të krijuar pas 11 qershor është i barasvlefshëm dhe barabartë me nominimet e Haradinaj dhe Kurtit. Asnjëri, asnjë lloj përparësie nuk e kanë karshi Hotit. Ai mund të jetë një kryeministër shumë i mirë i stabilitetit të këtij vendi.

"Kosova Sot": Përflitet për rrjedhje deputetësh pas 11 qershorit, ndërkohë që saktësohet kush do të jetë deputet. A frikësoheni se edhe nga radhët tuaja, mund të ketë rrjedhje të tilla, qoftë deputetë të AKR-së, Alternativës apo eventualisht edhe nga partia juaj?

Lutfi Haziri: LDK-ja nuk ka pasur asnjëherë rrjedhje të deputetëve dhe nuk do të ketë. Tregimin e rrjedhjes së deputetëve dhe ndarjes së votës së LDK-së, e ka lansuar PDK-ja në vitin 2007 dhe ka manipuluar vazhdimisht me mungesën e votave të veta. Po ashtu, unë besoj se edhe partnerët tanë të koalicionit, AKR, Alternativa, Lëvizja për Drejtësi dhe Lëvizja Vatra, janë serioze karshi kësaj marrëveshjeje dhe kanë konfirmuar sjellje të përbashkët politike, çfarëdo vendimi të vështirë që sjellim në këtë periudhë kohore, që përfshihen edhe ardhjet e reja apo prodhimet e reja elektorale që kanë dalë, siç është rasti i Lumir Abdixhikut, Driton Selmanajt dhe të ndonjë deputeti tjetër, i cili mund jetë deputet mbështetës nga ana e LDK-së në këto zgjedhje.

"Kosova Sot": Nëse shteren mundësitë për një qeveri nga PANi, a do ta preferonit një qeveri teknike, deri në bërjen e reformës zgjedhore, në kryerjen e proceseve që kërkojnë mbështetje të shumicës së Kuvendit?

Lutfi Haziri: Qeveria teknike është opsion i PDK-së për rrëzimin e Haradinajt nga posti i të nominuarit për kryeministër. Unë nuk besoj që Kosova shumë-politike mund të udhëhiqet nga një qeveri teknike. Fundi i fundit, një qeveri në detyrë e kemi, është ajo që udhëhiqet nga Mustafa me Kushtetutë dhe është garantuese deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Nuk kemi zbrazëtira ligjore dhe nuk kemi nevojë për opsione të paqëndrueshme

 (Kosova Sot)