Rruga e vdekjes e dasmorëve

  • 17 July 2017 - 18:36
Rruga e vdekjes e dasmorëve

S i në gjithë hapësirën shqiptare, edhe në komunën e Prizrenit kishte varre të krushqve. Ato janë në fshatin Zojz, te "Lisat e Zojzit", në fshatin Piranë, që dikur thuhet si ishte një fshat që kishte pasur një zhvillim të hershëm historik. Agim Ndroqi, një burrë mbi të 90-at, para një viti, lidhur me këto varre të Piranës, pati treguar një ngjarje të dhembshme. Ai kishte dëgjuar këtë histori nga i ati Haki Ndroqi, i cili kishte rrëfyer për vrasjen e mbi 200 krushqve, pastaj në fund edhe nuset u detyruan të vriteshin. Por, para se të vdisnin kishin lënë amanet që aty të ndërtohej një kishë shqiptare. Andaj edhe sot ka një lokacion që quhet"Arat e paskishës" . Kjo histori ishte e përhapur të thuash në shumë fshatra për rastin e Piranës, por vetë piranasit kishin pak njohuri lidhur me këtë rast.

Varret e Romajës

Derisa në Has ka varre krushqish vetëm në fshatin Romajë. Historia e varreve të krushqve është histori e njohur ndërshqiptare dhe të thuash se rrallë ka krahinë që nuk i kishte varret e krushqve. Për "Vorret e krushqve" në Romajë të Hasit banorët ende nuk janë në gjendje të saktësojnë vitin e rrënimit të tyre, por të gjithë e dimë se në kohën e Rankoviqit janë prishur ato, pra rreth viteve 1966 deri 1969. Banorët e këtushëm, si Mixha Din, mixha Zenun e po kështu edhe studiuesi i etnologjisë prof. dr. Nexhat Çoçaj flasin për këto vite. Në gjithë komunën e Prizrenit vetëm në fshatin Romajë të Hasit ka pasur "Varre të krushqve", sepse atje thuhet se ishin takuar krushqit dhe u vranë deri tek nuset që i kishin varret e ndara nga krushqit. Pleqtë tregojnë se kur janë prishur ato varre ka pasur eshtra dhe ajo që ende flitet në këtë fshat ishin varret e nuseve, ku ende ishin ruajtur flokët dhe dhëmbët, bashkë me disa stoli. Tani, atu mbi ato varre është shkolla, por thuhet se vetë banorët e këtij fshati patën rezistuar shumë që mos të prishen këto varre, por pushteti komunist nuk i kishte pyetur dhe i kishte kërcënuar keqas.

Image

 

Takimi i dasmorëve

Kur ndodhte që të kishte dy dasma në të njëjtën ditë dhe karvanët e krushqve, bashkë me nusen kryqëzoheshin me njëra-tjetrën, askush prej tyre nuk hapte rrugë, se dasma i vinte ters, e veç të tjerash, hapja e rrugës do të ishte dhe një ulje për fiset që lëshonin fill në këtë mes. Lidhur me këtë zakon, ka dhe shumë legjenda, sipas të cilave, në disa fshatra në këtë anë, si Romajë, Rogovë e Hasit ekzistojnë "Varret e Krushqve". Pleq të këtij fshati tregojnë për "Kosova Sot" se kjo ishte edhe arsyeja që dasmat bëheshin të thuash me marrëveshje të fshatit, pastaj edhe të fshatrave fqinje, ngase assesi nuk kanë dashur që krushqit të takoheshin, Bile edhe sot e kësaj dite, tregon prof. dr. Çoçaj, krushqit jo vetëm në Has, por kudo e thyejnë rrugën, ngase ka mbetur traditë e vjetër që thyerja rrugës së krushqve ishte respekt për palën tjetër që mos të takoheshin.

Dy ritualet

Një vend tjetër i rëndësishëm, "Varret e mëdha", siç quhen nga banorët e saj, kryesisht ishin varre krushqish, sepse gjithmonë supozohej se dikur njerëzit ishin më të gjatë dhe se varrimi i krushqve gjithmonë ka ndodhur me rroba, e shpesh bile edhe me kalin nëse ai është vrarë. Dy janë ritualet, përkushtimet dhe nderi që u bëhen të vdekurve. Ritualit me nderime me gurë të mëdhenj pa përshkrime dhe ritualet me përshkrime. Është shumë i rëndësishëm përshkrimi që hasim në këta dy ekzemplarë të gurëve, yjet, bërthama, shenja të origjinës, lindja, brezi dhe kthimi në tokë, në bërthamën prej nga edhe kemi dalë. Në të dy gurët e varrezave thuhet se ishin shenjat dhe simbolet që kufizoheshin në lutje. Ritualet e varrimit në këtë kohë shënojnë pikën më të lartë të respektit ndaj anë- tarëve të atij gazmendi siç ishte dasma. Prandaj, atëherë nuk lejohej që krushk të shkonin fëmijët, por vetëm ata që ishin të zotët të luajnë pushkën. Ngritja e varrezave madhështore me gurë të mëdhenj dhe me përshkrime tregon se ata edhe pse vriteshin respektoheshin shumë. Njohës i arkeologjisë dhe i kulturës së vjetër ballkanike, Shafi Gashi flet me respekt për varret e këtilla, varret e Romajës dhe zbulimi i këtyre varreve të vjetra ishte pjesë e historisë së gjithë Hasit dhe Përdrinisë.

(Kosova Sot)