Mafio-politika ushqeu bizneset fantome

  • 25 July 2017 - 08:17
Mafio-politika ushqeu bizneset fantome

Bashkë-ortakëria e fshehtë, me pasoja për zhvillimin ekonomik

"Nëse bëhet një shikim në librat e ARBK-së (Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve), aty mund të shihet se kush janë bizneset që u zhvilluan hovshëm, e sidomos ata nga viti 2008 e deri më sot, si dhe sa ata i rritën pronat dhe bizneset, natyrisht së bashku me politikanët e pushtetarët që nga viti 2008, duke qenë në bashkë-ortakëri kriminale dhe kriminalisht", theksoi analisti Ragip Guraziu

Ekspertë të ekonomisë, specialistë të kësaj fushe dhe deputetë në dorëheqje, janë të mendimit se mafio-politikën në Kosovë e përbëjnë pushtetarët e instaluar në të tri pushtetet, gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ, dhe në të dyja nivelet pushtetore, atij qendror dhe lokal. Ndërkaq që, mafio-oligarkët e tyre janë kryesisht ata pronarë të mëdhenj, me shumë biznese të dyshimta, por të fuqishme dhe që janë zhvilluar shumë shpejt e me mbështetje të pushtetarëve të tyre bashkë-ortakë dhe me forma të tjera të fshehta institucionale e kriminale. Sipas analistëve, vlerësohet se qeveritarët aktualë janë në mandatin e katërt (PDK) dhe në mandatin e tretë (LDK). Po sipas këtyre analistëve, nëse bëhet një shikim në librat e ARBK (Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve) mund të shihet se kush janë bizneset që u zhvilluan hovshëm, e sidomos ata nga viti 2008 e deri më sot, si dhe sa ata i rritën pronat dhe bizneset, natyrisht së bashku me politikanët e pushtetarët nga e 2008-ta në bashkë-ortakëri kriminale. Kështu, vërehen shumë qartë se cilat janë bizneset prapa të cilave qëndrojnë politikanët, pra politika -parapolitika, respektivisht qeveritarët e korruptuar në vend. Analistët dhe ekspertët e ekonomisë e shtrojnë çështjen se si arritën këto biznese që lulëzuan për një kohë super të shkurtër përmes lidhjeve me politikën dhe parapolitikën të futen në çdo fushë të ekonomisë,por duke mos lënë anash as fushën e ndikimit përmes medieve të tyre, televizionet dhe portalet .

Klani "Pronto" po zhvat pasurinë publike

Ish-deputeti nga opozita, Bali Muharremaj(AAK) shprehet për "Kosova Sot" se ka vite që korporatat e klanit "Pronto" po e rrëzojnë përtokë ekonominë dhe po e shkelin dhe shtrydhin shtetin e Kosovës. "Ata, në dhjetë vjetët e fundit, kanë zhvatur qytetarët me licenca të monopolizuara në homologim, terminale doganore, pastaj me kompaninë telefonike, me tenderë në privatizimin e fabrikave, heqjen e akcizës në kafe e shumëçka tjetër". Ndaj, ai thotë se e tëra kjo ka bërë që bizneset e klanit "Pronto" me shumë kompani mafio-oligarkike tashmë janë bërë pronarë të mëdhenj, me shumë biznese të dyshimta, por të fuqishme dhe që janë zhvilluar shumë shpejt e me mbështetje të pushtetarëve të tyre bashkë-ortakë dhe me forma të tjera të fshehta institucionale e kriminale dhe këtë e kanë bërë fshehtas. "Andaj, lirshëm mund të them se mafio-politikën në Kosovë e përbëjnë pushtetarët e instaluar në të tri pushtetet dhe në të dyja nivelet e pushtetit ", theksoi ai. Muharremaj thotë se , tashmë klani " Pronto" po e zhvat pasurinë e Kosovës dhe me miliona euro para të shtetit, përmes rrugëve ligjore kalojnë tek privatët sikur mos të kishte ndodhur asgjë, duke dëshmuar se ata po e sundojnë Kosovën, dhe si po duket ata haptazi kanë vendosur që shtetin ta rrëzojnë përtokë. "Kam frikën se nuk po ka kush që t'i ndalë derisa ta rrëzojnë e shkelin krejt Kosovën", tha ai. 

Institucionet, të zhytura në korrupsion

Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot", se mafio-politika e Kosovës e ka korruptuar shtetin që nga 2008-ta me mafio-oligarkët dhe pronarët po dihen, mafiozët e fuqishëm të PDK-së në bashkëpunim, bashkëqeverisje me LDK-në,dhe këta të fundit e kanë ngjyer ''gishtin'' në mjaltë. "Institucionet tona janë të gjitha gati mafioze, sepse deri më tani qeveritë dhe institucionet tona, të gjitha kanë qenë mafioze dhe të korruptuara", thotë ai. "Nëse bëhet një shikim në librat e ARBK-së (Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve), aty mund të shihet se kush janë bizneset që u zhvilluan hovshëm, e sidomos ata nga viti 2008 e deri më sot, si dhe sa ata i rritën pronat dhe bizneset, natyrisht së bashku me politikanët e pushtetarët që nga vit 2008, duke qenë në bashkë-ortakëri kriminale dhe kriminalisht", theksoi ai. "Dhe, është e vërtetë se vërehen shumë qartë se cilat janë bizneset, prapa të cilave qëndrojnë politikanët, pra politika - para-politika, respektivisht qeveritarët e korruptuar në vend ", ka thënë analisti Ragip Guraziu.

Kosova, vatër e krimit

Analisti Hydajet Ahmeti tha për "Kosova Sot", se Kosova është bërë vatër e krimit, korrupsionit e kontrabandës, pikërisht nën udhëheqjen e qeverive të pasluftës. "Bizneset e pista kanë lulëzuar në kohën kur pushtet e pasluftës kanë shtruar një bazament anarkik për zhvillimin të paligjshëm për disa biznese, brenda kornizave të pasurimit të jashtëligjshëm, por edhe për një periudhë të shkurtër kohore", u shpreh ai. Sipas tij, kjo lidhje hierarkike në mes bizneseve dhe politikës ka ndërtuar një perandori kriminale të funksionimit të shtetit, duke keqpërdorur mundësinë e konkurrencës së drejtë dhe të barabartë. "Në vend që politika të jetë në shërbim të qytetarëve e jo për t'u pasuruar një komunitet i vogël njerëzish, në Kosovën e pasluftës politika është bërë instrumenti për t'u pasuruar politikanët apo klientela partiake", vijoi më tej Ahmeti. "E kemi rastin eklatant të skandalit " Vjedhje e Organizuar Tatimore" të keqpërdorimit milionësh përmes rrugëve ilegale, i cili është bërë publik përmes zyrtari të ATK-së, Murat Mehmeti, Shef i njësive të hetimeve në ATK. Ky keqpërdorim i orkestruar përmes bizneseve fantome, ku janë pasuruar njerëzit e politikës është heshtur duke shantazhuar, duke kërcënuar", u shpreh ai. " Dhe, pikërisht për publikimin e keqpërdorimeve në këtë institucion, zyrtari në fjalë është dhunuar psikologjikisht, duke u futur në procedura disiplinore, duke shqiptuar masa disiplinore me qëllimin për t'ia mbyllur gojën e për ta vazhduar keqpërdorimin e institucionit", vlerë- son analisti Ahmeti. Ai thotë se mbi të gjitha, pa dashur t'i përfshijë të gjitha bizneset, ku në mesin e shumë bizneseve ka pronarë seriozë, të sinqertë e që iu nënshtrohen kornizës ligjore brenda konkurrencës së drejtë e të barabartë, por një pjesë prej tyre brenda një kohë të shkurtër kanë shkelur milionat falë lidhjes së tyre me politikën dhe para-politikën....(Më gjërësisht mund të lexoni në numrin e sotëm në gazeten Kosova Sot)

(Kosova Sot)