Oligarkët kosovarë preferojnë sundimin e Gjukanoviqit

  • 26 July 2017 - 07:44
Oligarkët kosovarë preferojnë sundimin e Gjukanoviqit

MODELI AUTORITAR MALAZEZ, SHEMBULL PËR KOSOVËN

Politikanët duan ta mbajnë sa më gjatë monopolin e pushtetit

Analisti Ali Hertica tha për "Kosova Sot" se të gjithë ata që e kanë shfrytëzuar këtë popull pareshtur, e kanë mashtruar me shumë modele politike, ashtu si modeli i Gjukanoviqit, që të jetojnë si sulltanë apo të pazëvendësueshëm, duke shtypur, duke plaçkitur, duke imponuar dhe duke dhunuar qytetarin në mënyra shumë mashtruese

Ruajtja e status-kuosë në politikën kosovare, pa ndryshime të dukshme për gjithë këto 19 vjet të realitetit të ri të shtetndërtimit demokratik e pluralist politik, po dëshmon se liderët në Kosovë po sillen si bosë të vërtetë të përjetshëm mbi partitë e tyre, madje edhe në institucione, duke kopjuar kështu një model të afërt të qeverisjes totalitare këtu në fqinjësi, siç është "modeli" i Gjukanoviqit në Malin e Zi. Këtë po e bëjnë duke dashur të qëndrojnë me dekada në politikë dhe institucione, për të zhvatur mirë "deri në asht" këtë popull. Analistët politikë vlerësojnë se edhe vetë partitë politike ekzistuese, pa dallim, në momentin që po marrin pushtetin përmes gënjeshtrave e mashtrimeve, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror, po sillen thuajse janë pashallarë, shefa dhe sundues të këtij vendi e populli, dhe po harrojnë si tërësi, si klasë politike, se shteti u takon gjithmonë vetëm qytetarëve dhe ata janë vetëm shërbyes të përkohshëm të tyre e jo "shefa të shefave" përgjithmonë , e as "shefa" që shëtisin nëpër "jahtet" e krimit e nëpër kontinente me paratë e popullit.

Qytetarët, të përjashtuar nga vendimmarrja

Njohësi i zhvillimeve të deritanishme politike në vend, Blerim Burjani thotë se në Kosovë e kemi një gjendje të tillë për faktin se shefat e shtetit të Kosovës janë shefat e partive politike, ata sundojnë me popullin pa demokraci dhe vullnet të qytetarëve. "Shefat apo liderët partiakë, pasi t'i marrin votat nga zgjedhjet, qeverisin ndryshe dhe nuk pyesin asnjëherë qytetarin se çka dëshiron. Qytetari nuk është në procesin r vendimmarrjes, ka disa njerëz dhe OJQ të afërta me politikën, të cilat angazhohen rrejshëm në procesin vendimmarrës, realisht ata asnjëherë dhe nuk kanë të drejtë të paraqesin vullnetin e qytetarëve , ata njerëz sot kooperojnë me disa shefa të partive dhe atyre u ndihmojnë të gjejnë donacione, kështu funksionojnë disa njerëz dhe individë të afërt me partitë ku janë angazhuar edhe politikisht, sikur ndodhi nëpër disa parti në zgjedhjet e fundit", theksoi ai. "Qytetarët duhet të pyeten më shumë në vendimmarrje duke iu mundësuar konsultimin e tyre dhe dhënieve të ideve për problemet që kane, se kështu këto parti janë vetëm zhvatës dhe bëjnë para në kurriz të qytetarëve apo taksapaguesve", tha Blerim Burjani.

Modeli i "pashallarëve"

Politologu dhe filozofi Ridvan Emini thotë se bërja e politikës dhe vetë politikanët në Kosovë nuk dallojnë nga politika e Ballkanit apo edhe politikanët në Ballkan. "Kemi shumë raste për krahasim, si me Malin e Zi, Shqipërinë, Serbinë e deri në Turqi, se si një elitë e caktuar politike me dekada të tëra qeveris me këto shtete, madje edhe individë të caktuar. Edhe Kosova e ka një model të vetin Dr.Ibrahim Rugovën, i cili qe president i vendit që nga fillim-vitet e '90-ta e deri në vdekje. Madje, Rugovën po mundohen që ta imitojnë në mënyrë që ta kenë një karrierë të tillë", u shpreh ai. "Ndërsa, partitë politike vazhdojnë edhe më tej, pavarësisht humbjeve në zgjedhje për pushtet, që të drejtohen nga 'sulltanët' e vjetër, një gjë të tillë e shohim thuajse në të gjitha partitë politike në vend. Kjo gjendje është mjaft shqetësuese, pasi ndryshimet në vend bëhen më të ngadalta pikërisht si rezultat komoditetin që i ofron pozita (si në partitë politike, po ashtu edhe në vetë shtetin). Një fenomen i tillë ndodh zakonisht aty ku mungon fryma demokratike, e jo ajo e numrave, pasi këta 'pashallarë' thirren çdo herë në votën e besuar nga populli apo edhe në rastin tjetër të besuar nga organet e partisë", theksoi ai. "Këtë fenomen nuk mund ta trajtojmë si të pavarur nga fryma, e cila mbretëron në Ballkan, e as ta konsiderojmë si diçka sui generis, andaj krejt çka mund të themi për këtë 'taktikë' të këtyre politikanëve është se, në mungesë të vizioneve për të ardhmen e vendit dhe në mungesë të një vlerësimi të punës së vet, tentojnë që me çdo kusht të vazhdojnë të mbesin prej 'sulltani' kudo që u jepet mundësia", tha Ridvan Emini për "Kosova Sot".

Politikë klienteliste dhe zhvatëse

Gjykim të ngjashëm ka edhe analisti Hidajet Ahmeti. Mirëpo, ai thotë se përfundimisht politika duhet konsideruar si shërbim ndaj popullit e jo politika të konsiderohet mekanizëm për pasurim personal, klientelist e nepotik. "Kjo logjikë e funksionimit të mbrapshtë ka sjellë Republikën e Kosovës në buzë të greminës dhe falë këtyre politikave publike është varfëruar xhepi i qytetarëve. Perandoria e krimit është ndërtuar përmes mekanizmave institucionalë të pushteteve të pasluftës, duke instaluar klientelën politike në institucionet publike, por njëkohësisht duke përdorur dhunën psikologjike për raste specifike", ka thënë ai. "Në njërën anë pushteti është shfrytëzuar për instalimin e njerëzve të tij, duke i instrumentalizuar ata, dhe duke përdorur dhunën psikologjike, shantazh, presion e kërcënim ndaj zyrtarëve, punonjësve, por edhe rastet sociale për vazhdimin e degradimit institucional e shoqëror. Në këtë mënyrë hierarkike ka funksionuar zinxhiri kriminal, duke funksionuar çdo hallkë zinxhirore e krimit, e duke u përkthyer në komoditetin e politikanëve karrieristë", theksoi Hidajet Ahmeti. Ai thotë se shembja e perandorive të ndërtuara për më shumë se një dekadë korrespondon vetëm me aktivizimin qytetar dhe rritjen e vetëdijes qytetare, e cila përkthehet në dobi të trupit publik. Ndërsa analisti Ali Hertica tha për "Kosova Sot" se të gjithë ata që e kanë shfrytëzuar këtë popull pareshtur, e kanë mashtruar me shumë modele politike, ashtu si modeli i Gjukanoviqit, që të jetojnë si sulltanë apo të pazëvendësueshëm, duke shtypur, duke plaçkitur, duke imponuar dhe duke dhunuar qytetarin në mënyra shumë mashtruese.
 

(Kosova Sot)