Dikic: Kosova është e pavarur, s’duhet të bëhet Gaza serbe (Video)

  • 17 August 2017 - 14:17
Dikic: Kosova është e pavarur, s’duhet të bëhet Gaza serbe (Video)

Shkrimtari serb dr. Aleksandar Dikic, mysafiri i emisionit “Tryeza shpirtërore” në televizionin serb HelmCast, ka deklaruar se Kosova është e pavarur dhe se nuk duhet ajo të shndërrohet në Gazën serbe.

Duke u deklaruar mbi dialogun e brendshëm për Kosovën të cilin kohë më parë e ka filluar kryetari i Serbisë Vucic, Dikic ka theksuar se tema e atij dialogu është marrëdhënia e ardhshme e dy shteteve.

“Asnjë ligj i votuar në Beograd nuk vlen në Kosovë. Kosova është e pavarur. Kur them e pavarur, mua nuk më intereson preambula e Kushtetutës serbe, ajo është vetëm një fjalë në letër. Mua më intereson nëse ligji i cili është votuar në Beograd zbatohet në Gjakovë, Ferizaj dhe Deçan, atëherë do ta dijë se po jetojmë në shtetin e njëjtë. Nëse kjo nuk është realitet, nëse asnjë dinar prej atje nuk hyn në buxhet së Serbisë, atëherë ne nuk jemi shtet i njëjtë. Nëse asnjë institucion “krahinor” nuk koordinon me pushtetin qendror në Beograd, nuk jemi shteti i njëjtë. Pra Kosova është e pavarur nga Serbia. Për fat të keq”.

“A mund të luftojmë për ndërrimin e atij statusi, është çështje e hapur. Mund të luftojmë. Mund të ngrijmë konfliktin. Por duhet të bëhemi të vetëdijshëm për pasojat”, ka thënë Dikic, transmeton gazetametro.net.
Në vazhdim të emisionit, i cili ka shkaktuar reagime të ashpra të shikuesve, Dikic ka ofruar zgjidhje të mundshme të dialogut: “Pika e parë e atij dialogu duhet të jetë mbrojtja e serbëve të cilët kanë mbetur atje. Kthimi i Serbisë në Kosovë duhet të jetë pika e fundit e dialogut, sepse kjo gjeneratë nuk është e përgatitur për këtë, e as e aftë. 

Ajo që ne mund të bëjmë është mbrojtja e serbëve në Kosovë, kthimi i serbëve në Kosovë, funksionimi i asociacionit serb brenda shoqërisë kosovare, mbrojta e trashëgimisë kulturore në territorin e Kosovës dhe zgjidhja e pasurisë së shtetit të Serbisë në Kosovë. Këto janë pikat të cilat janë të hapura për dialog. Kjo është ajo që duhet ta bëjmë dhe çfarë i kemi borxh qytetarëve tanë.
Nuk mund ta shndërrojmë Kosovën në Gazën serbe e as në kamp të përqendrimit me tela me gjemba. Nëse nuk kemi popull atje, nuk kemi as shtet”, ka përfunduar Dikic intervistën e vet në HelmCast.

Duke folur mbi Memorandumin të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë nga viti 1986, ai ka theksuar “se është një dokument i akademikëve serb ku pa kurrfarë arsye të qëndrueshme është satanizuar nga ana e armiqve të Serbisë si platformë ideologjike për politikën e Milosevic’i, derisa thelbi i tij ishte paralajmërimi se Serbia po vonohet në demokratizimin e shoqërisë”.

Duke krahasuar periudhën prej Memorandumet e deri tani, gjatë 30 viteve, Dikic ka theksuar se ASHAS ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme, duke propozuar zgjidhje për demokratizimin e shoqërisë serbe në përgjithësi, derisa Akademia sot heshtë, edhe pse në atë kohë për të dhe anëtarët e saj ishte kohë shumë më represive dhe më e vështirë.

(Kosova Sot)