Politikanët futën në vallen e krimit edhe prokurorët dhe gjyqtarët

  • 21 August 2017 - 07:59
Politikanët futën në vallen e krimit edhe prokurorët dhe gjyqtarët

Që nga përfundimi i luftës, shumica e partive politike në Kosovë, si ato në pozitë edhe në opozitë, me lidhjet e tyre me "mafinë kriminale", për përfitime të interesit të përbashkët kriminal, e degraduan shtetin e ri, duke e bërë të ardhmen e shumicës së qytetarëve të pashpresë. Analistët e kësaj fushe dhe politikanët vlerësojnë se është pikërisht lidhja e ngushtë e politikës dhe e pushtetarëve me krimin e organizuar të mafio-oligarkëve të bizneseve të pista që po funksionon pa u penguar nga askush. Ata thonë se kjo edhe është arsyeja kryesore pse nuk insistohet asnjëherë dhe nga asnjë subjekt politik që të debatohet hapur dhe pa maska e pa dorëza për shkarjen e sistemit të rendit e ligjit nga mafio-politika, për krimin e organizuar dhe korrupsionin galopant, për të cilat fenomene edhe raportet e organizatave vendore, por edhe atyre ndërkombëtare, japin analiza evidente të trendit në rritje. Politologu Gurakuq Kuçi për "Kosova Sot" theksoi se në Kosovë dalja nga sistemi komunist i Jugosllavisë, e pastaj ai diktatorial i Serbisë, që përfundoi me luftë, nuk i ka lejuar Kosovës një dalje normale drejt sistemit demokratik, siç ka ndodhur me disa vende."Por, menjëherë pas lufte ngrirja e trurit popullor që i ishte bërë në të kaluarën ka vazhduar duke keqpërdorur mite si lufta e shenjtë e UÇK-së dhe rugovizmin, gjëra që edhe sot fatkeqësisht po i përdorin, kur dihet që këto të dyja i përkasin historisë së ndritur të Kosovës dhe asnjë partie politike". Ai theksoi për "Kosova Sot" se me këtë populli prapë ka vazhduar që të mbahet brenda këtyre dy shablloneve (miteve) dhe janë shfrytëzuar për të përfituar pushtetin dhe organizuar çdo sektor sipas modelit oli garkik."Kjo u bë nëpërmjet partive politike dhe klaneve të ndryshme, të cilët organizuan modelin e shtetit ku do e fundosnin inteligjencën dhe atëherë kur ka pasur apo ka ndonjë të tillë. Dhe, po na del se shkatërrimi i arsimit, shëndetësisë dhe varfërimi i popullit janë bërë me qëllim të sundimit të tyre, mundësisht edhe përçarja e popullit. Ka edhe një problem tek populli, që çdo ditë kanë sharë e fyer, por jo vepruar, dhe sa herë u kanë ardhur këta që i kanë sharë e fyer për çudi u kanë buzëqeshur, duartrokitur e votuar", vlerësoi politologu Kuqi. Sidoqoftë, sipas tij, në Kosovë tendenca për ndryshim ka filluar dhe tani është një uzinë e pandalshme."Sot shumica e njerëzve janë të acaruar me këto parti politike dhe jo pse nuk e duan demokracinë apo rikthimin e sistemit të kaluar, por janë të acaruar kur hijet e armiqve dhe shkatërruesve të Kosovës nga Serbia e Jugosllavia i shohin në hijet e partive politike të sotshme", ka theksuar Kuqi. Tutje ai ka shtuar: "Ky është procesi i shkrirjes së trurit të popullit se ky shtet nuk është ndërtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe lufta e NATO-s dhe UÇK-së për të dështuar, por për të ngritur vlerat e demokracisë dhe për t'u dhënë fund diktatorëve si Millosheviqi në Evropë", është shprehur ai.

Image

 

Zeqa: Politika degradoi shtetin, theu shpresat e qytetarëve se jetohet në Kosovë

Analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot" theksoi se përgjatë këtyre 18 viteve të pasluftës, e në veçanti këtyre 10 viteve të fundit, partitë politike kosovare, pa dallim pozitë dhe opozitë, aq shumë e kanë degraduar shtetin e Kosovës dhe thyer shpresat e qytetarëve për jetë në vendin e tyre, saqë qytetarët më shumë besojnë në ditën e përmbysjes së botës ("ditës së kiametit") sesa në ditën e largimit të kësaj klase të shëmtuar politike, e cila ua ka bërë jetën ferr qytetarëve të vendit. "Është bashkërendimi dhe lidhja e ngushtë e politikës dhe pushtetarëve, gjegjësisht partive politike pa dallim me "mafinë kriminale", me bizneset e pista, prej së cilave ushqehen dhe ngrihen në majat e pushtetit. Pikërisht është ky fakti më shqetësues, për të mos thënë të pamundur, që e vështirëson në masë të madhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit galopant në vend. Është kjo arsyeja pse asnjëherë nuk insistohet nga asnjë subjekt politik që të debatohet hapur për aspektet e burimeve financiare dhe ndarjen e rendit dhe ligjit nga politika kriminale, gjegjësisht dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë. Fenomene këto për të cilat debatohet dhe raportohet në organizatat vendore, në mënyrë të veçantë të atyre ndërkombëtare, për rritjen enorme të krimit të organizuar dhe korrupsionit e deri tek kontrabandimi i qenieve njerëzore", është shprehur analisti Florim Zeqa. Sipas tij, është e vërtetë se të gjitha partitë pa dallim kanë burime të njëjta kriminale të financimit nga paraja e pistë e krimit të organizuar. "Nga kjo del edhe konstatimi logjik i qeverisjes së vendit nga bashkërendimi i krimit të organizuar mes mafio-oligarkëve politikë dhe atyre ekonomikë, e cila në fakt është shndërruar në sindrom kancerogjen për shtetin e Kosovës", ka theksuar analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Image

 

Guraziu: Spektri politik, pa dallim, me burime kriminale, e degradoi qytetarin

Analisti politik Ragip Guraziu, për gazetën "Kosova Sot", theksoi se po zbulohet e vërteta që të gjitha partitë politike, pa dallim, me burime të njëjta kriminele, për tri mandatet e fundit shtetit e Kosovës, aq e degraduan sa e bën qytetarin e Kosovës t'i humbasë shpresat në gjithë këto vite të pasluftës."Këtu nuk përjashtohet as opozita, që ka politika të ngushta me pushtetarët, me krimin e organizuar të mafio-oligarkëve të bizneseve të pista. Kur kemi parasysh këtë situatë në të cilën jemi, asnjëra parti nuk merr guximin e një debati të mirëfilltë për të diskutuar kush është i korruptuar dhe kush po e degradon Republikën e Kosovës, por i ikin dialogut dhe debateve, sepse hajni e ka kështu, le të shkojë deri ku të shkojë", është shprehur Guraziu. Ai thotë se e gjithë kjo vjen për mungesën e sistemit të rendit e ligjit nga mafio- politika, që ky virus politik gjendet edhe tek pozita e opozita, që është bërë kancer për mbarë politikën kosovare. "Kemi një situatë ku gjithçka lidhet me krimin, mafinë, mungesën e ligjit, që e degradojnë shtetin. Në qeveri dhe institucionet tona kemi mafiozë e kriminelë që mendojnë vetëm për xhepat e tyre dhe e kanë bërë pasurinë e tyre me hajni, drogë, kokainë e korrupsion, si dhe likuidimin e atyre që ua prishin rehatinë", është shprehur analisti Ragip Guraziu.

Image

 

Bandat politike nuk e patën synim zhvillimin e shtetit

Analisti Reshat Badallaj për "Kosova Sot" theksoi se pas lufte të gjitha bandat politike, pa dallim fare që ishin në pozitë apo opozitë, nuk e kishin qëllimin të zhvillojnë shtetin dhe jetën më të mirë të qytetarëve të saj, shëndetësinë, për të zvogëluar papunësinë më të madhe në Evropë."Poenta kryesore e këtyre bandave të udhëhequra mjerisht nga banditët dhe kryebanditët ishte se si të vidhet vendi, si të pasuroheshin padrejtësisht, pa djersë, gjë që kjo u pa në ditën me diell". Ai thotë se banditët, kryebanditët e bandave politike, figurat e larta shtetërore, organizuan rrjetin e krimit në vend, ku bashkë me vete në këtë valle morën dhe ulën në sistemin gjyqësor këlyshët e deridjeshëm të -ishregjimit të Titos, të kasapit Slobodan Millosheviq dhe të Rrahman Morinës. Badallaj thotë se e bënë këtë krejt me qëllim, që të vjedhin lirisht dhe të mos ndiqen nga zagarët e drejtësisë."Kjo u vërtetua shumë shpejt nga këta banditë dhe kryebanditë. Sepse para luftës kjo bandë hajdutësh nuk pati as bukë për të ngopur barkun, se lëre më të kenë ndonjë kollare qafës dhe brenda natës, por me një rrogë ata bënë jo vetëm shtëpi, por edhe vetura luksoze dhe hotele, si të ishin në Dubai", është shprehur Badallaj. Ai shton se veç popullit ky krim i organizuar kundër Kosovës nga këta hajna dhe kriminelë u ra në sy edhe faktorit ndërkombëtar e sidomos ambasadorëve të vendeve të huaja."Sa e sa herë ata ua tërhoqën vërejtjen këtyre banditëve dhe kryebanditëve, sa e sa herë u thanë "prokurorëve" zgjohuni nga gjumi ore dhe kapini hajnat, jo ata që kanë vjedhur dru në pyll nga halli,por kapni hajnat e organeve më të larta shtetërore dhe banditëve të bandave politike", është shprehur ai. Tutje ka shtuar: "Shikoni se si bëhen bizneset e pista nga ky lloj pis banditësh dhe askush nuk po i ngacmon, sepse ata janë të lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe mafio-oligarkët andaj askush nuk i trazon. Dhe, si ka mundësi kjo, si mund të shpjegohet kjo? Jo, ndryshe pos se këta banditë të majave më të larta të zyrtarëve të shtetit që bashkë me qyqarët e sistemit të drejtësisë po e ndajnë hesapin e përfitimeve së bashku. Këta banditë dhe kryebanditë, ndonëse janë pas gardhit dhe nën hije, populli i di të gjitha se si këta fukarenj të deridjeshëm u bënë të kamur brenda natës"

Image

 

Hertica: Në Kosovë mungon lufta e shtetit ndaj krimit dhe korrupsionit

Kurse analisti tjetër politik Ali Hertica, për "Kosova Sot", theksoi se lufta kundër krimit dhe korrupsionit po jetësohet në shtetin e Kosovës nga strukturat politike të oligarkëve politikë. Për këtë mosveprim bën përgjegjës strukturat e larta politike qeveritare të shtetit, që janë të lidhura me strukturat kriminale, që po vetë-amnistohen nga ndëshkimi për shkak të korrupsionit, viktimë e të cilit është vetëm qytetari."Për këtë dukuri dihet mirëfilli që sa më shumë korrupsion që po ndodh në Kosovë, aq më pak qytetarët marrin shërbimet e nevojshme dhe cilësore, sepse paratë që duhet të rishpërndahen për qytetarët përfundojnë në xhepat e pushtetarëve", është shprehur ai. Sipas Herticës, për këtë shkak është krejt e kotë me këtë klasë politike të arrihen integrimet evropiane, pikërisht për shkak të këtij pushteti korruptiv në të dyja nivelet, si dhe gjyqësorit joefikas. "Për ta ndaluar korrupsionin në shoqërinë kosovare duhen reforma të thella politike", është shprehur ai. Shton se të gjitha subjektet politike janë të infektuara me këtë virus dhe ndëshkim ndaj tyre nuk ka. Sipas Herticës, ky fenomen mund të luftohet vetëm përmes një presioni më të madh të opinionit publik dhe shoqërisë civile mbi institucionet e sundimit të ligjit dhe trysninë nga faktori ndërkombë- tar. Ai është i mendimit se ne si shoqëri kosovare mund të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë politik vetëm duke kërkuar nga drejtësia kapjen e kokave të 'peshqve të mëdhenj'. "Pasi konsideroj që 'peshk i madh' është çdonjëri që është i korruptuar dhe ka krijuar pasuri marramendëse, që në zhargonin popullor e themi pasurim brenda nate, dhe kjo ka ardhur si rezultat kur individët e tillë kanë qenë të afërt me rrjetet kriminale që kanë menaxhuar rrjedhat financiare në shtet", është shprehur analisti Ali Hertica.

(Kosova Sot)