"Peshqit e mëdhenj" rrëshqasin në duart e prokurorëve

  • 22 August 2017 - 07:59

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se mafia politike në Kosovë ka arritur që të ketë kontroll të plotë në sistemin prokurorial të Kosovës, përmes selektimit dhe "rekrutimit" të një pjese të stafit të prokurorëve dhe përmes njerëzve të saj "hulumton dhe harton lista emrash" të personave, të cilët do t'i emërojë në pozitat e prokurorëve të shtetit, derisa personat e tillë, që përfundojnë në duart e mafisë politike, janë "kuadro" të paafta në aspektin profesional (posedojnë diploma të blera, nota të falura), servilë dhe kanë biografi të degraduar publike, të cilët e kanë sensin për t'u manipuluar lehtë nga mafia politike. Analistët e kanë shtruar edhe çështjen se përse prokurorët po i neglizhojnë rastet e caktuara kundër mafio- oligarkëve të inkriminuar të lidhur me mafio- politikanë, me pozita të larta të pushtetit, kudo në institucionet e shtetit, përkundër faktit se ka prova dhe argumente të mjaftueshme për t'i hetuar "ex officio" apo edhe për të ngritur menjëherë aktakuzë penale për krim të organizuar. Për atë se çfarë drejtësie është kjo kur prokurorët shantazhohen, frikësohen, kërcënohen dhe bien pre e ndikimeve të caktuara kriminale, duke u bërë pjesë e krimit të organizuar, dhe kështu mbajnë pozitat, por nuk veprojnë për të gjithë qytetarët njësoj, siç garantojnë ligjet dhe Kushtetuta, flet shkrimi në vijim.

Image

 

Zyrtarët e stërpasuruar, të dyshuar për korrupsion

Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se shteti i së drejtës kurrë nuk mund të ndërtohet pa llogaridhënie të politikanëve dhe nuk mund të përmirë- sohet sistemi i së drejtës në vend, ku kurtuazioni bazën e ka te politika. Sipas tij, dhënia e llogarisë në fushën e tillë hap perspektivë për ndërtimin e shtetit juridik. "Në kontekst të kësaj te politikanët duhet të jenë dy baza, mbi të cilat domosdo kërkohen të ndërmerren masa juridike. Këtu mendoj:1. Në të kaluarën politike të politikanëve të subjekteve politike para luftës dhe pas luftës dhe 2. Në aktivitetin politiko-ekonomik dhe korruptiv të politikanëve, duke u mbështetur në pasurinë e pambuluar që e kanë krijuar dhe në shumë fakte të tjera. Këto dy baza hapin rrugë për spastrim të politikës e kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në spastrim të organeve të së drejtës. Po edhe këtu duhet shikuar e kaluara dhe aktualiteti si dhe korrupsioni i çdo njeriu që konkurron", theksoi ai. "Në veçanti duhet shikuar përgatitjen dhe etikën e moralin e prokurorit, të gjyqtarit, të anëtarëve të KPK-së dhe të KGJK-së, si dy mekanizma që i zgjedhin prokurorët dhe gjyqtarët në punë. Përndryshe thënia e ambasadorit amerikan përkon me thënien e ambasadorit amerikan në Tiranë, i cili vitin e kaluar thoshte:? "Nuk duhet shumë dijeni për të ditur se a është shkelës i ligjit një prokuror a gjyqtar. Shikoni makinën që e ka, orën dhe unazat, pastaj shtëpinë a banesat, vendin ku ushqehet dhe rrobat që i vesh e pushimet që i bën. Me të ardhura personale që i ka nuk mund të mbulohen". Këtë unë po e shtoj edhe tek politikanët. Çdonjëri nga ta ka më shumë, me dhjetëra herë më shumë, pasuri sesa fiton. Ku i mori? Përgjigjja është e ditur: Në korrupsion dhe në krim. Shikoni makinat e banesat e të punësuarve në politikë dhe në sistem të drejtësisë. Këto janë fakte dhe këtu duhet drejtuar përgjegjësinë penale në vend", ka shtuar Kelmendi. Por tutje Kelmendi ka nënvizuar se masa ndëshkimore me politikë të degraduar dhe me gjyqtarë të varur nga politika nuk do të ketë kurrë.

Image

 

Forcimi i kontrollit të mafisë

Analisiti Ymret Reshiti, thotë se mafia politike në Kosovë ka arritur që të ketë kontroll të plotë në sistemin prokurorial të Kosovës përmes selektimit dhe "rekrutimit" të një pjese të stafit të prokurorëve. Sipas tij, mafia politike përmes njerëzve të saj "hulumton dhe harton lista emrash" të personave, të cilët do t'i emërojë në pozitat e prokurorëve të shtetit, derisa siç tha personat e tillë, që përfundojnë në duart e mafisë politike, janë "kuadro" të paafta në aspektin profesional (posedojnë diploma të blera, nota të falura), servilë dhe kanë biografi të degraduar publike, të cilët kanë sensin për t'u manipuluar lehtë nga mafia politike."Prokurorë e tillë janë kujdestarë vigjilentë të mbrojtjes së "padronëve të tyre" nga çfarëdo ndjekje ose hetimi për vepra kriminale. Këta prokurorë kanë një mision të cilin duhet ta kryejnë brenda sistemit të drejtësisë dhe ai është: fshehja dhe parashkrimi i veprave kriminale të padronëve të tyre që vijnë nga mafia politike. Ky fakt u jep përgjigje pyetjeve që ngrihen, pse veprat e korrupsionit, keqpërdorimeve dhe dallavereve të ndryshme, të cilat i bëjnë politikanët e fuqishëm të Kosovës, mbesin të pandëshkuara nga sistemi i drejtësisë në Kosovë? Nuk mund të presësh nga këta prokurorë që të përndjekin penalisht padronët e tyre, të cilët i kanë i kanë "rehatuar" respektivisht i kanë shpërblyer me vende të punës. Këto raste më së miri pasqyrojnë fenomenin e kriminalizimit të pushtetit në Kosovë, ku politikanë të fuqishëm në pushtet përmes ndikimit të tyre emërojnë persona të caktuara në postet e larta të shtetit të Kosovës, me kusht që të punojnë sipas direktivave të tyre", theksoi ai."Sistemi i drejtësisë vuan nga kapja e mafisë politike dhe oligarkisë kriminale, prandaj asgjë nuk mund të pritet që ky sistem të lufton krimin e organizuar në Kosovë të shkaktuar nga mafia politike dhe oligarkia kriminale. Fenomenin e dështimit të sistemit të drejtësisë e ka potencuar edhe BE-ja në raportet e saja për Kosovën, e cila si kusht qenësor për liberalizmin e vizave për Kosovën kërkon luftimin e korrupsionit dhe krimin e organizuar. BE-ja pret nga sistemi i drejtësisë kosovare vepra konkrete në kapjen e 'peshqve të mëdhenj', d.m.th. ndjekjen dhe ndëshkimin e njerëzve të mafisë politike në Kosovë, të cilët janë sinonimi i 'peshqve të mëdhenj' të krimit. Kjo gjë nuk ka shpresë se do të bëhet ndonjëherë, sepse mafia politike e ndihmuar nga oligarkia ka instaluar një aparat të fortë kontrolli mbi çdo segment të pushtetit në Kosovë. Ka krijuar një 'qeveri të fshehtë' që merr vendimet kryesore në Kosovë", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Ymret Reshiti.

Image

 

KGJK-ja dhe KPK-ja, përgjegjësit kryesorë

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit dhe drejtësisë, Blerim Burjani, ka nënvizuar se drejtësia si një nga shtyllat dhe pushtetet kryesore të shtetit është ballafaquar dhe ballafaqohet me probleme të shumta. "Ky sektor ka nevojë për një reformë të gjerë, për reformim kadrovik dhe pastrim të figurave apo me fjalë tjera kjo legjislaturë duhet të nxjerrë Ligjin për vetting-un, përderisa është gjendja anarkike kështu si është në Kosovë nuk ka shpresë që të ndërmerren hapa të duhur për të ndalë konfliktin e interesit në këtë sistem të disa njerëzve që punojnë edhe me përplot kontrata të dyfishta dhe askush nuk kanë mund t'i ndalë, këta njerëz shfrytëzojnë rregullore për të bërë biznes edhe në institucione të tjera si ai i arsimit", potencoi ai. "KPK-ja dhe KGJK-ja mbajnë përgjegjësinë kryesore për gjendjen e tillë në këtë sistem dhe se ata duhet të bëjnë përpjekje maksimale të ndalin gjërat e tilla dhe të kërkojnë punë nga prokurorët dhe gjyqtarët", spikati për gazetën "Kosova Sot" eksperti i fushës së sundimit të ligjit dhe drejtësisë, Blerim Burjani. Analisti Naim Miftari ka veçuar se prokurorët i neglizhojnë rastet e të ashtuquajturve " peshqve të mëdhenj", për arsye se vetë prokuroria është e kapur nga dora e zgjatur e pushtetarëve të korruptuar. "Shumë shpejt ai prokuror apo gjyqtar neutralizohet pasi i bëhet presion, shantazh, por edhe mundet që t'i montohet ndonjë aferë e fabrikuar dhe e suspendojnë nga puna ose kërcënohet për më keq edhe me jetë nga krimi i organizuar politik", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

Image

 

(Kosova Sot)