Reshiti: Forcimi i kontrollit të mafisë

  • 22 August 2017 - 13:01
Reshiti: Forcimi i kontrollit të mafisë

Analisiti Ymret Reshiti, thotë se mafia politike në Kosovë ka arritur që të ketë kontroll të plotë në sistemin prokurorial të Kosovës përmes selektimit dhe "rekrutimit" të një pjese të stafit të prokurorëve. Sipas tij, mafia politike përmes njerëzve të saj "hulumton dhe harton lista emrash" të personave, të cilët do t'i emërojë në pozitat e prokurorëve të shtetit, derisa siç tha personat e tillë, që përfundojnë në duart e mafisë politike, janë "kuadro" të paafta në aspektin profesional (posedojnë diploma të blera, nota të falura), servilë dhe kanë biografi të degraduar publike, të cilët kanë sensin për t'u manipuluar lehtë nga mafia politike."Prokurorë e tillë janë kujdestarë vigjilentë të mbrojtjes së "padronëve të tyre" nga çfarëdo ndjekje ose hetimi për vepra kriminale. Këta prokurorë kanë një mision të cilin duhet ta kryejnë brenda sistemit të drejtësisë dhe ai është: fshehja dhe parashkrimi i veprave kriminale të padronëve të tyre që vijnë nga mafia politike. Ky fakt u jep përgjigje pyetjeve që ngrihen, pse veprat e korrupsionit, keqpërdorimeve dhe dallavereve të ndryshme, të cilat i bëjnë politikanët e fuqishëm të Kosovës, mbesin të pandëshkuara nga sistemi i drejtësisë në Kosovë? Nuk mund të presësh nga këta prokurorë që të përndjekin penalisht padronët e tyre, të cilët i kanë i kanë "rehatuar" respektivisht i kanë shpërblyer me vende të punës. Këto raste më së miri pasqyrojnë fenomenin e kriminalizimit të pushtetit në Kosovë, ku politikanë të fuqishëm në pushtet përmes ndikimit të tyre emërojnë persona të caktuara në postet e larta të shtetit të Kosovës, me kusht që të punojnë sipas direktivave të tyre", theksoi ai."Sistemi i drejtësisë vuan nga kapja e mafisë politike dhe oligarkisë kriminale, prandaj asgjë nuk mund të pritet që ky sistem të lufton krimin e organizuar në Kosovë të shkaktuar nga mafia politike dhe oligarkia kriminale. Fenomenin e dështimit të sistemit të drejtësisë e ka potencuar edhe BE-ja në raportet e saja për Kosovën, e cila si kusht qenësor për liberalizmin e vizave për Kosovën kërkon luftimin e korrupsionit dhe krimin e organizuar. BE-ja pret nga sistemi i drejtësisë kosovare vepra konkrete në kapjen e 'peshqve të mëdhenj', d.m.th. ndjekjen dhe ndëshkimin e njerëzve të mafisë politike në Kosovë, të cilët janë sinonimi i 'peshqve të mëdhenj' të krimit. Kjo gjë nuk ka shpresë se do të bëhet ndonjëherë, sepse mafia politike e ndihmuar nga oligarkia ka instaluar një aparat të fortë kontrolli mbi çdo segment të pushtetit në Kosovë. Ka krijuar një 'qeveri të fshehtë' që merr vendimet kryesore në Kosovë", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Ymret Reshiti.

(Kosova Sot)