Oligarkët e fondeve dhe të pushtetit zhvatin miliarda

  • 14 September 2017 - 08:08
Oligarkët e fondeve dhe të pushtetit zhvatin miliarda

Pozitë e opozitë u bënë bashkë për interesa personale, pasurim të paligjshëm

Të gjitha garniturat qeveritare të klasës politike të pasluftës, me qeverisjen e tyre të papërgjegjshme, e sollën gjendjen e tillë, duke kapitulluar ekonomikisht Kosovën. Analistët thonë se të gjitha qeveritë e pasluftës e kanë zhvatur dhe zhytur popullatën në varfëri, duke u pasuruar jashtëligjshëm prej pas lufte e deri më sot. Ndërkaq, specialistët vlerësojnë se këto pasuri marramendëse ata i arritën fillimisht me paratë e Fondeve të popullit, të "Vendlindja thërret" dhe ato të Fondit 3 për qind " të Qeverisë "BukoshiMustafa", ku kanë marrë nën kontroll të plotë shumë biznese profitabile e monopoliste, të cilave bazat ua kanë regjistruar tanimë në Parajsa fiskale dhe kanë bërë nga disa qindra miliona euro, duke e vjedhur popullin përmes të dyja nivelet e pushtetit të instaluar . Analistët thonë se nuk po ka perspektivë për zhvillim ekonomik të bizneseve që nuk janë të lidhura me pushtetin e inkriminuar. Ata me të drejtë alarmojnë se përse bizneset, që nuk janë të lidhura me pushtetin, po sillen në një rreth vicioz dhe e kanë pothuajse të pamundur që të përparojnë dhe të zhvillohen, për shkak të pengesave e bllokimeve që u bëhen, qoftë në nivelet komunale apo ato qendrore të pushtetit. Analistët thonë se e tëra kjo po bëhet pa marrë parasysh se cila parti qeveris, qoftë në komuna apo në Qeveri qendrore, pasi ato subjekte bllokojnë bizneset që nuk janë të lidhura me to, gjegjësisht ndihmojnë vetëm bizneset e tyre që i financojnë partitë, të cilat udhëheqin qoftë në komunë, apo në Qeverinë qendrore.

Politikat e deritashme favorizuan importin

Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot" se raportet prestigjioze ndërkombëtare, që merren me çështje të ekonomisë, e radhisin Republikën e Kosovës të fundit sa i përket ambientit të biznesit dhe investimeve. Në të njëjtën kohë, raportet vendore tregojnë se ekonomia joformale është duke penguar zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë dhe konkurrencën fer në treg. "Qeverisjet e deritashme nuk kanë qenë të interesuara në formalizimin e tregut,sepse me këtë thyhet edhe fuqia e shtetit dhe kontrolli që shteti ka mbi bizneset. Politikat e deritanishme në vend më shumë kanë favorizuar importin sesa prodhimin vendor apo eksportin. Në vendin tonë shumë biznese janë rritur në mënyrë të paligjshme dhe kanë krijuar kapital që është vështirë të arrihet për këtë kohë sa janë në biznes, prandaj një biznesmen pati thanë se mos më pyet për milionin e parë se si e kam bërë se këto të tjerat i kam fituar në mënyre ligjore, ndaj lirshëm them se tek ne jo vetëm milionat e parë, por shumë miliona janë bërë në mënyra jashtëligjore", ka theksuar ai. " Ndaj, unë dua të shpresoj se Qeveria "Haradinaj" do të veprojë me dinamikë të shtuar edhe për përmirësimin e gjendjes në biznes në vendin tonë, ngase z Haradinaj, edhe më herët është zotuar, por edhe tani në programin qeverisës e ka për bazë ekonominë e tregut të lirë, ku politikat fiskale do të ndryshohen në favor të investimeve vendore dhe të huaja direkte në projekte të reja, të cilat punësojnë dhe ofrojnë përgatitje profesionale për të rinjtë e Republikës së Kosovës",vlerëson analisti Neziraj.

Shumë biznese veprojnë "nëntokë"

Ndërsa Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për "Kosova Sot" se institucionet dhe zyrtarët, partitë dhe politikanët, kanë improvizuar, ndërsa popullit, sovranit, elektoratit, qytetarit konsumator taksapagues të gjithat ia kanë prezantuar si projekte të përfunduara me sukses. Por, ai vlerë- son se e tëra kjo nuk arrihet pa një treg të brendshëm, pa ekonomi të lirë e pa strategji të zhvillimit ekonomik dhe pa njohje, as komunikim me qytetarin konsumator taksapagues. "Sepse, kemi zbatueshmëri minimale të ligjeve, që nuk është as 40 për qind. Veç saj, kemi rreth 150.000 biznese të regjistruara, prej të cilave gjysma afarojnë " nëndheshëm " edhe po aq afarojnë të paregjistruara, duke sabotuar hapur sistemin juridikokushtetues, ekonomik e politik të shtetit ". Në mesin e tyre, shumica janë bizneset e politikanëve dhe të partive politike ose të lobistëve, donatorëve të tyre dhe janë me potencial socio-ekonomik për të krijuar buxhet prej 6 miliardë euro, ndërsa për të dëshmuar se nuk kemi krijuar akoma ekonomi në plotë kuptimin e fjalës nuk grumbullohet as 1/3-ta e buxhetit të Kosovës ", theksoi ai. Analisti Kaçaniku shton se diversantët ekonomikë trashen duke e zhvatur shtetin dhe qytetarin konsumator taksapagues. "Këtë e bëjnë me kontrabandë e veprime të evazionit fiskal ku marrin pjesë edhe institucionet e zyrtarët e shtetit edhe partitë politike, edhe asociacionet e biznesit. Veç saj, ai tha se kjo arrihet edhe me korrupsion, tenderomani, klientelizëm, meritokraci, privatizime të kriminalizuara në përmasa industriale", potencoi ai.

BANDAT U STËRPASURUAN

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha për "Kosova Sot" se banditët pas luftës vodhën me të madhe dy fondet, si Fondin e "3- përqindëshit", por edhe Fondin "Vendlindja Thërret" të grumbulluara nga bashkatdhetarët që kishin ndarë nga djersa e tyre dhe kishin ndarë kafshatën e gojës për të ndihmuar luftën dhe vendin." Këta banditë dhe hajna ishin të pamëshirshëm në këtë hajni, duke u pasuruar hajnisht dhe padrejtësisht dhe më pas u bënë të kamur që deri dje nuk kishin as bukë për të ngrënë dhe rroba për të veshur. Por, veç hajnisë që ia panë sherrin populli këtyre hajnave dhe banditëve, këta shkuan edhe më tej duke vënë monopole, duke vënë dorën mbi të gjitha bizneset e vogla që ia zunë frymën dhe kështu ata bandítë personalisht u bënë të pasur, por në anën tjetër shkatërruan ekonominë e vendit dhe duke e rritur papunësinë që Kosova zë vendin e parë në Evrope për nga fukarallëku, dhe të gjitha këto të këqija erdhën nga kjo bandë hajdutesh nga pas lufta e deri më sot", potencoi ai. Analisti Badallaj-Zhuriani tha se aq bënë pasuri këta hajdutë, ngase siguruan për dekada të tëra dhe për të fshehur pasuritë e tyre ata i kanë dërguar ato nëpër vende të huaja, ngase janë të vetëdijshëm se një ditë populli do t'ua vërë litarin te fyti. "Shumë shpejt fukarenjtë e qitur u bënë si sheikët e Arabisë të kamur". Ai thotë se këta banditë dhe mafiooligarkë janë shkaktarët që e kanë sjellë në këtë gjendje ekonominë e Kosovës dhe papunësinë, duke e vjedhur dhe duke e plaçkitur."Këta banditë nuk mund të vepronin kurrë në Kosove po të mos ishin lidhur me majat e shtetit, me kryebanditët e banditët e bandave politike dhe natyrisht me matrapazët e prokurorisë, që këta qyqarë kinse kanë dhënë betimin për të mbrojtur interesat shtetërore dhe të qytetarëve. Kjo, ngase janë këta puthadorë, që po bashkëpunojnë me këta mafio-oligarkë, kanë hise në këtë hajni, shkatërrim të vendit dhe ekonomisë shtetërore pa më të voglin dyshim", ka thënë Badallaj.

ZHVATËSIT TË DALIN PARA DREJTËSISË

Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot' se me paratë e Fondeve të popullit, të "Vendlindja Thërret" dhe ato të Fondit të "3- përqindëshit", të Qeverisë "Bukoshi-Mustafa" përfituan biznesmenët profitabilë e monopolistë, të cilët pas lufte e kanë marrë në kontroll totalisht, që do thotë e kanë zhvatur dhe zhytur popullatën në varfërinë që e ka shkaktuar kjo klasë politike e pasluftës, duke u pasuruar jashtëligjshëm prej pas lufte e deri më sot, dhe tani kemi një kapitullim sa i përket ekonomisë së Kosovës. Ai thotë se duhet të përgjigjet dikush për zhvatjen e qindra miliona eurove, duke e vjedhur popullin në nivele të ndryshme dhe fondeve të ndryshme, si "Vendlindja Thërret" dhe ato të Fondit "3- përqindësh". Sipas Guraziut, janë Bukoshi-Mustafa, mu këta të dy, që duhet të përgjigjen dhe duhet dhënë llogari dikujt dhe nuk duhet të jenë të lirë derisa nuk zbardhen marifetet e këtyre dyve. "Kjo është arsyeja përse po varfërohet e plaçkitet në këtë mënyrë popullata dhe nuk po ka perspektivë për zhvillim ekonomik të bizneseve që nuk janë të lidhura me pushtetin e inkriminuar", u shpreh ai. "Bizneset që nuk janë të lidhura me pushtetin e kanë pothuajse të pamundur që të përparojnë dhe të zhvillohen për shkak të pengesave e bllokimeve në nivelet komunale, apo ato qendrore të pushtetit ", potencoi Guraziu.

FAMILJARËT E OLIGARKËVE QARKULLOJNË MILIONA

Analisti Faton Mehmeti tha për gazetën " Kosova Sot" se djemtë e Isa Mustafës dhe vëllai i Hashim Thaçit, Ganiu, janë " padronët " e ekonomisë, biznesit në Kosovë. "Bashkë me ta janë edhe Devollët, një treshe makabre, autoritare dhe e dhunshme. Këta nuk lejojnë askënd që të krijojnë kapital pa qenë të përfshirë, pa qenë edhe vetë pjesë e saj", u shpreh ai. "Pastaj, kësaj tresheje i bashkëngjiten individë të ndryshëm me ndikim, ku përfshihen kryetarë të komunave, ministra dhe deputetë, të cilët shërbejnë si sekserë në ndërmjetësimin mes këtyre bandave dhe biznesmenëve, të cilët duan të zgjerojnë kapitalin e tyre, ngase nuk ka asnjë biznes në të cilin këta nuk janë të përfshirë", theksoi ai. "Po e jap një shembull, ngase kultivimi i mjedrave në Kosovë kalon përmes vëllait të Hashim Thaçit, pra përmes duarve të Ganiut, i cili i eksporton në Serbi. Duke qenë i lidhur me serbët, ai e ka ulur shumë çmimin e mjedrave tek prodhuesit shqiptarë, të cilët janë të detyruar që ta shesin prodhimin e tyre me çmimin aq sa e dëshiron vëllai i Hashimit, e pastaj Ganiu e shet me çmim më të lartë në Serbi", tha Mehmeti. Ai, ndërkaq, sqaron se edhe në komunat tona është prezent favorizimi i bizneseve të lidhura me pushtetin, ato që nuk janë të lidhura falimentojnë. "Po ndodh që po rrihen biznesmenët e ndershëm nga sekserët e kryetarëve të komunave, po shantazhohen duke paguar haraç", potencoi ai.

(Kosova Sot)