Ekipi i Unitetit, gracka e re e presidentit

  • 19 September 2017 - 07:54
Ekipi i Unitetit, gracka e re e presidentit

Angazhimi ditëve të fundit i presidentit Thaçi, që me çdo kusht të aktivizohet, që të formohet një i ashtuquajtur Ekip i Unitetit politik në vazhdim të agjendës së mëtutjeshme të bisedimeve me Beogradin, nga njohësit e skenës politike në vend po shihet me një sy shumë kritik, duke e cilësuar atë si një kamuflim të ish- kryeministrit të Kosovës përballë dështimeve të tij në procesin e deritanishëm të dështimeve, të cilat dëshiron t'i mbulojë duke ndarë përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar vendit edhe me një partneritet më të gjerë politik, duke përfshirë pozitën dhe opozitën në këtë proces të dështuar deri më tani. Duke u nisur nga fakti, që dialogu me shtetin fqinjë, armiqësor, është bërë edhe detyrim ndërkombëtar ndaj shtetit të Kosovës, njohësit e rrethanave politike kërkojnë që në çfarëdo forme, nëse fillohet një proces i ri, ai duhet detyrimisht të kushtëzohet me heqjen dorë të shtetit fqinj për ta penguar rrugën e integrimeve rajonale e evropiane, sikur edhe duke paguar dëmet e luftës dhe të zbardhë fatin e të pagjeturve. Sipas tyre, fillimisht një shtet që bëhet pengesë e Kosovës në marrëdhëniet rajonale e ndërkombëtare, duhet të kushtëzohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, sepse nuk mund të ketë pajtim, përderisa ende ka sjellje armiqësore ndaj vendit tonë.

Image

 

Kryenegociatori të përgjigjet penalisht

Prof. Muhamet Kelmendi konsideron se kjo kërkesë e tanishme e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, nuk ka asnjë qëllim tjetër, veçse që të mundohet përmes një ekipi gjithëpërfshirës të unitetit t'i mbulojë dhe t'i bëjë të heshtura të gjitha gabimet e deritanishme në procesin e bisedimeve me Beogradin, timonier i të cilave ka qenë që nga fillimi i tyre, e për të cilat gabime do të mund të dënohej edhe me burg. " Thaçi ka bërë gabime dhe lëshime të mëdha që nga momenti i fillimit të "bisedimeve" me shtetin serb, nën udhëheqjen e tij. Ai ka vazhduar marrëveshje pas marrëveshjeje, deri te humbja e shtetësisë së Kosovës dhe ndarja territoriale e vendit, në atë serbe dhe në atë shqiptare, duke krijuar bazë politike për subjekt të ri me emrin Asociacion", tha ai. Sipas tij çështja e tillë ka filluar me marrëveshjet e para, derisa kulmi ka arritur me disa marrëveshjet më kritike, si: 1. Me Marrëveshjen për themelimin e organeve të drejtësisë dhe të organeve të pushtetit shtetëror; 2. Me Marrëveshjen për amnistinë e kriminelëve të quajtur "Rojat e Urës", të cilët u futën në polici dhe në administratë në veri, ndërsa tash punojnë kryesisht për Qeverinë e Beogradit, me uniformë të Kosovës; 3. Me Marrëveshjen për themelimin e një subjekti të ri politike, që e ka emërtimin: "Lista Serbe" dhe 4. Me Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit serb në Kosovë. Sipas Kelmendit, këto marrëveshje, sidomos kjo e Asociacionit dhe Lista Serbe kanë krijuar gjendje tepër të rëndë e të dëmshme për vendin që në një shtet normal do të ndëshkoheshin me dënimet më të rënda. "Duke u nisur nga këto çrregullime dhe shkelje të të drejtës në fuqi, si të Kushtetutës dhe të KP të Kosovës, për shkeljet që thashë dënimi është burgu. Por, në vend të kësaj, z. Thaçi po do për të krijuar një grup punues me emërtim Ekipi i Unitetit, që kryesisht qëllimi është largimi i përgjegjë- sisë penale të Hashim Thaçit nga shkeljet e rënda kushtetuese dhe penale, e ku dënimi shkon deri me burg të përjetshëm. Kjo është kështu e sanksionuar në Kodin Penal të Kosovës',tha prof Kelmendi për "Kosova Sot"

Image

 

 

Lojë tinëzare politike

Edhe analisti Hidajet Ahmeti thotë se tentativa e zotit Thaçi për të aktivizuar një të ashtuquajtur Ekip të Unitetit është lojë e tij e pastër politike për t'u liruar nga përgjegjësia e tij personale e institucionale, pasi procesin e dështimit të dialogut Kosovë-Serbi po mundohet ta konvertojë në bashkëpërgjegjësi politike me të gjitha forcat politike. Sidoqoftë, Ahmeti thotë se nuk duhet të ketë dialog të ri në vazhdim, pa strategji të re dhe pa qenë të dyja shtetet në pozita të barabarta. "Dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet me një nivel të barabartë në mes dy shteteve të barabarta, të pavarura e sovrane e jo dialogu të jetë nën agjendën dhe ombrellën e shtetit serb. Kjo logjikë e zhvillimit të dialogut ka prodhuar një ndasi më të madhe jo vetëm ndaj dy shteteve pretendente për në strukturat euroatlantike, por një ndasi edhe më të madhe ndaj komuniteteve që jetojnë në Kosovë, e veçanërisht në mes komunitetit serb dhe shqiptar", u shpreh ai. "BE-ja, si ndërmjetëse e dialogut Kosovë-Serbi, duhet të jetë më konstruktive, pasi qasja e tillë në dialog nuk prodhon një shpresë afatgjate, e cila do të reflektonte pozitivisht për avancimin e Kosovës në rrugën euroatlantike. Gjykoj se Kosova duhet të hartojë një strategji afatgjate për dialogun e jo të vazhdoj një dialog pa strategji e në dëm të Republikës së Kosovës dhe duke afruar Serbinë drejtë BE-së", tha Ahmeti.

Bisedimet sollën lëshime me pasoja

Një gjykim të tillë ka edhe Skënder Mulliqi. Ai thotë se bisedimet maratonike me Serbinë, që u zhvilluan në të kaluarën e afërt, për shumë çështje të hapura midis dy shteteve, nga ky hark kohor shihet se nuk i sollën të mira Kosovës. "Nga ato bisedime po i bartim edhe sot lëshimet karshi Kosovës, e në favor të Serbisë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe është prodhim i Grupit të Unitetit e shumëçka tjetër . Pas Grupit të Unitetit bisedimet për një kohë të gjatë i udhëhoqi Hashim Thaçi, i cili firmosi shumë marrëveshje teknike e të karakterit politik, të cilat shumë pak ose fare nuk u implementuan nga pala serbe, edhe ashtu jo të favorshme për Kosovën. Thaçi e pranoi edhe Fusnotën famoze në përfaqësimet e Kosovës në tubimet rajonale, e cila nuk doli flluskë sapuni, sipas Edita Tahirit. Demarkacioni ishte lëshimi i radhës i Thaçit, duke pranua që Kosova të humbë territor me Mal të Zi etj.", potencoi Mulliqi. Ai thekson se tani, nëse është aq e domosdoshme që të formohet ndonjë Grup i ri i Unitetit, do të duhej domosdo t'i parashtrohen kushte palës serbe, edhe pse me vonesë, siç është fillimisht pranimi i pavarësisë së Kosovës, për të vazhduar një nga një edhe me kushte të tjera. "Serbia ta heqë menjëherë nga preambula kushtetuese e saj Kosovën si pjesë integrale. Kushtet r tjera do të ishin pagimi i dëmeve të luftës, zbardhja e fatit të të pagjeturve, të gjallë apo të vdekur në Serbi, për të cilët pala serbe i ka të gjitha informacionet. Janë krejt broçkulla politike ato kur po pohohet se kështu apo ashtu po insiston bashkësia ndërkombëtare rreth marrëveshjeve të ndryshme bilaterale me Serbinë fqinje. Faktori politik shqiptar, në përgjithësi, duhet të jetë unik në qëndrimet e veta, duke ia bërë me dijë palës serbe se bisedimet mund të vazhdohen vetëm si dy shtete fqinje që janë, e jo mbi ndonjë bazë tjetër politike apo çfarëdo qoftë ajo", tha Mulliqi për "Kosova Sot".

Image

 

Rishikim të marrëveshjeve

Një gjykim krejt më të veçantë e ka analisti Jeton Kelmendi. Ai thotë se ideja e presidentit Thaçi ka qëllim krejtësisht të përfitimit personal në raport me Gjykatën ndërkombëtare, përmes pazareve të rrezikshme ku do ta futë gjithë klasën politike të vendit. "Mendoj se Thaçi nuk e ka shumë hall punën e Kosovës, sepse nuk e ka pasur kurrë, por ky njeri mendon për veten. Tani, kur i ka humbur primati, ai nuk mendoj se po tenton ta ndajë fajin me të tjetër, duke krijuar grupe uniteti, sepse krejt çka ka bërë në dëm të Kosovës me negociatat me Serbinë e ka bërë me vetëdije, por negociatat me Serbinë i kanë zgjatur pushtetin këtij politikani makiavelist",tha Kelmendi për "Kosova Sot". Mirëpo, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Mustafë Kadrijaj tha se, pavarësisht gabimeve që mund të jenë bërë në të kaluarën në këtë proces, finalja e këtij dialogu do të duhej përmbyllur edhe duke bërë revidimin e atyre lëshimeve të së kaluarës, por duke vendosur kushte konkrete për shtetin serb para se të arrihet marrëveshja e plotë për pajtim dhe normalizim të raporteve mes dy vendeve. "Duke e njohur figurën e presidentit Thaçi, si një njeri që deri tani të gjitha lëvizjet politike i ka bërë për të akomoduar vetveten si nga ana politike dhe kombëtare, mendoj që ka vend për dyshime, sepse kanë vendosur nënshkrime në shumë marrëveshje, që nuk i dinë forcat politike dhe opinioni, kështu që kreditin politik e ka marrë tani ai, nevojitet vetëm akomodimi në aspektin kombëtar, që mos të dalë si një figurë që nuk ka punuar në interes të vendit", u shpreh ai. "Parimisht jam për një grup të një unitetit që është dëshmuar, sikurse në Rambuje, po ashtu edhe në bisedimet për pavarësi", tha njohësi i zhvillimeve politike dhe ekonomike, Mustafë Kadrijaj.

LB-ja kërkon platformë dhe konsensus nacional

Lëvizja për Bashkim, përmes një komunikate për medie, ka propozuar një platformë për bisedime me Serbinë para Ekipit të Unitetit. "Kohëve të fundit nga president i vendit u shtrua nevoja për formimin e Ekipit të Unitetit për të përmbyllur negociatat me Serbinë. Për më tepër, presidenti shtoi se për rezultatet e këtyre negociatave do të vendosë populli përmes një referendumi, deklaratë e cila shkaktoi jo pak habi, për shkak të spekulimeve që u përhapën për rezultatet e mundshme të këtyre negociatave", thuhet në kumtesën e LB-së. Lëvizja për Bashkim edhe njëherë konstaton se dialogu politik me Serbinë është i domosdoshëm për zgjidhjen e problemeve të mbetura shqiptaro-serbe. "Ne konsiderojmë se rruga e ndjekur e deritanishme në negociata ka qenë e gabuar. Përqendrimi në çështje bilaterale teknike, në ato të brendshme të Kosovës dhe trajtimi kryesisht i pozitës së serbëve në Kosovë nuk mund të sjellë rezultate pozitive. Një qasje e tillë vazhdon ta lërë Kosovën jofunksionale e të varur nga pakica serbe dhe në anën tjetër i lë në harresë krejtësisht shqiptarët në Kosovën Lindore", thuhet në njoftim. "Ndryshimi i qasjes së dialogut nuk ka dyshim se kërkon një konsensus politik të forcave politike shqiptare në Kosovë. Por, para krijimit të çfarëdo ekipi të unitetit, forcat politike shqiptare do të duhej të ndërtonin një platformë të përbashkët politike për bisedimet me Serbinë. Ndërtimi i një platforme të përbashkët do të vendoste institucionet e Kosovës në pozicion shumë më serioz se deri më tani si në raport me Serbinë, ashtu edhe me BE-në, do të ndikonte në sqarimin e pozicioneve të forcave të ndryshme politike, do të ndihmonte në krijimin e një stabiliteti më të madh politik të brendshëm si dhe rezultatet e këtij dialogu politik do të ishin më të parashikueshme", thuhet në qëndrimin e LB-së.

 (Kosova Sot)