Tenderët milionësh korruptivë NUK I HETON ASKUSH

  • 20 September 2017 - 08:12
Tenderët milionësh korruptivë NUK I HETON ASKUSH

PSE PROKURORIA SPECIALE NUK NIS RASTET "EX OFFICIO"

"Keqpërdorimi i parasë publike u bë rregull e jo përjashtim. Prokurorët gjithashtu nuk kanë njohuri bazike për Ligjin e Prokurimit", potencoi Hasan Preteni nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet

Ka dyshime të forta se përmes tenderëve njëburimorë bëhet abuzim i madh

Që nga koha e shpalljes së pavarësisë, 9 vjet më parë, e deri më sot, por edhe që nga koha e UNMIK-ut, pastaj e EULEX-it, Prokuroria e vendit nuk arriti deri në ditët e sotme apo mbase nuk guxoi të zbardhë mënyrën dhe dyshimet e mëdha se si po "trafikohen e fitohen" kundërligjshëm tenderët prej dhjetëra milionësh, që janë njëburimorë në Kosovë. Po kjo Prokurori vendore madje asnjëherë nuk e ndriçoi as edhe një rast për mënyrën se si dyshohet se po jepen ryshfetet dhe po shpëlahen paratë përmes kompanive që fitojnë këta tenderë deri qindra milionësh përmes krimit të organizuar dhe të lidhur me politikën dhe nëntokën kriminale të instaluar në vend. Së këndejmi, analistët dhe njohësit e fushës së drejtë- sisë me të drejtë pyesin se përse njerëzit e drejtësisë në vend se të zbulojnë e të luftojnë me detyrë zyrtare "ex officio" krimin e organizuar e korrupsionin dhe të zbardhin krimet e njëpasnjëshme të organizuara dhe zhvatjen që po i bëhet popullit dhe buxhetit të shtetit, ata po hezitojnë ta bëjnë këtë duke rënë ndesh me ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se prokuroritë nuk lëvizin edhe nëse u dërgoni informacione, por e keqja më e madhe është se pse nuk lëvizin sipas detyrës zyrtare, derisa, siç tha, Zyra e Auditorit për çdo vit i publikon Raportet Vjetore në lidhje me shpenzimin e parasë publike, ku ka shumë raporte që dëshmojnë për keqmenaxhimin e parasë publike, shkelje materiale të shumta. "Keqpërdorimi i parasë publike u bë rregull e jo përjashtim. Prokurorët gjithashtu nuk kanë njohuri bazike për Ligjin e Prokurimit", potencoi Preteni. 

Pasuritë e paligjshme të konfiskohen

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani thotë se çështja e tenderomanisë është çështje kruciale kriminale, që ka jetuar kjo klasë politike e varfër dikur dhe e pasuruar më vonë deri në ditën e sotme. Sipas tij, deri më tash nuk ka pasur asnjë rast të madh në këtë drejtim, përveç një rasti që është trajtuar dhe s'ka kurrfarë aktgjykimi për këtë rast nga gjykata, teksa në Kosovë, siç tha, kjo çështje është e njohur botërisht, ku të gjithë e dinë se ka pasur njerëz të pasuruar prej formave të paligjshme, por s'ka asgjë për kah aspekti i trajtimit të këtyre rasteve. " Pa konfiskim të pasurive të paligjshme, s'ka rend dhe ligj, shteti nuk ndërtohet kështu me përfitues nga qytetarët dhe pasuritë publike, por herët apo vonë duhet të ndodhë pastrimi i skenës politike nga keqbërësit dhe duhet tërësisht t'u konfiskohet pasuria, në të kundërtën këtu do të lulëzojnë piramidat dhe format e tjera, siç mund të jenë krijimi i strukturave të fajdexhinjve. Po të hetohen rastet në brendi, çdo gjë do të jetë e qartë dhe nuk do të ishte e komplikuar kjo çështje, por s'ka as vullnet, e as guxim që Prokuroria dhe Gjykata të merret me këtë e temë", theksoi më tej ai. "Në anën tjetër, as UNMIK-u e as EULEX-i deri më tash nuk kanë pasur rezultat efektiv apo njerëz me aktgjykime, pasi EULEX-i ka një rezultat të vogël në këtë temë, dhe deri më tash nuk ka asnjë 'stuhi' për të ndjekur personat e politikës për pasurim pa bazë. Andaj, në këto raste është i nevojshëm një mision, i cili vepron me shpejtësi që të hetohen njëmend dhe me seriozitet një numër i madh i njerëzve, që janë pasuruar kundërligjshëm apo dyshohet se janë pasuruar pa bazë legale", theksoi për gazetën "Kosova Sot" eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani. 

Hajnia më e madhe në asfalt

Avokati Tomë Gashi ka bërë me dije se sa u përket tenderëve apo mosndëshkimit nëse tenderët janë fituar në mënyrë të kundërligjshme, nga ana e prokurorëve mosngritja e akuzave sipas dispozitave ligjore, tenderi i cili, siç tha, më së shumti e ka dëmtuar Kosovën është tenderi i Rrugës së Kombit, tenderi i rrugës që çon për Shqipëri, dhe ai tender jo që nuk ka guxuar kurrë të hetohet, por ai nuk është bërë publik, edhe pse ka shumë vjet që rruga është përfunduar dhe përfundimi i rrugës është jashtëzakonisht me një kualitet tepër të dobët. "Nuk është e rastë- sishme që së paku 3 rrugë nacionale, rruga për në Shqipëri, pastaj rruga për në Maqedoni dhe tani autostrada që pritet të fillojë për pjesën që e lidh Prishtinën me Gjilanin i janë dhënë gjithmonë kompanisë së njëjtë, ku deri më tani ajo kompani ka realizuar rreth 2 miliardë euro në Kosovë, ndërsa kualiteti i rrugëve është jashtëzakonisht i dobët në proporcion me çmimet, ndërsa çmimet e rrugëve në Kosovë për kompani, posaçërisht të huaja që i kanë marrë ata tenderë, janë me çmime shumë më të larta, se ç'janë në Amerikë dhe në Zvicër, ndërsa kualiteti është sikur të kishim të bëjmë me rrugë të ndonjë shteti të pazhvilluar afrikan dhe askush kurrë nuk është përgjigjur për këtë tender, kështu që, nëse për tenderin e parë, që është rreth 1 miliard euro, për tenderët e tjerë, që janë rreth 600 milionë euro, dhe nëse ne kurrë nuk i kemi bërë publike kontratat se si janë lidhur dhe me presion të kujt janë lidhur, atëherë si mund të kërkojmë përgjegjësi për tenderë me shuma më të ulëta", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" avokati Tomë Gashi. 

(Kosova Sot)