Partitë fshehën milionat e inkriminuar!

  • 21 October 2017 - 09:12
Partitë fshehën milionat e inkriminuar!

Pas 4 vjetësh, nis auditimi i raporteve

Donacione të shumta inkriminuese mbahen sekret

“Prapa fshehjes së financave të partive politike qëndron oligarkia kosovare, ajo që financon partitë politike, me kusht që këto parti kur e marrin pushtetin do të kryejnë favore për oligarkinë kriminale”, tha Ymret Reshiti  

Partitë tona që katër vjet nuk i kanë audituar fare raportet financiare, ndonëse ekzistojnë dhe harxhojnë fonde publike, kanë marrë edhe donacione dhe i kanë qarkulluar e shpenzuar milionat,  pa kurrfarë transparence. Po ashtu dyshohet se partitë edhe i kanë blerë votuesit shpesh, për të ardhur dhe për të mbetur në pushtet, pastaj i kanë blerë bizneset e inkriminuara me ta, ndërsa akoma nga shteti po lejohet kjo fshehje e xhepave të subjekteve kosovare. Pas një zvarritje të qëllimshme nga politika e inkriminuar, në mbledhjen e vetë të parë për këtë mandat, nën presionin ndërkombëtar, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka bërë përzgjedhjen me short të auditorëve, të cilët do të duhet të bëjnë auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike, për vitet 2013, 2014, 2015, dhe 2016, mirëpo analistët nuk besojnë që do të arrijë më në fund Kuvendi i Kosovës, kjo legjislaturë e re, të zbardhë të palarat në financat e partive politike të fshehura për   katër vitet e kaluara. Për më tepër ekziston dyshimi se edhe ky auditim të jetë vetëm një improvizim sipërfaqësor, duke ditur faktin se për auditimin e pasqyrave financuare vjetore dhe raporteve financiare zgjedhore komisioni ka dhënë një afat vetëm  prej 45 ditësh, për të përfunduar këtë çështje të bllokuar për katër vite rresht. Njohësi i kësaj fushe, Hasan Preteni, thotë se nuk ka shans që auditori të arrijë deri te të dhënat e financimit jashtë buxhetit të Kosovës dhe donacionet e partive politike edhe në këtë proces.“Unë jam skeptik, auditimet do të dalin në rregull, sepse të kujdesshëm janë ata, në letra i vendosin vetëm disa nga financat kryesisht ato për demokratizim që i marrin nga buxheti. Problemi është te financimi jo legal ku ka shumat dhe emrat e financuesve nuk  evidentohen zyrtarisht”, tha Hasan Preteni për ‘Kosova Sot’.

Lidhja kriminale oligarki-parti

Analisti politik Ymret Reshiti thotë se fshehja e raporteve të financimit nga ana e partive politike në Kosovë tregon mostransparencën dhe për “burimet e dyshimta” të financimit të tyre qoftë edhe nga burime kriminale. “Fshehja e financave të partive politike është pikënisja e fshehjes nga ligji, të kriminalitetit në gjenezë, që bëhet në mes partive politike dhe oligarkisë. Prapa fshehjes së financave të partive politike qëndron oligarkia kosovare, ajo që financon partitë politike, me kusht që këto parti kur e marrin pushtetin do të kryejnë favore për oligarkinë kriminale.  Është fakt se pas çdo partie politike kosovare qëndrojnë oligarkë të fortë, prandaj është e kuptueshme pse po dështon lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovës. Partitë politike të “mykura” në milionat e oligarkisë kriminale hezitojnë të shkurtojnë “burimet” e tyre të ekzistencës, prandaj dorëzohen para krimit dhe korrupsionit”, potencoi ai.“Nëse do të shohim raportet e financimit të partive politike, atëherë shumë lehtë do të njohim lidhjet e krimit dhe korrupsionit në mes të pushtetit dhe oligarkisë. Do të shohim se si partitë politike përmes keqpërdorimit të pushtetit i favorizojnë ndërmarrjet e fuqishme në Kosovë, duke u dhënë tenderë, pronë dhe favore të tjera në “emër të financimit” të partisë”, tha Ymret Reshiti për ‘Kosova Sot’. Ai konsideron se nëse Kosova vazhdon që të vuajë nga mungesa e transparencës së financimin të partive politike, mund të rrezikojë ndjeshëm proceset e saja integruese, ngase BE-ja kërkon transparencë të plotë të financimit të partive politike, sikurse kanë vepruar edhe vendet tjera të Ballkanit para nesh.

Partitë, si skema piramidale

Edhe njohësi tjetër i kësaj fushe, Blerim Burjani, thotë se realisht partitë politike në Kosovë janë sikur fabrika profitabile dhe në këtë kontekst të ngjarjeve duken si skema piramidale dhe nuk pritet të bëhet as minimumi i transparencës së financave të tyre. “Pra, nuk dihet ka vijnë paratë që bëjnë fushata politike, harxhojnë para të shumta jashtë ligjshëm, jo si e parasheh ligji për zgjedhje dhe askujt nuk i përgjigjen dhe realisht këto skema primidale janë mbi ligjin, vetë vendosin për gjithçka. Për këto parti dhe për transparencë s’ka kush që i obligon me i bërë transparente financat, s’ka gjasa se nuk kush fuqi mbi partitë politikë në Kosovë”, u shpreh ai. “Ato marrin donacione prej kujt duan”, tha Burjani për “Kosova Sot”.  Edhe analisti Forim Zeqa ka pohuar se mosbërja transaparente e burimit të financimit të partive politike, përveç dilemave ngrit edhe shqetësime në mesin e popullatës. “Djegia e miliona eurove nga partitë politike pa kurrfarë transparence gjatë fushatave zgjedhore duke filluar nga spotet televizive, reklamat nëpër mediet e shkruara, blerja me çmimin më të ulët në rajon të votës së qytetarëve dhe blerja dhe shantazhimi i bizneseve në Kosovën e varfër është bërë shqetësim edhe i organizatave ndërkombëtare që bëjnë monitorimin e zgjedhjeve. Po ndodh pikërisht kështu për faktin e "Auditimeve" të improvizuara nga komisionet e përzgjedhura politika e inkriminuar”, u shpreh ai.“Sikurse praktika e keqe e blerjes së votës së qytetarëve nga ana e partive politike do të përsëritet edhe vjedhja industriale e votave në zgjedhjet e 22 tetorit. Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i ndikuar nga presioni ndërkombëtar, ka bërë përzgjedhjen me short të auditorëve, të cilët do të duhet të bëjnë auditimin e Raporteve Vjetore Financiare dhe Raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016. Mirëpo, edhe ky auditim rrezikon të jetë vetëm një improvizim sipërfaqësor, duke ditur faktin se për auditimin e pasqyrave financuare vjetore dhe raporteve financiare zgjedhore komisioni ka dhënë një afat vetëm prej 45 ditësh, për të përfunduar këtë çështje të bllokuar për katër vite rresht. Bazuar në përvojën e deritanishme, as kjo legjislaturë e Kuvendit nuk do të arrijë t'i zbardhë të palarat në financimet e partive politike të fshehura në katër vitet e kaluara”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Analisti politik Skënder Mulliqi, po ashtu duke e parë improvizim këtë proces auditimi, thotë se për fat të keq çfarë i kemi partitë politike, të tillë e kemi edhe shtetin.“Mostransparenca dhe hajnitë e mëdha e të vogla të parasë publike fatkeqësisht janë bërë pjesë e jetës sonë. Asgjë nuk ka transparente në këtë shtet, kështu qëndron puna edhe për shpenzimet parasë publike të partive politike gjatë fushatave, ku sigurisht këto para janë shfrytëzuar deri më tash edhe për qëllime të tjera, siç është blerja dhe kontrabandimi i votës. Sigurisht së sikur gjithçka të ishte bërë transparente në këtë shtet, edhe shpenzimet enorme të partive politike, besa edhe futja e parasë e destinuar për zgjedhje në xhepa privatë, sigurisht se nuk do ta kishim pasur këtë gjendje të keqe politike dhe veçmas të ecurive ekonomike dhe sociale. Nuk do të kish pasur krim dhe korrupsion të niveleve kaq të larta”, tha Mulliqi për ‘Kosova Sot’. Ai pohon se edhe ky auditim që do të zhvillohet tani nuk është i vullnetshëm nga politika, por imponim ndërkombëtar.“Kemi mungesë të madhe të mbikëqyrjes dhe të transparencës së partive politike të cilat gjatë fushatave po përdorin fonde në kundërshtim me ligjet në fuqi, duke e dëmtuar kështu procesin zgjedhor. Më në fund ishte dashur që të gjithë mekanizmat ekzistues të futen në funksion që të këputët zinxhiri i dallavereve rreth shpenzimit të parasë publike të partive politike. Në Kosovë asnjëherë nuk është bërë auditimi i fushatave zgjedhore, ndonëse këtë kompetencë e ka pasur Kuvendi i Kosovës. Fushatat për zgjedhje në Kosovë shpenzojnë miliona euro, ndërsa nga partitë politike deklarohen  shuma prej disa dhjetëra ose qindra e mijëra”, potencoi Mulliqi.  

 

“Bizneset e ndryshme e kanë parë që investimi në fushata zgjedhore po u sjellë atyre përfitime në projekte publike, pasi që partia e caktuar po vjen në pushtet. Ka kompani të cilat po janë të lidhura me politikën, të cilave pushteti po u krijon monopole dhe favore në treg”, tha analisti Mulliqi

“Meqë krimi dhe korrupsioni janë lidhur ngushtë me partitë politike dhe oligarkinë kosovare, një impuls i fortë në luftën  kundër krimit dhe korrupsionit paraqet transparenca e financimit të partive politike kosovare”, tha Ymret Reshiti

 

“Edhe pas këtyre zgjedhjeve lokale do të vazhdojë hipokrizia dhe mosbërja transparente e "xhepave" të partive politike kosovare. Për zbardhjen e aspekteve financiare të partive politike, krahas ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet, përmes një projektligji të veçantë të kushtëzohen subjektet politike me rastin e certifikimit në KQZ, në të kundërtën do t'i kalojmë edhe sa procese të tjera zgjedhore me të njëjtat "rrjedhje" dhe avari financiare nga arka e shtetit, të shkaktuara kryesisht nga partitë në pushtet

(Kosova Sot)