SHBA heqin Kubën nga lista e vendeve të trafiqeve

  • 28 July 2015 - 10:29
 SHBA heqin Kubën nga lista e vendeve të trafiqeve

Shtetet e Bashkuara kanë hequr Kubën nga lista e vendeve që kanë dështuar në luftimin e tafikut të qënieve njerëzore.
Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit ku njoftohej kjo lëvizje e administratës amerikane vjen një javë pasi Uashingtoni dhe Havana rivendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike.
Nënsekretarja e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall deklaroi se Kuba ka bërë progres në luftimin e trafikut të qënieve njerëzore për qëllime prostitucioni.
Por, shtoi zyrtarja, shqetësimet mbeten të larta sa i takon dështimit të vendit në zgjidhjen e punës së detyruar.
“Qeveria e Kubës nuk përmbush as standardet minimale për eleminimin e trafikut, por megjithatë ajo po bën përpjekje të forta”, deklaroi Sewall, transmeton TCH.
Shtetet e Bashkuara vendosën gjithashtu të hiqnin edhe Malajzinë nga lista e vendeve që kanë dështuar në këtë drejtim, një lëvizje kjo e kritikuar ashpër nga grupet e të drejtave të njeriut.
“Të dhënat që zotërojmë tregojnë se përpjekjet e Malajzisë për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore janë shumë larg të qenit të mjaftueshme për të bërë një lëvizje të tillë”, deklaroi Human Rights Watch në një deklaratë.