< "Handikos", në ditë të vështira - Lajme - Kosova Sot
"Handikos", nė ditė tė vėshtira

"Handikos", nė ditė tė vėshtira

Shoqata "Handikos", në Prizren, sipas menaxherit Shaip Kryeziu është në gjendje të vështirë. Po të mos ishte një ndihmë nga Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale e Komunës së Prizrenit, ajo do të ndalonte së funksionuari. Shoqata"Handikos" ka kërkuar një ndihmë nga Komuna e Prizrenit në lartësi prej 20 mijë euro, por Drejtoria e Mirëqenies nga kjo Komunë ka ndarë 4 mijë euro me të cilat janë funksionalizuar departamentet e kësaj shoqate. "Deri më tani janë 28 fëmijë, të cilët barten deri në këtë shoqatë dhe kushte aktuale nuk janë të mira. Ajo që është nevojë urgjente është formimi i një fondi të veçantë për pajisje ortoprotetike, e mos të mbetet kjo shoqatë gjithmonë në mëshirën e vullnetarëve humanitar", pohon për "Kosova Sot", menaxheri i kësaj shoqate Shaip Kryeziu.

Image

 

Punët vullnetare

Kryeziu thotë se deri më tash shoqata nuk ka arritur të gjejë financim institucional të përhershëm. "Deri më tani janë 28 fëmijë nga mosha 1 deri në moshën 15-vjeçare, të cilët barten deri në këtë shoqatë dhe kushte aktuale me një automjet të dhuratë si donacion gjerman janë të pamjaftueshme", është shprehur ai. Kryeziu thekson se gjendja ekonomike e kësaj shoqate është mjaft e rëndë. Vetë Kryeziu, që është në detyrën e menaxherit, bën punë vullnetare pa u paguar asnjë cent. Ai madje është i detyruar të kryejë edhe detyrën e vozitës me një pagë minimale. Ai tregon se ka vullnet që të ndihmojë këtë shoqatë. Por, ai tregon se krijimi i fondit të veçantë tashmë është nevoja e vetme e kësaj shoqate. Ai thotë se nevojat janë të mëdha për 1556 anëtarë, sa ka të regjistruar shoqata. "Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Prizren na ka ndihmuar me 4 mijë euro, por këto nuk po mjaftojnë që kjo shoqatë të ketë kushte të mira funksionimi", pohon koordinatori Kryeziu.

Fëmijët në këtë shoqatë kërkojnë kushte më të mira

Shoqata kohë më parë është ndihmuar edhe nga KFOR-i turk, me shumë mjete ortopedike, shtretër dhe nevoja elementare për persona me aftësi të kufizuara, por nevojat e kësaj shoqate janë të mëdha. Objekti është pronë e Kuvendit komunal. Ata shpresojnë se do të gjendet pos ndihmave të donatorëve edhe ndonjë formë institucionale që kjo shoqatë të ketë përkrahje edhe financiare edhe të funksionimit në shërbim të këtyre personave. Kjo shoqatë organizon edhe aktivitete të ndryshme, sipas edukatores së Qendrës Merita Shala. Shumë aktivitete të kësaj shoqate bëhen me angazhim maksimal edhe në fushën arsimore. Ajo tregon se ka një projektet të "Save the cildren" që është një projekt katërvjeçar nga qendra në Prishtinë, kurse fizoterapeutja Samira Musiq financohet nga mjetet e ndara nga Drejtoria e Mirëqenies për Punë Sociale. Fëmijët e kësaj shoqate kërkojnë ndihma për t'u krijuar kushte më të mira për ata.

(Kosova Sot)

12 orë e 41 minuta më parë