< Politika e përdor drejtësinë për shantazh - Lajme - Kosova Sot
Politika e pėrdor drejtėsinė pėr shantazh

Politika e pėrdor drejtėsinė pėr shantazh

GJYKATAT DHE PROKURORITË, NË DUART E OLIGARKËVE TË PUSHTETIT

"Shantazhi dhe kërcënimi janë metoda të punës dhe mbijetesës së mafisë politike në pushtet tash e sa vjet. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk mund të udhëhiqet nga mafia politike që ka pushtetin dhe as nga zyrtarët publikë, të cilët janë të shantazheshëm për shkak të 'hipotekave të tyre kriminale' të së kaluarës", u shpreh Analisti Ymret Reshiti 

Lufta kundër krimit, në start e dështuar

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se shantazhi dhe kërcënimi janë metoda të punës dhe mbijetesës së mafisë politike në pushtet tash e sa vite. Sipas tyre, lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk mund të udhëhiqet nga mafia politike që ka pushtetin dhe as nga zyrtarët publikë, të cilët janë të shantazhueshëm për shkak të 'hipotekave të tyre kriminale', derisa si mënyrë efikase për të kapur shtetin mafia politike po përdor rekrutimin dhe avancimin nëpër pozita kyçe të shtetit zyrtar publik me "hipoteka kriminale", të cilët i shantazhon sipas interesave të saja. Ata kanë shtruar edhe çështjen se si nëntoka dhe politikanët i përdorin dosjet për rivalët për shantazhe pushteti e jo për ta zbardhur drejtësinë. Për atë se a është bërë shantazhi mjet i punës, si në drejtësi ashtu edhe në politikë gjithandej në institucionet e kapura në fakt kriminalisht nga krimi i organizuar, flet shkrimi në vijim. Analisti Ymret Reshiti, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se Kosova pati fatkeqësinë e saj, ngase nuk u nda nga e kaluara e saj moniste. Sipas tij, ndërtimi i institucioneve të Kosovës menjëherë pas luftës u bë me njerëzit të cilët kanë punuar për ish-sistemin monist të Serbisë dhe Jugosllavisë dhe këta ishnëpunës publikë kanë "hipoteka" personale të krijuar me punën e tyre kriminale në shërbim të politikës shoviniste serbe në Kosovë.

Zyrtarët nuk iu nënshtruan verifikimit

Reshiti theksoi se klasa jonë politike pas shpalljes së pavarësisë nuk e bëri vetting-un ndaj gjithë ish-nëpunësve publikë të ish- Krahinës së Kosovës, të cilët me "urdhrin" e UNMIK-ut pushtuan administratën e Kosovës dhe morën pozitat kryqe në shumë institucione të rëndësishme të Kosovës. "Në fillim politikanët tanë arsyetoheshin se një proces i tillë i vetting-ut mund të konsiderohet 'hakmarrje" ndaj atyre që punuan në ish- sistemin monist, por kjo ishte një gënjeshtër me prapavijë. Duke e ditur faktin se kjo pjesë e funksionarëve me "hipoteka kriminale" nga puna e tyre në ish-sistemin monist janë të shantazhueshëm, mafia jonë politike i ka 'rekrutuar' për të punuar për interesa të tyre", u shpreh ai."Zhdukja e dosjeve, pushimet e hetime, vjetërsimi i lëndëve penale, lirimi nga përgjegjësia penale e bosëve politikë të krimit dhe korrupsionit janë kryer me ndihmën e zyrtarëve publikë, të cilët duke qenë të shantazhuar e kanë ndihmuar krimin dhe korrupsionin e mafisë politike", ka vijuar Reshiti. Tutje ai shton se si mënyrë efikase për të kapur shtetin mafia politike po përdor rekrutimin dhe avancimin nëpër pozita kyçe të shtetit zyrtar publik me "hipoteka kriminale", të cilët i shantazhon sipas interesave të saja. "Shantazhi dhe kërcënimi janë metoda të punës dhe mbijetesës së mafisë politike në pushtet tash e sa vjet. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk mund të udhëhiqet nga mafia politike që ka pushtetin dhe as nga zyrtarët publikë, të cilët janë të shantazhueshëm për shkak të "hipotekave të tyre kriminale" të së kaluarës", u shpreh Analisti Ymret Reshiti. 

Image

Krimi i organizuar u shtri edhe në parti

Analisti Naim Miftari mendon se dosjet përdoren për shantazhe dhe gjithmonë kanë një qëllim dhe nuk është sekret aspak se shumica e kryeprokurorëve dhe prokurorëve kanë dosje mbi të kaluarat e tyre prokomuniste, prandaj edhe shantazhohen dhe blihen lehtë. Sipas tij, Kosova e pasluftës nuk mund të mburret me asnjë rast te veçantë dhe të madh të zgjedhur gjyqësor, përkundrazi, siç tha Kosova, ka dështuar, por edhe ndërkombëtarët në të gjitha rastet e ndjeshme ose kanë dështuar totalisht ose janë dënuar 'peshqit e vegjël', pra kriminelë të parëndësishëm, por kur vjen radha te bosët e krimit rezultatet janë afër zeros."Krimi i organizuar sot është i mbjellë dhe i kultivuar në partitë politike dhe në pushtet, do të thotë në qeveri dhe shumë normale është që krimi i organizuar i përdor e i keqpërdor edhe dosjet e ish-SHIK-ut, SIA dhe aq më pak do të përdorin edhe policinë, gjyqësinë hetuesit dhe përgjimet e AKI-së për përfitime joligjore dhe për çështje private, kjo nuk do koment më shumë kur kundërshtarit politik apo kritikuesit i merren edhe SMS private, që i bën me gruan e vet apo familjarët tjerë, dhe i qiten në media", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari. 

Sistemi i drejtësisë u degradua

Analisti Naim Kelmendi thotë se nga paslufta e deri më sot zyrtarët e inkriminuar e kanë degraduar shumë keq sistemin e drejtësisë, derisa siç tha janë të njohur ata që kanë pasur edhe procese gjyqësore dhe kanë abuzuar me ligjin, e që me këta gjyqtarë e prokurorë nuk ecën gjyqësia përpara dhe as reformimi i saj. Sipas tij, kjo është edhe ana e errët e kësaj gjyqësie dhe drejtësisë përgjithësisht të ndikuar nga mafia dhe krimi politik, por që ka edhe mjaft të inkriminuar brendapërbrenda gjyqësorit, që paraqesin një pengesë të madhe për zhvillimin dhe reformimin tij. "Dihet se pas luftës në këto institucione janë vënë prokurorë e gjyqtarë edhe të ishsistemit të kaluar, duke zënë vendet në këto institucione të drejtësisë, andaj pikërisht ata që deri dje para luftës kanë dënuar e gjykuar me ligjet e ish- sistemit diktatorial dhe tash dënojnë sërish me ligjet e sotme demokratike, por me mendësinë e vjetër të tyre", potencoi ai. "Pra, kështu me gjyqtarë dhe gjyqësi të korruptuar e të inkriminuar në afera korruptive dhe të tjera drejtësia në Kosovë është në një stad të keq të zhvillimit dhe të gjendjes së saj, e larg standardeve evropiane. Prandaj, ky është treguesi më i mirë se këto institucione duhet pastruar nga këta njerëz të korruptuar dhe të inkriminuar për të pasur një gjyqësi të pastër, të lirë dhe demokratike, në mënyrë që të plotë- sohet edhe ky standard i kërkuar sa herë edhe nga BE-ja, duke qenë në luftë të pakompromis me krimin e organizuar dhe korrupsionin e përmasave galopante, që po e ha si kancer shoqërinë dhe zhvillimin e saj demokratik!", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. 

Të shtohet koordinimi institucional

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka nënvizuar se në çdo shtet dhe shoqëri ku nuk funksionojnë sa dhe si duhet në mënyrë efikase, të përgjegjshme e profesionale, institucionet e shtetit të së drejtës, atëherë krijohet ambient i përshtatshëm që të gjithë keqbërësit e abuzuesit dhe shkelësit e ligjit dhe të rendit të kenë ambient të dobishëm dhe adekuat për të zhvilluar aktivitetet e tyre të kundërligjshme e abuzuese."Prandaj për ta parandaluar dhe ndryshuar këtë gjendje, por edhe për ta sanuar na duhet definitivisht që në radhë të parë ta sanksionojmë mirë vendin dhe pozitën e institucioneve të pavarura dhe funksionimin e tyre, përgjegjësitë dhe autorizimet e tyre, pra KGJK dhe KPK, pastaj policia gjyqësore dhe të tjerët, të cilët në fakt në këtë rast këta dy këshilla kryejnë më tepër veprimtari në një mënyrë apo tjetër korporative sesa si institucion i pavarur. Pastaj gjithsesi edhe përmirësimi i të gjitha hallkave institucionale dhe ngritjes së vetëdijes qytetare, ndërrimi i kulturës apo absorbimi dhe akceptimi i kulturës juridike qytetëruese, edhe më shumë sesa që tash e kemi atmosferën, pra nga të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë që të mos shkelën ligjet, të mos bëhen dëme dhe të mos shkelen po ashtu të drejtat e të tjerëve", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar, Mazllum Baraliu. 

(Kosova Sot)  

18 orë e 47 minuta më parë