Mehmeti: Të mbrohemi nga zhvatësit

  • 02 November 2017 - 13:22
Mehmeti: Të mbrohemi nga zhvatësit

Analisti Faton Mehmeti tha për "Kosova Sot" se raporti i fundit i Bankës Botërore për komunat e Kosovës është dëshmi e qartë se komunat tona po keqmenaxhohen. "Fakti se komunat e Kosovës radhiten në vendin e 122-të tregon mjaft mirë se në çfarë gjendje kaotike janë këto komuna dhe sa keqmenaxhohen dhe udhëhiqen ato", u shpreh ai."Në fakt ky raport zbardhë skandalin që po ndodh në komunat e Kosovës me lejet për ndërtim e zhvillim. Lejet e ndërtimit janë shndërruar në vatër të korrupsionit, aty ku pa dhënë mitë nuk ka leje ose pa qenë i lidhur me bandat, të cilat sponzorizojnë kryetarët e komunave. Natyrisht se vëmendje më e madhe në këtë raport i kushtohet kryeqytetit, aty ku destinohen më shumë investimet dhe rrjedhimisht janë më të mëdha mundësitë që të përfitojë kryetari i komunës", potencoi Mehmeti. Ai është i mendimit se prokuroria ka shumë arsye dhe mjaft dëshmi për të filluar procedurat e ndjekjes ndaj të gjithë zyrtarëve në komunën e Prishtinës për dhënien e lejeve pa meritë bizneseve të lidhura me pushtetarët."Nëse ka mbetur pak ndërgjegje në sistemin e drejtësisë do të duhej të fillonte hetime, edhe nëse nuk ka asnjë bazë tjetër mjafton ky raport i Bankës Botërore për të filluar hetime nga A deri në ZH", theksoi ai. "Nuk duhet lejuar që një komunë të shndërrohet në kupolë të krimit, aty ku bëhet biznesi dhe merren lejet pa meritë, aty ku krimi dhe haraçi lulë- zon në mes të kryeqytetit. Kosova duhet filluar të mbrojë vetveten nga njerëz që vijnë për të zhvatur vendin, duke përfituar milionat në kurriz të qytetarëve të ndershëm", vlerëson analisti Mehmeti.

(Kosova Sot)