Të rrethuar në kampet me tela të Beratit dhe Krujës, dalin të dhëna shokuese

  • 14 November 2017 - 21:33
Të rrethuar në kampet me tela të Beratit dhe Krujës, dalin të dhëna shokuese

Disa fakte të reja historike në lidhje me të dhëna konkretet në dy kampet ku janë internuar qytetarë të ndryshëm shqiptarë kanë dalë sot në dritë.

Ish kreu i Arkivave në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi ka nxjerrë për herë të parë të dhënat rreth të internuarve në kampin e Berati dhe atë të Krujës.

Statusi i plote

1945-1949/Kampi tela me gjemba i Beratit

Në mars 1945 në Shqipëri u hapën dy kampe tela me gjemba, në Berat dhe në Krujë. Në Berat u vendosën të internuarit nga veriu dhe në Krujës ata nga jugu i vendit. Internoheshin familjarët e këtyre personave:

-Të arratisurve brenda dhe jashtë vendit

-Të dënuarve dhe atyre që mund të burgoseshin (rasti i Shkodrës)

-Të dezertorëve

Nëpër seksionet e punëve të brendshme filluan të grumbulloheshin persona kontingjente për internim. Ata silleshin duke ecur në këmbë nga shtëpia e deri në pikën ku do qëndronin, duke bërë kështu dhjetëra kilometra. Pleq, gra, e fëmijë, të rreckosur, lodhur, uritur e dëshpëruar ishin pjesë e panoramës që mund të shihej në qytetet ku ata vendoseshin përkohësisht. Përpara se të mbërrinin në kampe ishin tmerrësisht të lodhur e sëmurë.

Kampi i Beratit që funksionoi në vitet 1945-1949 ishte përcaktuar për banorët nga veriu i vendit. Në fillim të internuarit u vendosën në shtëpi të braktisura, e më pas u përqendruan. Burrat punonin në fermën e Kuçovës, ndërsa gratë vilnin ullinj. Puna e tyre është shfrytëzuar edhe për zhvarrime.

Personat e parë të internuar në Berat janë nga Shkodra (pjesa dërrmuese e listës bashkëlidhur të datës 25.2.1945). Ata ishin arrestuar gjatë operacionit quajtur “bllokues” të zhvilluar më 29 janar deri më 2 shkurt 1945.

Në mars 1946 në kampin e Beratit ishin 1.275 të internuar, si vijon (sipas prefekturave):

-270 nga Shkodra

-331 nga Kukësi

-178 nga Dibra

-173 nga Elbasani

-234 nga Durrësi

-89 nga Tirana

Në shtator 1947 në kampin e Beratit ndodheshin 586 të internuar. Në vitin 1949 kampi nën drejtimin e të njëjtit komandant, u zhvendos në Tepelenë.

(Kosova Sot)