Kthehen 70 azilkërkues të zhgënjyer nga Gjermania: Prisnim 4 orë dhe hanim pilaf çdo ditë

  • 29 July 2015 - 19:41
Kthehen 70 azilkërkues të zhgënjyer nga Gjermania: Prisnim 4 orë dhe hanim pilaf çdo ditë

Rreth 70 azilkërkues shqiptarë u kthyen sot nga Gjermania në vendin tonë, pasi pas pesë muajsh qëndrim në kampet gjermane. Ajo që ishte e çuditshme në këtë ekstradim, mes shumë të tjerëve që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit, ishte se kthimi i tyre u bë me vullnet të vetë shqiptarëve.

Duke mos pasur asnjë mundësi punësimi apo përfitimi të dokumenteve, azilkërkuesit, shumica e të cilëve ishin të rinj, u kthyen të zhgënjyer duke folur për kushte të rënda jetese, dhe asnjë mundësi për të fituar dokumente apo punë.

“Nuk fiton asgjë atje, të tërë do t’i kthejnë”, u shpreh një djalë i ri që sapo kishte zbritur me avion në tokën shqiptare, të cilën e braktisi për një mundësi më të mirë jashtë.

“Radha e bukës atje ishte 4 orë. Hanim pilaf nga e hëna në të premten, pastaj e ndërronin, e bënin makarona nga e hëna në të premten”, u shpreh për “Ora News” një tjetër i zhgënjyer.

Pas kthimit, të rinjtë u shprehën se mendojnë që të marrin sërish rrugën e emigracionit, por kishte edhe nga ata të cilët të zhgënjyer, theksuan se nuk ia vlen të largohesh.

Pavarësisht rikthimit të qindra azilkërkuesve shqiptarë, dhe thirrjeve të autoriteteve gjermane se të gjithë azilkërkuesit do të kthehen brenda katër javëve, ka ende shqiptarë që me shpresë lënë çdo gjë pas, dhe marrin rrugën drejt Gjermanisë.

Kështu veproi edhe një familje shqiptare që kishte lënë Greqinë për të shkuar në Gjermani për “një jetë më të mirë”. Sot kjo familje, burrë e grua dhe tre fëmijë të moshave nga 3 deri në 10 vjeç, kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Berlinit, 

“Na kishin thënë se po të vish këtu, të merr policia dhe të çon nëpër kampe”, shprehet për News 24 gruaja, teksa apelon për ndihmë pasi po i mbarojnë paratë dhe nuk kanë asnjë mundësi se si të kthehen.