Musa: Gjyqtari Simmons vlerësohet si i pavarur

  • 18 November 2017 - 18:02
Musa: Gjyqtari Simmons vlerësohet si i pavarur

Avokati Skënder Musa ka nënvizuar se në radhë të parë drejtësia ndërkombëtare jo vetëm e EULEXit, por edhe ajo në kohën e UNMIKut, ka ndikuar negativisht në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe se nuk ka pasur një prurje të re apo një praktikë perëndimore të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it që është dashur të zhvillohet në Kosovë. Sipas tij, nuk është e vërtetë se këta kanë ndarë drejtësinë apo kanë qenë imunë ndaj korrupsionit, ngase, siç tha, nëse i marrim dhe i analizojmë të gjitha rastet që i ka pasur EULEX-i nuk bëhet fjalë fare për 'peshq të mëdhenj', por bëhet fjalë për vepra të zakonshme penale."Për këtë arsye konsideroj se Republika e Kosovës duhet t'i ngritë kapacitetet e veta, sepse asnjë zyrtar, pavarësisht i çfarë shteti vjen, shteteve të BE-së, Amerikës, apo vendeve të tjera të shteteve mike, nuk do të punojë më mirë se qytetarët e Republikës së Kosovës. Për këtë arsye është shumë e rëndë- sishme që gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës të forcohen dhe të pavarësohen, sepse vetëm njerëzit e Kosovës mund ta luftojnë krimin dhe mund t'i luftojnë të gjitha veprat dhe dukuritë negative në Kosovë. Me përgjegjësi të plotë e them se shumë më profesionalë janë treguar gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës sesa ata të EULEX-it, në të gjitha rastet, edhe kur kanë pasur raste të krimit të organizuar dhe 'peshqve të mëdhenj', siç po quhet tash Prokuroria Speciale, Gjykata Themelore për krime të rënda gjithmonë kanë qenë më profesionale dhe i kanë trajtuar në mënyrë më të paanshme rastet", theksoi ai."Nëse e marrim drejtësinë e Kosovës që nga përfundimi i luftës, rastet e UNMIK- ut kanë qenë me të vërtetë raste skandaloze dhe me plot afera korruptive dhe të njëjtin avaz ka vazhduar edhe EULEX-i. Përndryshe konsideroj se Malkolm Simmons ka qenë njëri prej gjyqtarëve më të mirë të EULEX-it dhe më të pandikuarit politikisht, kështu që jemi mësuar me këtë modën e përgjigjeve të BE-së dhe zyrtarëve të EULEX-it që zakonisht kur t'i akuzojë dikush ata dalin dhe thonë se kanë qenë në procedurë penale, mirëpo nuk janë në gjendje të tregojnë datën se prej kur ka filluar procedura penale, deri ku kanë shkuar hetimet dhe cili zyrtar është marrë dhe zakonisht thonë një gjyqtar i pavarur", potencoi për gazetën "Kosova Sot" avokati Skënder Musa. 

(Kosova Sot)