Mulliqi:Politika, si mundësi zhvatjeje

  • 18 November 2017 - 19:46
Mulliqi:Politika, si mundësi zhvatjeje

Sipas publicistit Skënder Mulliqi, në Kosovë krejt pas luftës inkuadrimi në politikë është kuptuar si gjëja më përfituese. "Erdhën në krye gjithfarë matrapazësh e zhvatësish, të cilët kanë grabitur çdo të mirë shoqërore, duke e sjell vendin në kolaps. Zor se gjen në rajon e më gjerë këtë soj garniturash politike dhe ekonomike si në Kosovë, të cilët pa fije mëshire vjedhin dhe plaçkitin gjithçka para vetit. Me këtë logjikë përfituese dhe më këta njerëz të cilët kanë qenë dhe të cilët po vijnë në krye të pushteteve lokale më disa përjashtime, qytetarët i pret zhgënjim edhe më i madh. Është për t'u çuditur së si ndëshkimi më votën e lirë karshi të gjithë keqbërësve ende nuk është në nivelin e duhur. Edhe pa pastrimin e listave të partive politike nga elementet kriminale dhe korruptive nuk do të kemi as pushtete lokale as qendrore në nivelin e kërkuar", u shpreh ai."Po bëhet luftë e pakompromis edhe brenda subjekteve politike, se cili duhet ta drejtojë komunën, se cilët do të jenë drejtorët e drejtorive se cilët duhet të jenë ata njerëz të cilët i marrin tenderët, cilët do të merren me punët e mbindërtimeve, punësimeve të të afërmve dhe militantëve partiakë, duke marrë ryshfete te majme nga njerëzit e varfër për një vend të punës ku paga nuk arrin as në 200 euro etj.", theksoi Mulliqi. Sipas tij, vrapimi pas pushtetit po bëhet edhe për faktin se pushtetarët po lidhen më biznesmenët e ndryshëm jo vetëm sa për t'ua lagur atyre fytin ,por që t'i vazhdojnë allishverishet biznesore te ndryshme te jashtëligjshme, duke u pasuruar kështu në pafundësi. "Kjo vlen edhe për Prishtinën si kryeqendër që është. Ahmeti si shumë kolegë të tij në komuna të Kosovës ka premtuar shumë, e ka bërë pak dhe ka përfituar materialisht ai me një grup njerëzish", potencoi ai.

(Kosova Sot)