Maloku: Prodhimi vendor u margjinalizua

  • 23 November 2017 - 13:49
Maloku: Prodhimi vendor u margjinalizua

Afaristi Ramadan Maloku, për gazetën " Kosova Sot', tha se është për keqardhje se në Kosovë kemi pasur një situatë të tillë që nga pas lufta e deri më sot, sepse është krijuar një praktikë shumë e keqe e bërjes së biznesit te ne. "Shumë pak nga pushtetarët tanë kanë punuar për interesin e qytetarëve dhe të popullit, veçse ata punuan për interes të xhepit të vet, por edhe të klaneve të tyre", u shpreh ai. Sipas Malokut, pas lufte në Kosovë është instaluar kjo formë e tillë e bërjes së biznesit të pistë dhe kjo është një e vërtetë e hidhur. "Gjatë tërë kësaj kohe, pa pasur lidhje me pushtetin ka qenë shumë e vështirë që si biznes të avancosh apo që të shkosh përpara, sepse e tëra kjo është bërë përmes lidhjeve me të fortët e politikës dhe liderëve partiakë, ngase ndryshe nuk ke mundur të mbijetosh në këtë treg", vijoi më tej ai. Sipas Malokut, e kemi këtë situatë të brishtë ekonomike, sepse në Kosovë nuk ka pasur gati asnjë shans që të ketë zhvillim ekonomik me qeverisjen e dështuar. "Po qe se nuk ke pasur një nga pushtetarët e "fortë" nga majat e pushtetit prapa kompanisë, qoftë si bashkë-aksionar të fshehtë apo për t`ia lagur fytin, thuajse nuk ke pasur gati asnjë shans që të mbijetosh", theksoi ai. "Jam i bindur se me Qeverinë 'Haradinaj' nuk do të këndohet kënga e vjetër, sepse kjo Qeveri ia ka nisur për së mbari dhe si e tillë kjo Qeveri edhe e ka përkrahjen e plotë të Shoqatës së Naftëtarëve, por edhe shumicës së bizneseve vendore", është shprehur më tutje Ramadan Maloku.

(Kosova Sot)