Nëna nuk guxon t'ia prekë vajzës kokën

  • 30 July 2015 - 20:17
Nëna nuk guxon t'ia prekë vajzës kokën

Ebija e Jenna Stokoe-s, Charlie, ishte bebe kur iu nënshtrua një operacioni prej gjashtë orësh, për t'ia korrigjuar formën e kokës, meqë ajo kishte lindur me një kokë që ngjante në "helmetën e çiklistëve". Nëna tani nuk guxon që t'ia prekë kokën së bijës, meqë ajo ka frikë tepër të madhe nga njerëzit që i afrohen. Vogëlushes Charlie i është paraqitur kjo frikë pasi që, kur ishte bebe, ia kishin hapur në tërësi kafkën, gjatë një operacioni dramatik. Kishte pak më shumë se 1 vit kur iu nënshtrua një operacioni që zgjati gjashtë orë të plota, e i cili kishte për qëllim korrigjimin e formës së kokës së saj. Vogëlushja Charlie vuante nga ajo që në mjekësi quhet kraniosinostozë. "Charlie ishte aq e imët, saqë kur dëgjoja detajet e operacionit, më kaplonte një mundim i madh", thotë Jenna, nëna e saj 31-vjeçare. "Ajo është një vajzë tepër e fortë, por që nga koha kur është bërë operacion, ajo bërtet me të madhe nëse njerëzit ia prekin kokën. Ajo po ashtu tmerrohet nga njerëzit me veshje të kaltër, meqë ata ia kujtojnë uniformat e mjekëve dhe infermiereve. Një ditë erdhi një pastrues xhamash, me rroba të kaltra, e ajo ia nisi të bërtiste", transmeton Kosova Sot.

 

Image

Njëri ndër rastet më të vështira të kësaj sëmundje

Kraniosinostoza nënkupton ngjijen e parakohshme të pjesëve të ndryshme të kafkës, duke pamundësuar rritjen e tyre, gjë që e bën kokën të marrë forma anormale. Mjekët ende nuk e dinë se çka ndikoi që Charlie të vuante nga kjo sëmundje. Ajo kishte lindur gjashtë javë para kohe në shkurt të vitit 2014. Pasi që kishte ardhur në këtë botë me një operacion cezarian, ajo ishte dërguar në kujdesin intensiv të të sapolindurve, ku kishte qëndruar tri javë. Pasi që kishin vërejtur formën jo të rëndomtë të kokës së saj, mjekët i kishin bërë incizime të ndryshme, për të parë se a i ishte dëmtuar edhe truri. "Mjekët na thanë se ky ishte njëri ndër rastet më të vështira të kësaj sëmundjeje, që kishin parë ndonjëherë", thotë nëna e vogëlushes. Sikur të mos operohej me kokë, atëherë do të vinte edhe deri te dëmtimi i trurit të saj.

 

Image

Operacioni ia ka lënë asaj një vragë të madhe në majë të kokës

Familjarët u ballafaquan me një pritje të tensionuar derisa Charlie u forcua mjaft për t'iu nënshtruar operacionit. Në maj të këtij viti ajo u operua në Spitalin e fëmijëve në Birmingem. Gjashtë ditë më vonë, ajo dhe prindërit e saj u kthyen në shtëpinë e tyre, në Sunderland. Tani, ajo është duke u shëruar me sukses. Por, sikur që thamë më lart,

ajo nuk ka qejf kur të tjerët ia prekin kokën, edhe pse prindërit shpresojnë se ky ves asaj do të vijë duke iu larguar."Aktualisht bën një vapë e madhe, por ajo nuk na lejon që t'ia vejmë ndonjë kapele mbrojtëse", thotë e ëma. Ajo shton se, për momentin, vajzën e saj është duke e mbrojtur me spreje të ndryshme."Charlie është një bebe kaq e guximshme. Ajo ka vuajtur kaq shumë që në moshë të njomë, por ka bërë gjithçka që të mos dorëzohet. Në fakt, vetëm pak orë pas operacionit, ajo kishte hapur sytë e saj dhe kishte filluar të hante çokollatë".

Image

Operacioni ia ka lënë asaj një vragë të madhe në majë të kokës, të cilën nëna e saj, zonja Stokoe dhe partneri i saj, Colin, 41 vjeç, duhen ta pastrojnë çdo ditë, me qëllim që të mos infektohet. Charlie ka qenë me fat që e ka korrigjuar këtë defekt që në foshnjëri, meqë, në të kundërtën, ajo do të kishte dhembje të vazhdueshme të kokës, vështirësi në mësim, probleme me shikim dhe simptoma të tjera të sëmundjes. Thuajse të gjitha simptomat e kësaj sëmundjeje shkaktohen nga rritja e presionit brenda kafkës, i cili quhet presion intrakranial.

 

Image

 

(Kosova Sot)