< Qeveria e varfërisë dhe importit, PA RRUGËDALJE NGA KRIZA - Lajme - Kosova Sot
Qeveria e varfėrisė dhe importit, PA RRUGĖDALJE NGA KRIZA

Qeveria e varfėrisė dhe importit, PA RRUGĖDALJE NGA KRIZA

BUXHETI 2018, TREGUES I VARSHMËRISË NGA MALLRAT, KRYESISHT NGA SERBIA

Qeverisja e deritashme, pa vizion zhvillimor për ekonominë

"Edhe Projektbuxheti i propozuar nga Qeveria tregon më së miri se Kosova është e varur nga Dogana dhe ATK-ja, gjë që në vendet e zhvilluara një praktik e tillë nuk është. Vendet e zhvilluara nuk e kanë buxhetin e përgjithshëm, e kanë vetëm 2 ose 3 për qind nga Dogana, ndërsa ne e kemi pothuajse 90 për qind nga Dogana e ATK-ja, pra jo drejtim i duhur i zhvillimit ekonomik", theksoi analisti i ekonomisë Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

Shumica e mallrave për nevojat e popullatës dhe të ekonomisë së Kosovës vazhdojnë që të importohen nga vende të ndryshme të rajonit, Evropës e më gjerë. Askush për momentin nuk e di se deri kur Kosova do të varet gjithnjë prej sasisë së mallrave që importohen. Analistët thonë se është dëshmuar qartë se derisa shteti varet nga importi, ekonomia e atij vendi do të mbetet në vendnumërim dhe e pazhvilluar fare. Ata shprehin keqardhjen e tyre se edhe Projektbuxhetin për vitin 2018 e dëshmoi këtë, se mbushja e buxhetit, sikurse edhe që nga pas lufta e deri më sot, do të bazohet në të ardhurat që vijnë nga Doganat dhe inkasimi i TVSH-së. Ndaj, ata janë të brengosur, duke thënë se kjo e dëshmon se as Qeveria aktuale nuk ka arritur që të tregojë vizion zhvillimor për të hapur një perspektivë të re për Republikën. Analistët vlerësojnë se edhe ky buxhet, që u prezantua ditë më parë, nuk jep kurrfarë shprese për prodhuesit vendorë, sepse nuk ka ndonjë rritje të subvencioneve për ta, sidomos në sferën e bujqësisë. Ata pyesin se ku mbetën premtimet për një rritje serioze të punësimit, për investimet e premtuara në shëndetësi e arsim, apo në sektorët e tjerë. Analistët ankohen se edhe kjo Qeveri sërish po i ndjek praktikat e mëhershme në ndarjen e investimeve kapitale, ku pjesa dërrmuese e investimeve kapitale sërish shkon në asfalt, në vend që të kishim prioritete të tjera. Ata thonë se po të kishim në pushtet një Qeveri transparente dhe jo të shantazhuar, buxheti mund të dyfishohej. Sipas tyre, e kemi këtë bilanc negativ të importit, sepse mafio-oligarkëve tanë nuk u intereson fare lufta kundër krimit ekonomik, pasi përmes vazhdimit të krimit ekonomik do të vazhdojnë t'i stërmbushin xhepat e tyre.

Asgjë konkrete nuk po shihet

Lideri i AKB-së Agim Shahini thotë për "Kosova Sot', se sa u përket ndihmave që e kanë bërë qeveritë e pasluftës për prodhimin vendor, lirshëm mund të themi se fillimisht ato kanë qenë në pikën zero, kurse në vitet e mëvonshme nuk mund të themi se nuk ka pasur rritje, por jo në mënyrë të mjaftueshme apo një qasje më serioze, sepse ka munguar serioziteti nga autoritetet kompetente. "Ndërkaq, viteve të fundit mundësitë për zhvillim të prodhimtarisë, jo se nuk kanë qenë të favorizuara, por kam frikën se kanë ngecur. Megjithatë, ndryshimet e fundit ndoshta premtojnë më tepër. Por, në realitet, nuk shihet asgjë konkrete", potencoi ai. "Zhvillimi i kapaciteteve të reja prodhuese nga ana e kësaj Qeverie është i domosdoshëm, sidomos për rritjen e nivelit të eksportit, pasi deri më tash kjo fushë nuk është përkrahur nga autoritetet vendore", ka theksuar Shahini. Ndërkaq, lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha për "Kosova Sot' se Qeveria po shpenzon aty ku nuk duhet, e po harron fermerët. "Edhe nëse në vitin e parë të punës së saj nuk ka ndarë sa duhet para për sferën e prodhimit jam shumë i bindur se në vitet në vijim Qeveria 'Haradinaj' do të jetë Qeveria që ka ndarë më së shumti para, duke i përkrahur prodhuesit vendorë", vlerë- soi ai.

Projektbuxheti, dëshmi e varësisë nga importi

Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot", se Republika e Kosovës ende po vazhdon që të jetë e varur nga importet e vendeve fqinje, sidomos nga Republika e Serbisë. Një vend që është i varur nga importi nuk i garanton qytetarët e vet se do të ketë sukses në zhvillimin e vendit, pra Kosova ka kapacitete të larta për të mbështetur prodhimin vendor, por politika e ka ngulfatur prodhuesin vendor, ngase shumica e politikanëve janë edhe biznesmenë, çka edhe kanë interesa që ta sabotojnë sa më shumë prodhimin vendor", u shpreh ai. "Edhe Projektbuxheti i propozuar nga Qeveria tregon më së miri se Kosova është e varur nga Dogana dhe ATK-ja, gjë që në vendet e zhvilluara një praktik e tillë nuk është. Vendet e zhvilluara nuk kanë buxhetin e përgjithshëm, e kanë vetëm 2 ose 3 për qind nga Dogana, ndërsa ne e kemi pothuajse 90 për qind nga Dogana e ATK-ja, pra jo drejtim i duhur i zhvillimit ekonomik", theksoi Beqiri. Sipas tij, ky buxhet i propozuar nuk garanton zhvillim ekonomik, shkon kryesisht në infrastrukturë rrugore, paga dhe mëditje, por pa një plan konkret të mbështetjes së sektorit privat dhe ndërmarrjeve prodhuese. "Edhe subvencionet e dhëna për bujqësi deri më tani nuk janë ndarë si duhet, duke u keqpërdorën skajshmërisht, thjesht kjo politikë ekonomike nuk i duhet Kosovës", ka thënë ai. 

Kapacitete prodhuese të kufizuara

Për ekspertët për çështje ekonomike ky fenomen është shqetësues, pasi autoritetet kompetente duhet të gjejnë forma dhe të ndihmojnë sektorin e prodhimit, në mënyrë që të zvogëlohet niveli i importit. Analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot", se ekonomia e Kosovës eksporton produkte në vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës deri në 10 për qind, kurse pjesa tjetër prej 90 për qind po importohet. "Andaj, zhvillimi i kapaciteteve të reja prodhuese është i domosdoshëm për rritjen e nivelit të eksportit, por që kjo fushë nuk është përkrahur asnjëherë sa duhet nga qeveritë dhe nga autoritetet vendore deri më tash, e po duket se kështu do të jetë edhe me këtë buxhet sikurse edhe më parë. Kjo, sepse Serbia që nga pas lufta po vazhdon të ketë përqindjen më të madhe të produkteve në tregun e Kosovës. Vetëm vitin e kaluar shuma e mallrave të importuara nga ky shtet ka arritur mbi 500 milionë euro", u shpreh ai. Sipas tij, kjo varshmëri në një mënyrë po imponohet nga kompanitë importuese për interesa të tyre materiale. "Madje, ka dyshime se disa prej tyre janë krijuar nga ortakëria ose (nga të qenët) aksionarë me individë të ndryshëm nga Serbia. Qytetarit në këtë mënyrë po i imponohet varshmëria nga produktet e huaja, sidomos të Serbisë", theksoi Rudhani. "Buxheti, që u prezantua ditë më parë, nuk jep kurrfarë shprese në veçanti për prodhuesit vendorë, sepse nuk ka ndonjë rritje të subvencioneve për ta, sidomos në sferën e bujqësisë dhe me asgjë nuk ka përkrahje sfera e prodhimtarisë", vlerësoi ai.

Ku mbetën zotimet për punësime?

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sali Morina (LDK) tha për "Kosova Sot", se është për keqardhje që edhe Projektbuxheti për vitin 2018, që u prezantua ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, e dëshmoi këtë, se bazohet në të ardhurat nga Doganat dhe inkasimi i TVSH-së. "Andaj, edhe kësaj radhe u dëshmua se koalicioni, Qeveria aktuale, nuk ka arritur të tregojnë vizion zhvillimor për të hapur një perspektivë të re për Republikën", theksoi ai. Morina pyet se ku mbeten premtimet për një rritje serioze të punësimit, për investimet e premtuara në shëndetësi e arsim apo në sektorët e tjerë. "Edhe kjo Qeveri, sikurse edhe qeveritë e tjera të PDK-së, po i ndjek praktikat e mëhershme në ndarjen e investimeve kapitale, ku pjesa dërrmuese e investimeve kapitale sërish shkon në asfalt, në vend që të kishim prioritete të tjera", u shpreh ai. Morina, ndërkaq, thotë se është për keqardhje që është ndarë aq tepër buxhet që do të jetë në dispozicion për ushtrinë e madhe të më shumë se 70 zëvendësministrave, ndërkohë që shuma e ndarë prej vetëm 3 milionëve për sigurimet shëndetë- sore është vërtet qesharake dhe tregon se as vitin tjetër nuk do të ketë themelim të Fondit për Sigurime Shëndetësore. 

(Kosova Sot)   

11 orë e 48 minuta më parë